Kryesisht në filma të kinematografisë së pavarur italiane, në filma me metrazh të shkurtër, në teatër por edhe me ndonjë rol të vogël në televizion, 32-vjeçari Rimi Beqiri po realizon ëndrrën e aktrimit në Itali.
Më 3 korrik do të jetë në sallat e kinemave me “Reality news”, këto kohë po xhiron një film që do të dalë nga fundi i vitit ndërsa vetëm pak javë më parë u shfaq në televizion me një rol të vogël në “Comissario Rex 7”.
Është Rimi Beqiri, 32-vjeçari nga Tirana, që kur ishte adoleshent la Shqipërinë për të ardhur në Itali. Filmat, tregon se i kanë pëlqyer që i vogël, kur rrinte me orë të tëra “para televizorit Lura që më pas babai ndërroi me një Seleco” kujton me nostalgji. Që atëherë i ka pëlqyer Kadri Roshi apo Robert De Niro. E megjithatë i dukej diçka e paarritshme që një ditë të bëhej aktor.
Sot punon si teknik elektricist audio video e herë pas here realizon ëndrrën e tij, atë të aktrimit. Ëndërr për të cilën ka studiuar shumë, në fillim në Firenze e më pas në Romë. “Tani për tani nuk mund të jetoj me atë që është pasioni im, – thotë me sinqeritet – ndaj bëj punën time të përditshme si teknik. Por kur më thërrasin për të marrë pjesë në ndonjë projekt e bëj me kënaqësi e mundohem të jap maksimumin tim” Por megjithatë deri tani ka një kurrikulum jo të vogël: nga viti 2004 kur ka pasur rolin e tij të parë ka marrë pjesë në filma të ndryshëm të kinematografisë indipendente që parapëlqen, ka dhënë shfaqje teatrale, ka pasur një rol të vogël në Cesaroni që i dha vizibilitet edhe në Shqipëri ku seriali duket se është goxha i ndjekur, së fundi, një tjetër në një nga puntatat e “Comissario Rex 7”, e po punon për një film të ri.
“Më pëlqen kinemaja indipendente, del nga skemat e kinematografisë komerciale – shpjegon Rimi – por është në vështirësi, sidomos këtu në Itali për shkak të krizës. Me pak fjalë, filmi ka nevojë për shuma të mëdha, – edhe pse me thënë të vërtetën teknologjia digjitale lejon prodhimin e një filmi me kosto relativisht të ulët, por gjithsesi bëhet fjalë për shuma të konsiderueshme – që producentët e vegjël mezi gjejnë, por nuk është ky problemi i vetëm. Shpesh qëllon që filmat indipendentë e kanë të vështirë shpërndarjen në sallat e kinemave e pas kalimit në festivale të ndryshme nuk kanë më jetë…”.
Një shembull? “Filmi Connection-HOBO i regjisorit Daniele Misischia që ka marrë pjesë në shumë festivale kategorie (“festival di Genere”) por që akoma nuk ka dalë në kinema”.
Në HOBO, film “di genere”, Rimi ka rolin e protagonistit, atë të Mikajlit, një i ri i pastrehë me një të shkuar të errët e me miqësi të dyshimta mes “llumit” romak që shfrytëzojnë barbonët duke i detyruar të ndeshen me njëri-tjetrin e duke vënë bast mbi këto ndeeshje klandestine. Në këtë situatë, Mikajl gjen forcat për të ndërruar sërish jetë e për t’u kthyer në shtëpi.
“Ishte rol i zymtë, kompleks, por energjik, i guximshëm dhe i zgjuar. Edhe pse jeta nuk kishte qenë aspak zemërgjerë me të, edhe pse ka prekur edhe fundin, arrin të gjejë forcat e të ngrihet, të luftojë për lirinë e tij. E pranova me kënaqësi të luaja rolin e Mikajlit” thotë Beqiri për atë eksperiencë.
Ditët e para të korrikut jeni në kinema me një tjetër film indipendent, “Reality News” i Salvatore Vitiellos me të cilin keni bashkëpunuar disa herë.
Vitiello ka qenë profesori im në S.N.C.I. – Shkolla Kombëtare e Kinemasë Indipendente që ndoqa në Firence nga viti 2004. Roli im i parë në një film ka qenë ai i Samuelit në “Dov’è Sifiso” pikërisht të Vitiellos. Ishte një rol i vogël, por më hapi rrugën për bashkëpunime të tjera. Në vitin 2008, Vitiello më besoi një rol bashkë-protagonisti në “The Darkest Night” dhe pas dy vjetëve dy role në “Reality News”. Në film luaj një terrorist të maskuar dhe Gioachinon, personazh me jetë të shthurur e plot probleme familjare. Më këtë film kemi qenë edhe në festivalin e Venecias, ne seksionin Digital Expo, po siç po tregoja edhe më parë për vështirësitë e kinemasë indipendente, vetëm tani arrin të dalë në sallat e kinemasë, dhe jo gjithandej, vetëm në disa qytete si Firence, në sallat e grupit UCI Cinemas.
Thoni se shkollën e kinemasë e keni nisur në vitin 2004, kur keni zbuluar pasionin për kinemanë?
Kinemanë e kam pasion që kur isha i vogël: më pëlqente të shihja filma e të imitoja më pas në shkollë ndonjë rol për shokët e klasës, gjë që jo gjithnjë u pëlqente mësuesve…
Kur 16 vjeç erdha në Firence, u gjeta krejtësisht vetëm e me problemin kryesor të mbijetesës. Më vunë në një shtëpi-familje, më futën në shkollë ku zgjodha të marr zanatin e teknikut elektricist-elekronik audio-video, për të cilin jam shumë krenar pasi është puna ime e përditshme. E pra, ato vite, edhe pse më pëlqente kinemaja, nuk mund të them se ëndërroja të bëhesha aktor.
Vetëm pasi fitova një siguri e pavarësi ekonomike, në vitin 2004 nisa shkollën e kinemasë indipendente, më pas disa studime për teatër, gjithnjë në Firence. Në vitin 2008 vendosa të vij në Romë për të ndjekur studimet në Akademine Ndërkombëtare të Teatrit, akademi aktrimi, ku jam diplomuar si aktor e ndihmës regjisor. Gjatë studimeve e pas tyre kam pasur një sërë rolesh, dytësorë apo protagonistësh në filma të kinematografisë indipendente, në filma me metrazh të shkurtër e në pjesë teatrale.
Të jesh aktor në një vend ku nuk flitet gjuha jote nuk është e lehtë. Apo më mirë të themi që paragjykon në përzgjedhje nga anë e regjisorëve që i marrin këta vetëm për role të huajsh. Keni pasur këto vështirësi?
Them se nuk është rasti im. Flas shumë mirë italisht, e kam ditur goxha që kur kam ardhur, pastaj këtu kam shkuar në shkollë e kam lexuar gjithmonë shumë. Ndoshta fati im ka qenë që kam jetuar për dhjetë vjet në Firence ku flitet një italishte me pak theks por e bukur, por dhe vetë personalisht jam impenjuar duke bërë sa më shumë ushtrime, përsëritje etj, pastaj dhe në shkollat e aktrimit kam bërë shumë leksione diksioni, tani flas edhe më mirë e pa theks lokal se një italian që është nga Roma, Palermo, apo Bergamo, për shembull.
Keni pasur role në teatër, kinema e televizion? Cila eksperiencë ju pëlqen më shumë?
Teatër kam bërë gjatë shkollës: kemi dhënë disa shfaqje në vit. Teatri është një eksperiencë e bukur, emocionuese sepse ke kontakt të drejtpërdrejtë me publikun. Në televizion kam bërë dy role të vogla. Një në “I Cesaroni 3” e një tjetër së fundi në “Il Comissario Rex 7”. Te ky i fundit ka qenë dhe nje shok im Ilir Jacellari. Për këto rolet në televizion kanë parë fotot në agjenci, më thirrën, bëra kinoprovën e më morën. Nuk mund t’i quaj role të rëndësishme apo me vlerë për karrierën si aktor, por televizioni ka forcën e madhe të vizibilitetit që të jep. Nëfakt kur u shfaq nëtv seriali Cesaroni, në2009-tën,edhe nga Shqipëria mëkontaktuan përmëbërëkomplimente pasi më thanë se atje ndiqen shumë serialet televizive italiane. Është kënaqësi edhe kjo, nuk e fsheh. Por kinemaja më pëlqen më shumë nga të gjitha, ndoshta sepse është dashuri e parë e fëmijërisë.
Cilët filma ju pëlqejnë më shumë?
Janë të shumtë filmat që më pëlqejnë. Nga fëmijëria kujtoj me kënaqësi filma shqiptarë si “Liri a vdekje”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Udha e shkronjave” apo “Beni ecën vetë”. Por sot konsideroj kryevepra të kinematografisë filmat e Fellinit, Leones, Viscontit, Antonionit, të Scorzeses, Kubrick, Hitchoch, Tarantino, Truffaut, Bergman, siç e shikon janëshumëe më duhet shumëkohëti numëroj.
Aktorët që ju frymëzojnë?
Pyetje e vështirë, janë të shumtë ata që mund të përmend. Që i vogël më kanë pëlqyer Robert De Niro e Kadri Roshi për të cilët nuk kam ndërruar ndonjëherë mendim. Sot u shtoj atyre edhe shumë të tjerë, ndër italianët e sotëm për shembull, Toni Servillo, Elio Germano e Paola Cortellesi. Do të më pëlqente shumë të punoja njëherë përkrah tyre.
Çfarë duhet për të qenë aktor i mirë?
Ashtu si në profesionet e tjera duhet pasion, vullnet dhe shumë studim e punë. Por edhe të jesh tip me pak karakter tëfortë e tëmendosh pozitivisht nëjetë. Mendoj se për tëqenë njëaktor i mirëose thjesht njëpunëtor i mirëduhet ta duash punën qëbën si një prind do fëmijën e vet, edhe nëçaste kur jeta kërkon shumësakrifica, sidomos ato ekonomike qëvuajmënëditët e sotme.
Pastaj, nuk mendoj se ka ndonjërecetëtë veçantëpër tëqenëaktor i mirë. Shumë aktorë janë të zotë e të famshëm, pa bërë asnjë lloj shkolle… Në jetë secili kërkon të arrijë sa më shumë por e rëndësishme është të vendosësh atë që duhet të bësh, dhe ta bësh sa më mirë.
Zakonisht, ne “aktorëve të rinj” na pëlqen të jemi të famshëm e të zotë sa me shpejt, por kur bëhet fjalë për sakrifica të vërteta janë të rrallë ata që duan ta bëjnë vërtet këtë zanat, dhe shumë vetë kthejnë rrugë dhe kërkojnë profesione të tjera për shumë motive. Nuk është aspak e lehtë, e kuptoj fare mirë: të vjen një propozim për një rol, e bën, del mirë e mund të fluturosh, të kujtosh se ç’arrite. Por pastaj mund mos të të thërrasin për shumë kohë e të lindin njëmijë dyshime mbi këtë profesion. Në këtë kuptim them që duhet të këmbëngulësh me vullnet e pasion por dhe me këmbët në tokë e pa t’u rritur kurrë mendja.
Pse do të refuzonit një rol?
Të them të vërtetën do të refuzoja një projekt nëse nuk më pëlqen, në brendësi të të cilit është personazhi që duhet të luaj, por jo rolin në vetvete. Për t’u shpjeguar më mirë, më pëlqen të punoj me profesionistë, njerëz që nuk merren me prejardhjen time por me atë që bëj, më pëlqen t’i bashkohem një projekti të bukur, me skenar të mirë që funksionon nga të gjitha anët, të paktën unë kështu e mendoj. Jam i bindur që çdo personazh, negativ apo pozitiv, mund të konsiderohet i mirë, i arrirë, vetëm nëse është në brendësi të një filmi/teatri/seriali televiziv që funksionon në tërësinë e tij.
A keni ndonjë projekt në dorë në këtë periudhë?
Shkrimtarja dheregjisorja Lucilla Colonna më ka besuar një rol në filmin që është akoma në xhirime. Është film indipendent dhe ky, por historik (in costume), i ambientuar në shekullin XV, me titullin paraprak “Vittoria, festina lente” që shqip do të ishte “Viktoria, nxito ngadalë”. Është një histori që flet për lindjen e shtypit, të letrës së shtypur, në periudhën e Rilindjes dhe mbi jetën e mjeshtrit Aldo Manuzio, që konsiderohet tipografi më i madh i kohës së vet dhe botuesi i parë modern. Dhe në qendër të historisë është edhe takimi i çirakut analfabet (Baccio) me origjinë nga Fabriano e krahinës Marche me poeten (Viktoria) që është një grua me zemër dhe me një kulturë të madhe. Është film i bazuar mbi histori të vërtetë dhe vete autorja dhe segjisorja është përqendruar gjatë në vendet ku filmi është ambientuar (në Marche e krahina të tjera) dhe i ka studiuar në detajet më të vogla të gjitha figurat historike të asaj periudhe. Unë kam një rol të bukur, pikërisht atë të Baccios, nxënës e çirak i mjeshtrit Manuzio. Urojmë që filmi të dalë në kinema brenda dhjetorit.
Çfarë kërkoni nga vetja gjatë realizimit të një personazhi?
Të jap maksimumin, të kënaq publikun që pret biletën për të parë edhe mua e, pse jo, të kënaqem edhe vetë. Sipas meje, sekreti i suksesit në punë është të besosh fort në të, të të pëlqejë dhe të kesh vullnet por edhe besim te vetja.
Keti Biçoku / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)