in

Saviano: “Shqiptarë, ruajuni Italisë”

Roberto Saviano, shkrimtari i Gomorrës, në një intervistë të gjatë dhënë Rudina Xhungës për emisionin Shqip, ka folur gjerë e gjatë për marrëdhëniet Itali-Shqipëri, për marrëdhëniet mes mafies shqiptare dhe asaj italiane, për përpunimin e plehrave italiane në Shqipëri, por edhe për UÇK-në, për politikën shqiptare, për krizën e protestat e fundit në Shqipëri. Ka folur gjithashtu për situatën italiane, për Berlusconin si dhe për suksesin e programit “Vieni via con me” që ideoi dhe drejtoi bashkë me Fabio Fazion, monologët e të cilit sot janë botuar në një libër me të njëjtin titull që do të dalë në librari më 2 mars 2011.

Romë, 1 mars 2011 – Në emisionin e mbrëmshëm të Rudina Xhungës në Top-Channel, Roberto Saviano prek tema delikate  politike dhe sociale të Shqipërisë dhe Italisë.

Para së gjithash ai u bën apel shqiptarëve t’i ruhen Italisë, plehrave të saj:  “Këshilla që do t’i jepja publikut shqiptar, është: Kujdes! Çdo minierë do t’ju shndërrohet në një vendshkarkim mbeturinash, çdo fabrikë e braktisur do t’ju shndërrohet në një magazinë plehrash. Italia po sheh (dhe jo vetëm Italia mafioze) në hapësirën shqiptare një biznes për mbeturinat. Sa më shumë dëshirë ka për të bërë biznes nga ana e shqiptarëve, aq më i lartë është rreziku gjeografik, biologjik, natyror për Shqipërinë. Kështu që ky operacion, nëse nuk kontrollohet, pas pesë vjetësh ne do të takohemi përsëri dhe do të themi se si vallë periferitë e qyteteve shqiptare, fshatrat shqiptare janë plot me mbeturina toksike, mbeturina italiane, mbeturina ballkanike. Pra, bëni shumë kujdes! Cikli i mbeturinave, nëse është i qartë, i kontrolluar në çdo kalim të tijin, mund të shndërrohet në një biznes për kombin shqiptar. Por nëse nuk është i kontrolluar, rrezikon të bëhet një gropë që duhet mbushur me mbeturina legale. Kështu që bëni kujdes me këtë që po ndodh! Ky është hapi i parë për të bërë që të ndodhë në Shqipëri, jo thjesht ajo që po ndodh në Napoli, por për ta mbushur pjesën që nuk shihet, fshatrat, guroret, minierat e braktisura, për t’i mbushur të gjitha këto me plehra dhe për t’i sjellë fitime atij që ndërmjetëson në këto transporte”.

Shkrimtari italian, njohës i mirë i Camorra-s nopolitane dhe i mafies italiane në përgjithësi, flet gjerë e gjatë edhe për mafien shqiptare që për të “nuk është më një mafie e huaj”. Flet për lidhjet mes saj dhe mafies italiane: “Mafia shqiptare nuk ka më asgjë të largët. Mafia shqiptare flet italisht, ndjek logjikat italiane, është tërësisht e brendshme në organizatën italiane. Jam i bindur se, ose i jepet fund me këtë heshtje para krimeve, që e ka pak kultura shqiptare, intelektuale, domethënë të ndjerit i lënduar, i fyer kur të flasin për këto gjëra. Për të marrë një shembull praktik: gazetat shqiptare, revistat televizive shqiptare duhet t’i hapin të përditshmet e tyre me lajmin e hetimeve që ndodhin në Itali, kur aty ka shqiptarë të përfshirë, sepse të lejon të kuptosh më shumë. Kur Prokuroria e Kozencës tregon se Ndrangheta dhe mafia shqiptare janë strukturuar tashmë në një organizatë të vetme, ky lajm që duhet të hapë revistat televizive, s’ekziston. Vetëm shkruhet sikur lajmi ka të bëjë me pesë gangsterë të izoluar. Jo, jo, jo, nuk mund të mendohet kështu. Edhe femrat shqiptare, për shembull, në krahasim me dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më parë, janë më pak të pranishme në tregun e prostitucionit, kjo ndodh ngaqë kanë ardhur rumunet dhe organizatat shqiptare janë bërë më të pasura. Kështu që organizatat shqiptare, nëse munden, e shmangin të qëndrojnë në kuadrin e prostitucionit dhe qëndrojnë në kuadrin e narkotrafikut. Shqiptarët, për shembull, sot e administrojnë prostitucionin, më shumë sesa nxjerrin në rrugë shqiptaret, siç ndodhte deri dje. Dhe meqë për fat të keq ka ende prostituta shqiptare, janë sidoqoftë të organizatave më të brishta, sipas këndvështrimit tim. Sot është në dorë të rumunëve. Shpesh rumunët komandohen nga shqiptarët”. Analizon lidhjet mes mafies dhe politikës: “Nuk është se italianët mund të flasin apo të bëjnë hetime mbi qeverinë shqiptare. Por kontaktet janë jashtëzakonisht të shumta. Më kujtohet Lelo Amato. Lelo Amatoja ishte një drejtues i kartelit të Sekondiljanos në Napoli. Dy herë ka qenë i përzier me shqiptarët. Ai konsiderohet një perandor i vogël, në Spanjë dhe në Shqipëri. Sot është në burg në Itali. Ai u ngatërrua dy herë me shqiptarët. Herën e parë trafikonte hashash, madje me djalin e një ambasadori, unë e përmend te “Gomorra”, me djalin e një ambasadori shqiptar në Itali. Ky djalë e ndihmonte të trafikonte, po flasim për fundin e viteve ‘90, të trafikonte hashash midis Italisë dhe Shqipërisë. Herën e dytë, madje u hap një hetim, që bashkonte kartelet shqiptare, kartelet puljeze dhe kartelet napoletane. Dhe ai në Shqipëri shkonte vazhdimisht, duke blerë toka, duke blerë magazina, duke administruar kamionë. Ja, prandaj them që me siguri politika shqiptare ka kontakte… nuk mund të mos flasë me mafien. Nuk mund të mendohet! Nuk mund të mendohet! Kodet e Kanunit, që të kuptohemi, janë shumë magjepsës për intelektualin italian që studion këto gjëra, por në fakt për mafien është diçka tjetër. (…) Të respektosh, kur është e rëndësishme, disa çaste, domethënë disa rituale, disa rrugë, është e rëndësishme në kodin e mafies. Kjo i krijon siguri italianit që trafikon me një mafioz shqiptar. Edhe në çështjen politike, në muajt e ardhshëm, nëse qeveria shqiptare do ta lejojë dhe nuk do ta persekutojë prokurorinë, jam i bindur që do të dalin shumë gjëra. Do të dalin shumë gjëra, sepse pushteti shqiptar, të cilin unë e studioj që këtej, pushteti i mafieve shqiptare është eksponencial. Nuk është se nga intervista e fundit kam parë ndonjë ndryshim. Përkundrazi, kam parë prokurorë guximtarë të izoluar, gazetarë të guximshëm të izoluar, policë guximtarë që shmangen, por një det me korrupsion”.

Por a duhet konsideruar e gjithë politika shqiptare e qelbur? “E kam menduar edhe unë në shumë faza të jetës sime. – shpjegon Saviano këtë konsiderim që mund të bëjë shumëkush – Por të mendosh kështu, është një mënyrë për t’i dhënë hapësirë politikës më të keqe. Të thuash se gjithçka është njësoj, të mos kuptosh ndryshimet, është një gjest antidemokratik. Nuk është e vërtetë, demokracia është ndryshim. Mbase ka shumë politikanë të paaftë, por jo të gjithë janë hajdutë. Dhe ky është një ndryshim ndërkaq. Të arrish të thuash se gjithçka është një neveri, është një mënyrë për të legjitimuar cilindo. Sepse në atë pikë justifikon më dinakun, më të pamëshirshmin, atë që ka më pak rregulla, atë që ka më pak skrupuj”.

I pyetur për krizën politike, protestat dhe të vrarët e janarit, Saviano rrëfen se e ka ndjekur me kujdes dhe shpjegon që “më bëri shumë përshtypje. Mendoj se është një moment i vështirë që do të çojë në një ripërtëritje. Dhe jam i bindur se demokracia shqiptare nuk do të mundë dot kurrë të mbërrijë në pjekuri, pa u çliruar nga spektri i mallkuar i komunistëve, nuk do të mundë dot kurrë të mbërrijë në pjekuri nëse nuk përballon dhe nuk ndalon problemin mafioz. E njëjta gjë ndodh në Malin e Zi, që të kuptohemi. Është një situatë shumë e ndryshme, por totalitarizmi komunist ka një vazhdimësi te mafiet: monopoli, frika nga kontrolli, nga dhuna dhe nga balta. Kështu që po u referohesha dokumenteve të shërbimeve të fshehta shqiptare që nuk janë më të sekretuara. Nuk e di, me siguri duhet të ketë ndonjë kërkues që po i studion dokumentet e Sigurimit, por i ftoj vëzhguesit shqiptarë t’i studiojnë ato dokumente, sepse vërtetojnë zyrtarisht marrëdhëniet midis Kamorrës dhe shtetit shqiptar, para rënies së regjimit komunist. (…) Por kur regjimi ra, ata i kishin ndërkaq të gjitha pikat e referimit atje, sepse ata gjeneralë, ata ambasadorë, ata funksionarë komunistë pastaj u bënë demokratë, dhe në atë pikë u dhanë lejet për të hapur fabrikat, mundësinë për të investuar në banka”.

Libri i ri i Roberto Savianos, nga 2 marsi 2011 në librari
Gjatë intervistës, Saviano shpjegon edhe qëndrimin e tij ndaj Berlusconit: “Më shumë se të luftoj Berluskonin, jam përpjekur të mbroj gjykatësit e Milanos që po hetojnë mbi një ngjarje që ka të bëjë me Berluskonin, domethënë shpërdorim detyre dhe nxitje për prostitucion të të miturve. Jam përpjekur t’i mbroj në rrafshin simbolik këta tre gjykatës, sepse në Itali ka pasur një sulm frontal ndaj drejtësisë. Qeveria apo njerëzit afër qeverisë, përpiqen t’i paraqesin gjykatësit, si gjykatës politikë. Hetimin si një vendim politik, ideologjik, jo si një hetim gjyqësor që lidhet me një krim të mundshëm. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse, nëse gjykata është me të vërtetë politike, Berluskoni duhet të marrë qëndrim, them në kuptim ushtarak, do të thotë se ka një grusht shteti. Nëse, në të kundërt, Berluskoni po e minon demokracinë, sepse deligjitimon gjykatën, nuk mund të jetë më kryetari i qeverisë (…), Kush kalon nëpërmjet përzgjedhjes seksuale të Berluskonit ka një rol në botën artistike, televizive dhe e gjithë kjo ushqen shantazhe që e kushtëzojnë politikën italiane, sepse Berluskoni është nën shantazh nëse shohim këto hetime. Është dhe diçka tjetër. Këto femra janë të paguara. Kështu që, në një farë mënyre përjetojnë edhe një farë nxjerrjeje të një deponimi me dhunë, që nuk ka të bëjë më me kënaqësinë e të dëfryerit apo të të ndenjurit bashkë, siç kërkon të na e hedhë Berluskoni. Sot Italia ndodhet në një kaos të stërmadh, për shkak të kësaj ngjarjeje, sepse Berluskoni kërkon të na bëjë të mendojmë se kushdo që vendos të bëjë dashuri, të ketë një të dashur, një të fejuar apo çfarëdo, mund të hetohet. S’ka të bëjë asfare me gjithë këtë. Është një sistem përzgjedhjeje dhe shantazhi”.

Lexo intervistën e plotë të Roberto Savianos dhënë gazetares Rudina Xhunga për Shqip

 

Flukset 2010: Gjatë shkurtit mbi 411 mijë kërkesa

Intelektualët: “Ndalni regjistrimin e popullsisë sipas etnisë dhe fesë”