Procedura e sanatores online. Do t’u kushtojë punëdhënësve njëmijë euro plus taksat e kontributet e papaguara për të paktën tre muaj. (Së shpejti edhe teksti i plotë i nenit që parashikon sanatoren)
Romë, 17 korrik 2012 – Merr formë tashmë legalizimi apo sanatoria e punonjësve të huaj të parregullt. Pas miratimit politik të 6 korrikut, teknikët janë duke përcaktuar detajet e fundit të normës kalimtare që do t’u shmangë sanksionet familjeve dhe ndërmarrjeve që u japin punë imigrantëve të parregullt që autodenoncohen e do t’u japë lejen e shumëdëshiruar të qëndrimit punonjësve.
Burime të sigurta nga ministria e Punës dhe e Brendshme japin një kuadër thuajse të plotë të procedurës së legalizimit të punonjësve të parregullt që përmbahet në nenin 5 të dekretit që përvetëson direktivën europiane.
Punëdhënësit do të mund të paraqesin deklaratat për legalizimin e punonjësve të huaj me qëndrim të parregullt në Itali (pra të punësuar prej tyre në të zezë) nga 15 shtatori deri më 15 tetor, përmes faqeve internet të ministrisë së Brendshme. Punëdhënësi duhet t’i ketë në punë prej të paktën tre muajve.
Ashtu siç kishte kërkuar edhe Senati, legalizimi i të huajve të parregullt duhet të kushtojë njëmijë euro, plus taksat e kontributet përkatëse të periudhës gjatë të cilës i huaji ishte punësuar në të zezë.
Ka edhe kufizime të tjera si përjashtimi nga procedura e legalizimit i punëdhënësve të dënuar për favorizim të imigracionit klandestin apo për ‘caporalato’ si edhe i punonjësve që që kanë marrë masën e dëbimit. Për të evituar që “lajmërimi” i sanatores të tërheqë të tjerë klandestinë në Itali, është përcaktuar një datë, brenda të cilës, punonjësi duhet të gjendej në Itali: mund të kërkohet legalizimi vetëm për punonjësit që jetojnë pa ndërprerje në Itali nga 31 dhjetori 2011).
Shqiptari i Italisë