Ministria e Brendshme boton detaje mbi ecurinë e procedurave të legalizimit gjatë muajit të parë
Romë, 3 korrik 2020 – Gjatë muajit qershor, punëdhënës të ndryshëm në bujqësi, blegtori, peshkim e familje kanë paraqitur çdo ditë mesatarisht mbi 210 kërkesa legalizimi për punonjës shqiptarë. Janë gjithsej 6.379, një pjesë e vogël e gjithë atyre që jetojnë në hije e punojnë në të zezë në Itali e që tani kanë shumë shpresë të pajisen me një dokument qëndrimi.
Kjo del në dritë nga Raporti i dytë i Ministrisë së Brendshme italiane mbi ecurinë gjatë muajit të parë të procedurave të legalizimit të të huajve të parregullt që punojnë në bujqësi, blegtori, peshkim e pranë familjeve, të parashikuar nga neni 103 i DL 34/2020 (i ashtuquajturi dekretligji Rinisja).
Në përgjithësi, deri orën 20:00 të 30 qershorit në portalin e ministrisë ka mbi 80.000 aplikime: 69.712 janë kërkesa të nisura dhe 10.645 janë në përgatitje e sipër. Përsa u përket sektorëve, ashtu si edhe në Raportin e parë, vërehet se pjesa më e madhe e të huajve që kërkohet të legalizohen punojnë pranë familjeve dhe vetëm një pjesë e vogël në bujqësi, blegtori e peshkim. Në fakt 88%, apo 61.411 nga kërkesat e nisura dhe 76%, apo 8.116 nga kërkesat në fazë përgatitore kanë të bëjnë me legalizimin e bashkëpunëtorëve shtëpiakë dhe kujdestarëve për persona të pamundur.
Përsa i përket komunitetit shqiptar, është për ta numri më i lartë (1.783) i kërkesave të legalizimit të nisura për punonjësit në bujqësi, blegtori apo peshkim. Ndërsa si bashkëpunëtorë familjarë është paraqitur kërkesë legalizimi për plot 4.596 shqiptarë, duke u renditur në këtë sektor të pestët, pas qytetarëve të Marokut, Ukrainës, Bangladeshit dhe Kinës.
Gjithnjë sipas ministrisë së Brendshme italiane, nga ndër 70 mijë punëdhënës që kanë aplikuar për legalizimin e punonjësve, pjesa më e madhe, mbi 53 mijë, janë italianë. Por ndër të huajt, spikasin edhe punëdhënësit shqiptarë. Janë 1.231 vetë. Nga këta, 1.013 kanë aplikuar për legalizimin e bashkëpunëtorëve familjarë e 218 për legalizimin e një kontrate pune në bujqësi, blegtori apo peshkim.
Duke qenë komuniteti shqiptar i vjetër e i integruar, një pjesë e emigrantëve më të hershëm duket se po ndihmojnë emigrantët e rinj të pajisen me dokumente. Është e logjikshme të mendohet që punëdhënësit shqiptarë të kenë aplikuar për shqiptarë të tjerë, çka do të thotë se thuajse 20% e kërkesave për legalizimin e shqiptarëve janë nisur nga familjarë e miq të tyre me qëndrim të rregullt prej vitesh në Itali.
Përsa u përket aplikimeve pranë zyrave të postës për lejeqëndrim të përkohshëm, ministria e Brendshme thotë se nga 1 deri më 29 qershor janë paraqitur 3.231, por nuk jepen detaje mbi prejardhjen e të huajve që kanë paraqitur kërkesë.
Për procedurat për legalizimin e pajisjen me lejeqëndrim të përkohshëm mund të aplikohet deri më 15 gusht 2020. Për legalizimin e marrëdhënieve të punës kërkesat paraqiten online nga punëdhënësit përmes portalit të ministrisë së Brendshme në https://nullaostalavoro.dlci.interno.it/. Të huajt që kanë pasur lejeqëndrim deri në fund të tetorit 2019 mund të paraqesin kërkesë për lejeqëndrim të përkohshëm pranë sporteleve “Amico” të 5.700 zyrave Postare në mbarë Italinë,
Për më shumë informacione rreth legalizimit të të huajve të parregullt shko në:
Speciale sanatoria 2020
K.B./Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)