in

Rreth 800 mijë fëmijë emigrantësh në bankat e shkollave italiane

Mbi 100 mijë, fëmijët e të rinjtë shqiptarë në shkollat italiane. Ongini (Ministria e Arsimit): “U kushtohet pak vëmendje familjeve, që luajnë një rol shumë të rëndësishëm”. Vitin e shkuar mbi 44% e nxënësve me shtetësi të huaj kanë lindur në Itali

Romë, 19 shtator 2012 – Në vitin shkollor që sapo ka nisur bijtë e emigrantëve të ulur në bankat e shkollave italiane “arrijnë në 800 mijë”. Kjo është shifra që jep Vinicio Ongini, ekspert i Zyrës së Integrimit të nxënësve të huaj në Ministrinë e Arsimit dhe autor i disa librave kushtuar shkollës multikulturore. “Shifra – ka shpjeguar Ongini – është një parashikim i bazuar në ecurinë e tre vjetëve të fundit që janë karakterizuar nga një rritje e ngadalësur e numrit të nxënësve me shtetësi jo italiane. Ndërsa më parë rritja ishte me 60-70 mijë në vit, në tre vjetët e fundit ka rënë në 40 mijë”.

Fëmijët e të rinjtë shqiptarë në shkollat italiane kapërcejnë sot shifrën 100 mijë. Kjo në bazë të të dhënave më të fundit të ministrisë së Arsimit (që i korrispondojnë vitit shkollor 2010/2011 e flisnin për 99.205 nxënës shqiptarë) dhe ecurisë së përgjithshme të numrit të të huajve në bankat e shkollave italiane.

Sipas tij shkak i kësaj tkurrjeje është kriza ekonomike. “nëse kjo prirje mbetet e tillë – komenton – në vitin shkollor që sapo nisi do të kemi një numër nxënësish të huaj që i afrohet shifrës 800 mijë. Për rrjedhojë “pesha” e të huajve do të shkojë nga 8,4% në thuajse 9% të të gjithë nxënësve të shkollave italiane”.

“Familjet, prindërit – nënvizon Ongini – janë një përbërës themelor, duhet të jenë protagonistë bashkë me mësuesit, drejtorët e shkollës, entet lokale, por në të vërtetë ata janë në hije”. Dhe pikërisht familjeve u kushtohet seminari kombëtar “Insieme” (Së bashku) që do të mbaahet në Ankona më 20 dhe 21 shtator.

Këto ditë Ministria e Arsimit ka nxjerrë të dhënat zyrtare të vitit të shkuar shkollor. Në 2011/2012 kanë ndjekur shkollat italiane 755.939 nxënës jo italianë. Nga këta, plot 334.284 persona, 44,2%, kanë lindur në Itali. Nga kjo pikëpamje, përqindjet e më të larta regjistrohen në Lombardi e Veneto, ku më shumë se gjysma (50,9%) e “të huajve” të regjistruar kanë lindur në Itali.

 

 

Në 100-vjetor të pavarësisë, 30 balona kuqezi në qiell të Francës

Droga, biznes familjar. Arrestohen atë e bir