in

Rreth 30% e vendimeve të Qeverisë nuk shpallen në Fletoren zyrtare

Qendra për Çështje të Informimit Publik, ÇIP, shpall Raportin monitorues për vitin e shkuar “Transparenca e Botimeve Zyrtare në Shqipëri, 2011″. Janë botuar të gjitha ligjet e miratuara në Kuvend por vetëm 71,8% e vendimeve të Këshillit të ministrave, 53,9%  e vendimeve të Gjykatës së Lartë, dhe 94,3% të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Por ka raste si ministria e Bujqësisë që nuk ka botuar 75% të vendimeve që ka marrë

Tiranë, 24 shtator 2012 – Parimi sipas të cilit “injoranca ndaj ligjit nuk shfajëson (në gjykatë)”, humbet kuptimin në rast të mos-përmbushjes së parimit që i paraprin, sipas të cilit “nuk mund të përfitosh apo dëmtohesh nga një ndalim apo lejim i ligjit në rast se nuk ke mundësi reale apo formale të njohjes me ligjin”. Ndaj botimi i ligjeve dhe i akteve të tjera zyrtare në Fletore Zyrtare nënkupton që të gjithë njerëzit janë vënë në dijeni të këtyre akteve. Por në të vërtetë jo gjithçka që miratohet u njoftohet zyrtarisht qytetarëve përmes botimit në Fletoren Zyrtare.

Qendra ÇIP shpalli ditën e shtunë, më  22 shtator 2012, rezultatet e Raportit “Transparenca e Botimeve Zyrtare në Republikën e Shqipërisë, 2011″. Ky Raport (tashmë në edicionin e tij të katërt) u përgatit nga Qendra për Çështje të Informimit Publik, mbështetur nga Partnership for Transparency Fund, PTF, me seli në Uashington D.C.

Raporti 2011 konstaton një situatë normale sa i takon botimit në Fletore Zyrtare të ligjeve që nxjerr Kuvendi i Shqipërisë (130 gjithsej). Po ashtu, Raporti konstaton se ligjet ratifikuese të 2011-tës janë botuar në Fletore Zyrtare së bashku me tekstin e përkthyer në shqip të marrëveshjeve apo kontratave që ratifikojnë.

Sa i takon Pushtetit Ekzekutiv, qeverisë, konstatohet që një pjesë e VKM-ve (Vendime të Këshillit të Ministrave), në vitin 2011 ashtu si vitet pararendëse, vijuan të mbeten të panjohura për publikun. Gjatë 2011-tës, Këshilli i Ministrave ka miratuar të paktën 929 VKM, por në Fletore Zyrtare 2011 gjenden të botuara de-facto 667 VKM, pra vetëm 71,8% e tyre. Sa i takon Akteve Normative me Fuqinë e Ligjit të Këshillit të Ministrave, ato janë të gjitha të botuara në Fletore Zyrtare gjatë vitit 2011.

Problematike vijon të mbetet botimi i udhëzimeve të ministrave në Fletore Zyrtare, kusht ligjor ky i domosdoshëm që ato të hyjnë në fuqi (neni 19, ligji 9000,”Për organizimin e KM”). Më keq paraqitet situata e botimit të udhëzimeve të Ministrise së Bujqësisë (75% të pabotuara), pasuar nga Ministria e Arsimit (rreth 40% të pabotuara). Ministria e Financave la pa botuar në 2011-tën tetë udhëzime, ose 22% e totalit (në 2010-ën nuk botoi 30% te totalit).

Sa i takon Pushtetit Gjyqësor, Raporti konstaton një përkeqësim shqetësues sa i takon shpalljes brenda afateve ligjore të përcaktuara dhe mandej botimit të Vendimeve Unifikuese të Gjykatës së Lartë (objekt monitorimi në kuadër të Raportit). Rreth gjysma e e tyre (6 nga 13) nuk u botuan në Fletore Zyrtare gjatë 2011-ës, kryesisht për shkak të vonesave në shpalljen e tyre. Kjo vonesë është rreth 5 muaj, çka tejkalon atë të konstatuar në vitin 2010.

Sa i takon Gjykatës Kushtetuese, për herë të parë, ne 2011-ën  janë identifikuar 3 vendime të saj të pabotuara në Fletore Zyrtare (nga 53 vendime që ka dhënë gjithsej), një e dhënë shumë shqetësuese për transparencën e këtij institucioni.

Faktet e renditura në Raport përbëjnë shkelje të mirëfillta të dispozitave ligjore në fuqi sa i takon shpalljes dhe/apo botimit të akteve objekt monitorimi. Lidhur me Gjykatën e Lartë, përgjegjësia mbetet tek gjyqtarët të cilët bëhen shkas për vonesat në shpalljen e vendimeve unifikuese si pasojë e mos-arsyetimit të tyre brenda afateve që cakton ligji. Konstatohet se kryesisht vonohet arsyetimi i mendimit të pakicës, çka mban “peng” shpalljen dhe mandej botimin në Fletore Zyrtare të Vendimeve Unifikuese.

Në Pushtetin Ekzekutiv, mosbotimi i akteve ngarkon me përgjegjësi funksionarët e administratës publike (më së shumti sekretaret e përgjithshëm).  Është absurde të mendosh që udhëzimet që firmosen nga ministrat, të mos dërgohen për botimin nga vartesit e tyre në administratë.  Është po aq absurde që, institucioni i cili është i interesuari kryesor që aktet që ai nxjerr të njihen e rrjedhimisht të zbatohen, të mos marrë masa efikase për botimin e tyre.

Shkarko të plotë Raportin në PDF

Medesano. Në biçikletë përplaset me një pemë, përfundon në reanimacion

Humbet paratë në videopoker. E merr me vete që t’i nxjerrë paratë