in

Rreth 100 mijë fëmijë e të rinj shqiptarë në bankat e shkollave italiane

Sipas një raporti të fundit të ministrisë së Arsimit dhe të fondacionit ISMU të huajt në shkollat italiane vazhdojnë të shtohen, por me ritme më të ulëta se më parë

Romë, 24 tetor 2011 – Numri i nxënësve të huaj në bankat e shkollave në vitin 2010/2011 ka shkuar në 711.064, nga 59.389 që ka qenë në vitin shkollor 1996/1997. Sot nxënësit jo italianë përbëjnë 7,9% të të gjithë nxënësve dhe gjenden në të gjitha nivelet, nga shkolla fillore deri te e mesmja.  Por gjatë tre vjetëve të fundit në Itali vërehet një rënie e rritjes së regjistrimeve të nxënësve të huaj në shkolla. Rritja thuajse është përgjysmuar: nëse deri në vitin 2009 rritja ishte me 60/70 mijë nxënës më shumë se viti pararendës, në vitin shkollor 2010/2011, nxënësit e huaj kanë qenë vetëm 37.454 më shumë se një vit më parë.

Nga ana tjetër, në brendësi të nxënësve me shtetësi jo italiane, rritet ndjeshëm numri i nxënësve që edhe pse me shtetësi të huaj, kanë lindur e janë rritur në Itali, të ashtuquajturit G2: në vitin shkollor 2009/2010 ata kanë qenë 263.524, rreth 40% e të gjithë nxënësve të huaj, me një rritje prej 13,1% krahasuar me një vit më parë. Kjo kategori nxënësish haset kryesisht në kopsht e në shkollën fillore ku nxënësit e huaj të lindur në Itali përbëjnë deri 80% të të gjithë nxënësve joitalianë.

Në aspektin e shifrave, prania e nxënësve të huaj në shkollat italiane reflekton pak a shumë imigracionin në Itali: kombësitë më të shumta në numër janë rumunët (126.452 nxënës), shqiptarët me 99.205 nxënës, marokenët (92.542), dhe kinezët (32.691). Shqiptarët, të cilët nga viti 2000 deri në vitin 2006, janë renditur të parët për nga numri i nxënësve të pranishëm në shkolla, me fluksin e madh të rumunëve në Itali, kanë zbritur në vend të dytë. Fëmijët e të rinjtë shqiptarë janë të shpërndarë pak a shumë njësoj në të gjitha ciklet e shkollës, me përqendrim disi më të madh në atë fillore: ndjekin kopshtin (21.964), ciklin e parë të tetëvjeçares (34.779), ciklin e dytë të tetëvjeçares (20.149) dhe shkollën e mesme (22.313).

 

Shkarko përmbledhjen e Raportit

Lexo edhe: Ongini: “Me nxënës nga e gjithë bota, Italia ka vetëm përfitim”

Legalizime të rreme: 19 arrestime dhe 120 denoncime

‘Amnistia’ filmi i fundit i Bujar Alimanit prezantohet në Torino e Milano