in

Sanatoria. Lejeqëndrim në pritje punësimi nëse marrëdhënia e punës ndërpritet

Në rast forcash madhore, vendin e punëdhënësit të parë mund ta zërë një i dytë. Punëdhënësi dhe punonjësi duhet të nënshkruajnë patjetër kontratën e qëndrimit. Udhëzimet e fundit të ministrisë së Brendshme

Romë, 5 dhjetor 2012 – Familjet, ndërmarrjet dhe punonjësit që i janë futur rrugës së legalizimit do të arrijnë objektivin vetëm kur të thirren nga Sportelet unike për Imigracionin për të nënshkruar kontratën e qëndrimit. Punëdhënësit do të shmangin kështu sanksionet e parashikuara për ata që punësojnë imigrantë të parregullt, dhe këta të fundit do të fusin më në fund në xhep të shumëdëshiruarën leje qëndrimi për punë.

Por çfarë ndodh nëse marrëdhënia e punës ndërpritet para thirrjes në Sportelin Unik? Kësaj pyetjeje i është përgjigjur dje me një qarkore ministria e Brendshme që jep zgjidhje sipas rasteve.

Marrëdhënia e punës mund të përfundojë për forca madhore, për shembull sepse vdes personi për të cilin po merrej kujdestarja, apo mbyllet ndërmarrja që po kërkonte legalizimin e punonjësit. Në këto raste, në çastin e thirrjes në Sportelin Unik do të lejohet që “punëdhënësi të zëvendësohet me një pjesëtar të familjes së personit që ka vdekur apo me ndërmarrjen e re që mund të ketë blerë apo zëvendësuar të parën”, edhe duke modifikuar marrëdhënien e punës, mjaft të përmbushen kriteret e parashikuara me ligj. Nëse zëvendësimi i punëdhënësit nuk është i mundur, punonjësit do t’i lëshohet një leje qëndrimi për pritje punësimi.

Nëse motivet për të cilat ndërpritet marrëdhënia e punës janë të tjera, punëdhënësi dhe punonjësi duhet të paraqiten sidoqoftë në Sportelin Unik dhe të nënshkruajnë kontratën e qëndrimit për periudhën përkatëse të punësimit efektiv.familja apo ndërmarrja duhet gjithashtu të derdhin kontributet për kohëzgjatjen efektive të marrëdhënies së punës e sidoqoftë për të paktën gjashtë muaj.

Vetëm pasi të jetë firmosur kontrata e qëndrimit, e të jetë formalizuar marrëdhënia e punës, punëdhënësi nuk do të mund të ndëshkohet për veprat penale dhe shkeljet aadministrative që ka kryer duke punësuar një imigrant të parregullt. Edhe në këtë rast, i huaji mund të kërkojë lëshimin e një lejeje qëndrimi për pritje punësimi.

Parashikohet arkivimi i ndjekjeve penale dhe administrative në ngarkim të punëdhënësit edhe nëse në Sportelin Unik paraqitet vetëm ai. Ministria e Brendshme kujton se, deri në mbylljen e procedurës së legalizimit, punonjësit e huaj nuk mund të punësohen nga punëdhënës të ndryshëm nga ata që kanë paraqitur kërkesën e legalizimit.

Së fundi, mund të ndodhë që të ketë punëdhënës që “të mos njohin atësinë” e kërkesës, me fjalë të tjera të mos kenë qenë ata që e kanë paraqitur. Ministria e Brendshme shpjegon se në  këtë rast punëdhënësit duhet të shkojnë në Polici ku të bëjnë padi për “vjedhje të identitetit” dhe të paraqesin padinë në Sportelin Unik të Imigracionit. Në këto raste praktika do të mbyllet.

Elvio Pasca

Sanatoria. Mundësia e fundit për kë ka paguar 1.000 euro, por nuk ka paraqitur kërkesën

Shqipëria akoma më e korruptuar se një vit më parë