in

Sanatore për të gjithë? Qeveria vendos të shqyrtojë këtë mundësi

U pranuan temat e rendit të ditës të shumicës dhe opozitës. “Sanatorja të shtrihet edhe  për punonjësit e sektorëve të tjerë”

Romë, 23 nëntor 2010 – Qeveria do të marrë në shqyrtim hipotezën e shtrirjes së sanatorias, pajisjes më dokumente të rregullta qëndrimi, edhe për punonjësit jo shtëpiake. Kështu deklaron nënsekretari për Ekonominë Giuseppe Casero i cili të premten e kaluar, gjatë aprovimit të ligjit Financiar në Dhomën e Deputetëve, pranoi rendet e ditës mbi këtë temë, të paraqitura nga eksponentë të Popullit të Lirive dhe të Partisë Demokratike.

Rendi i ditës është një akt me nuance politike nëpërmjet të cilit Dhoma e Deputetëve ose Senati i kërkojnë qeverisë që të bëjë diçka. Në të vërtetë qeveria, edhe nëse e pranon të fusë në rend të ditës çështjen e legalizimit të klandestinëve, nuk është e detyruar të zbatojë kërkesën. Por ama pranimi i bërë ditën e premte dëshmon të paktën që për qeverinë një legalizim i ri i të huajve me një vend pune nuk është tabu dhe që në Parlament kjo temë bashkon eksponentë të shumicës dhe të opozitës.

Mbi këtë pikë në fakt rendi i ditës i paraqitur nga deputetët e Popullit të Lirisë Lucio Barani, Giuliano Cazzola dhe  Francesco de Luca është identik më atë të paraqitur nga deputetët e Partisë Demokratike Livia Turco, Rosa De Pasquale dhe Gugliemo Vaccaro.

I kërkohet qeverisë që të “shqyrtojë nëse e sheh të udhës të zgjerohet pajisja me dokumente qëndrimi “edhe për ata që punojnë në sektorë të ekonomisë ku është e lartë prania e krahut të punës të paligjshëm, si dhe për ato profile pune ku kërkohen krahë pune të huaj jo komunitarë. Veçanërisht për sektorët e ndërtimit, bujqësisë, shërbimeve dhe të asistencës në familje”.

Në rendet e ditës të pranuara nga qeveria kërkohet gjithashtu zgjatja e afatit të lejeqëndrimit me motiv kërkimin e punës (që sot zgjat vetëm gjashtë muaj) për të evituar që kush humbet vendin e punës për shkak të krizës ekonomike, të mbetet edhe pa lejeqëndrim. Deputetët e Popullit të Lirive i kanë kërkuar qeverisë që të respektojë afatet në përtëritjen e lejeqëndrimeve, ndërsa ata të Partisë Demokratike kërkuan që personat e mashtruar e legalizimit të fundit (shtator 2009) të mund të padisin këto mashtrime pa u dëbuar. Për më tepër të pajisen me lejeqëndrim ata që padisin shfrytëzuesit e tyre.

Tani radhën e ka qeveria. Në këtë periudhë krize të thellë ekonomike, a do gjejë vallë kohë të plotësojë kërkesat e Parlamentit?

Elvio Pasca

Odisseo: Ndokush vendos të kthehet

Sondazhi: “Të rinjtë janë më të painformuarit mbi lëvizjen pa viza”