in

Scanderbeg e Parmës vazhdon “Javën e Kulturës Shqiptare”

Tetë takime të shpërndara në tërë muajin nëntor për të festuar përvjetorin e Pavarësisë dhe atë të Çlirimit. Shoqata Scanderbeg vazhdon traditën e saj nëntëvjeçare

Edhe pse nga festat e 28-29 nëntorit na ndajnë akoma dy javë, shoqata shqiptare Scanderbeg ka nisur tashmë festimet edhe për këtë vit. Ajo që quajnë “Java e kulturës shqiptare” është një program i pasur aktivitetesh festive me karakter letrar, historik, kulturor e sportiv, që po mbahen nga 8 nëntori e do të përfundojnë më 29, që kanë për qëllim t’u ofrojnë qytetarëve të Parmës e shqiptarëve që jetojnë në zonë një mundësi njohjeje e shkëmbimesh të mëtejshme.

Takimi i parë i “Javës së Kulturës Shqiptare” u mbajt të shtunën më 8 nëntor. Quhej

“SMILE – Scoprendo ‘Shqipëria’” dhe u dedikohej më të vegjëlve. Në bibliotekën ndërkombëtare të Parmës “Ilaria Alpi”, fëmijët e shkollës shqipe Scanderbeg e miq të tyre italianë ndoqën me interes “Legjendën e shqiponjës” të rrëfyer nga Bora Myrtaj, apo laboratorin e përgatitur nga Elvira Lashi mbi gjeografinë. Bashkë me të rriturit u njohën me librat në gjuhën shqipe të pranishëm në bibliotekë për të cilët u foli një punonjëse e “Ilaria Alpit”. Me këtë rast, Shkolla Shqipe Scanderbeg e Parmës i ka dhuruar disa libra të rinj autorësh shqiptarë bibliotekës duke pasuruar sektorin e saj në gjuhën shqipe.

Takimi i dytë do të mbahet më 22 nëntor në orën 15, kur do të përurohet ekspozita e mjeshtrit Ibrahim Kodra. Scanderbeg në bashkëpunim me Fondacionin Ibrahim Kodra të Milanos ka mundësuar organizimin e ekspozitës që do të qëndrojë hapur deri më 30 nëntor.

Të dielën, më 23 nëntor nga ora 10 do të mbahet “Tolerancë dhe bashkëbisedim – Sporti bashkon”, turneu i futbollit i organizuar nga ASD Scanderbeg në të cilin marrin pjesë disa skuadra të komuniteteve të huaja të pranishme në Parma.

Të martën, më 25 nëntor, nga ora 10.30 është radha e “Noi parliamo Danza”. Të rinjtë e grupit “Scanderbeg Danza” do t’u mësojnë nxënësve të institutit Giuseppe Micheli valle e muzikë popullore shqiptare.

Të mërkurën më 26 nëntor, në orën 17.30, “TRID C’ME L’ALBANIA”. Ky i këtij viti është edicioni i pestë i takimit gjatë të cilit qytetarë të Parmës tregojnë si e kanë njohur Shqipërinë. Në vazhdim do të prezantohet udhërrëfyesi “Tirana e Albania”e Benko Gjatës dhe e Francesco Viettit (Morellini editore).

Takimi i gjashtë i “Javës së Kulturës Shqiptare” do të jetë më 27 nëntor në orën 17.00, “Patrizia Vinicelli – La poesia e l’azione”. Biblioteka “Ilaria Alpi” në bashkëpunim me forumin e nxënësve Scanderbeg do të paraqesin “La poesia e l’azione” të Patrizia Vicinellit, një figurë pak e njohur, edhe pse shumë e rëndësishme në panoramën letrare italiane.

Të premten më 28 nëntor, në orën 17, “I parmigiani nella liberazione dell’Albania”. Me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit, shoqata Scandebeg do të kujtojë qytetarët e Parmës që kanë luftuar e janë dalluar në Luftën nacional-çlirimtare të Shqipërisë nga nazifashistët, me dhënien e një “Pllake mirënjohjeje” ANPI-t (shoqata kombëtare e partizanëve të Italisë) të Parmës. Mbrëmja do të vazhdojë me prezantimin e materialit audioviziv “Nga pushtues në çlirimtarë”.

Së fundi, më 29 nëntor, nga ora 20, do të shtrohet darka e përvitshme e anëtarëve të shoqatës dhe miqve të saj. Gjatë mbrëmjes do të jepet edhe çmimi i parë i konkursit të poezisë “Zanafilla 2014”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)
Ja programi i plotë me oraret dhe adresat e çdo aktiviteti (shtyp mbi imazh për ta zmadhuar):

 

Nicole Kidman, në përurimin e kanalit Agon Channel Italia

Trova a terra e restituisce 4 mila €. La lezione di onestà dell’immigrato disoccupato