Sipërmarrësi Andrea Calevo i është kthyer tashmë familjes e punës së tij. Për pengmarrjen e tij për dy javë janë arrestuar Pierluigi Destri dhe nipi i tij Davide Bandoni, si edhe dy shqiptarë Fabjon Vila dhe Simon Halilaj. Hetuesit po kërkojnë dy shqiptarë të tjerë që kanë marrë pjesë aktive në sekuestrimin e Calevos dhe që tashmë mund të jenë në Shqipëri
Romë, 3 janar 2013 – I liruar më 31 dhjetor nga forcat e rendit, Andrea Calevo iu kthye dje ndërmarrjes së tij me shpresën që “të harrojë sa më shpejt këtë histori”.
Sipërmarrësi 31 vjeçar nga Lerici në krahinën e Ligurias u sekuestrua darkën e 16 dhjetorit në shtëpi të tij përpara syve të tmerruar të të ëmës që jeton me të. Më 21 dhjetor familjes i mbërrin kërkesa e pengmarrësve: 8 milionë euro në këmbim të lirimit të Calevos. Sipërmarrësi u lirua falë operacionit të policisë e të karabinierëve paraditen e 31 dhjetorit, kur e gjetën me këmbë e duar të lidhura në bodrumin e një vile në zonën industriale të Sarzanës, pak kilometra larg Lericit ku 31-vjeçari u sekuestrua.
Kjo është me pak fjalë rrjedha e ngjarjeve që tronditi Ligurian në këtë prag festash dhe që deri tani ka çuar në burg katër persona. Të arrestuarit janë pronari i vilës ku Calevo u gjet, 70 vjeçari sipërmarrës ndërtimi Pierluigi Destri, nipi i tij 23 vjeç Davied Bandoni dhe dy të punëtorë shqiptarë, Fabjan Vila 20 vjeç dhe Simon Halilaj 26 vjeç.
Nga marrja në pyetje e të pandehurve, dhe veçanërisht nga rrëfimi i Halilajt, i vetmi që ka vendosur të bashkëpunojë, forcat e rendit janë vënë në kërkim edhe të dy personave të tjerë. Emrat e këtyre dy të fundit nuk bëhen të ditur – edhe pse mund të jenë identifikuar – por thuhet vetëm që edhe ata janë shqiptarë.
Sipas forcave të rendit dhe të drejtësisë që po hetojnë mbi ngjarjen, kanë qenë tre shqiptarët, Halilaj e dy të tjerët në kërkim, ata që fizikisht kanë marrë peng sipërmarrësin, ndërsa kreu i bandës, ai që ka ideuar sekuestrimin, është 70-vjeçari Destri. Sipas lajmeve më të fundit dy shqiptarët e kërkuar mund të jenë kthyer në Shqipëri dhe për kapjen e tyre është e nevojshme ndërhyrja e Interpolit dhe e policisë shqiptare. Ndërkaq pritet të sqarohet diçka më shumë edhe nga armët e gjetura në bodrumin e vilës së Destrit: një pistoletë Glock lodër e modifikuar që qëllon edhe me plumba të vërtetë dhe një çifte e kalibrit 12. Armët tashmë janë çuar në Parma me shpresën që aty të gjejnë ndonjë shenjë gishtërinjsh.
Çasti i lirimit të sipërmarrësit