Një formacion i përbërë me rezervat e përfaqësueses kombëtare të Shqipërisë, është mundur dje në stadiumin “Monumental” me rezultatin 4-0. Kuqezinjtë rezistuan vetëm 6 minuta përballë yjeve të skuadrës vendëse, pasi ishte pikërisht Lavezzi ai që shënoi golin e parë të Argjentinës. Gjithsesi futbollistët shqiptarë u mbrojtën sa mundën, duke pësuar humbje me “vetëm” 4 gola ndaj Argjentinës që në përbërje kishte yjet e futbollit botëror të kalibrit të Messit, Tevez, Higuain, Aguero, Pastore etj. Ndërsa Shqipëria luajti me rezervat e saj, pasi, sipas shtypit shqiptar futbollistë titullarë të kombëtares nuk i janë përgjigjur thirrjes së trajnerit Kuzhe për këtë miqësore. Në ndeshje munguan Bogdani, Cana, Curri, Dallku, Duro, Lala, Salihi, Skela.
Nga fillimi i takimit, Argjentina filloi të dominonte me Shqipërinë krenare që në këtë takim hyri sa për prestigj. Rezultati u shbllokua shumë shpejtë. Lionel Messi gjeti të lirë në zonë Ezequiel Lavezzin, i cili shënoi në portën e Beqajt për 1-0 (6’). Në vazhdim të takimit Shqipëria nuk arriti të kërcënojë asnjëherë portën e Argjentinës, ndërsa këta të fundit po zhvillonin me sukses stërvitjen e tyre. Ishte Lavezzi ai që në minutën e 43-të asistoi për Lionel Messin, i cili shënoi për 2-0 dhe fundin e pjesës së parë.
Pjesa e dytë e ndeshjes ishte fotokopje e të parës. Kuqezinjtë pësuan edhe dy gola të tjerë nga argjentinasit. Në minutën e 74-t vendësit organizojnë një kundërsulm të shpejtë, Aguero përfiton nga vendosja e gabuar e mbrojtjes kuqezi dhe i vetëm me Hidin nuk e ka të vështirë të shënojë. Në minutën e fundit të ndeshjes, ka pasime fantastike të argjentinasve, këtë herë Aguero fton Tevez, që i lirë brenda zone shtyn topin në rrjetë. Shqipëria arriti të bëjë vetëm një goditje drejt portës rivale me anë të Gjergji Muzakës.