Më 26.10.2019 u mbajt në Berlin konferenca e parë mbi studimet shkencore tematike për Kosovën dhe Shqipërinë
Kjo konferencë u organizua nga Organizata e studentëve dhe ish studentëve shqiptarë – OASA në Berlin, gjithashtu edhe me pjesëmarrjen e Forumit Albanians for EU, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Berlin.
Objektivi i konferencës ishte informimi mbi çështjet që lidhen me perspektivat për Shqipërinë e Kosovën dhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Tematikat kishin natyrë teknike dhe shkencore.
Anëtarët e OASA-s – disa prej të cilëve referuan në konferencë – kanë kryer o vazhdojnë disiplina të ndryshme universitare. Kanë prejardhje nga shtete të ndryshme të Ballkanit Perëndimor por janë shqipfolës dhe jetojnë në Berlin. OASA promovon arsimin e lartë, mirëkuptimin mes popujve, shkëmbimin mes studentëve dhe ish studentëve, por mbi të gjitha, ndërton ura mes Gjermanisë dhe vendlindjes e anëtarëve të saj.
Konferenca u organizua edhe me bashkëpunimin e forumit “Albanians for EU”, themeluar nga Diaspora e Italisë. Forumi ka 2 objektiva kryesore: 1) të informojë shqiptarët mbi procesin e hyrjes në Bashkimin Evropian por edhe të informojë mbi fondet e BE-së; 2) të rrisë imazhin e shqiptareve dhe vlerën e shtuar që Shqipëria ka për të hyrë në Bashkimin Evropian.
Tematikat që u trajtuan në konferencën e organizuar nga shoqata OASA-s në Berlin, që fokusoheshin kryesisht mbi tematikat dhe sfidat aktuale me të cilat Shqipëria dhe Kosova përballen, ishin:
I. Mësimi i gjuhës shqipe në Gjermani dhe roli i tij – Muhamet Idrizi (OASA, Hamburg);
II. Dialogu Kosovë-Serbi nga perspektiva e kushtetutës së Republikës së Kosovës: kushtet, efektet juridike dhe rreziqet – Durim Berisha (Düsseldorf);
III. Roli i grupeve të interesit në Shqipëri në procesin e vendimarrjes politike – Bledar Milari (Bochum);
IV. Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së: mundësitë dhe sfidat – Ela Daci (Romë, Itali);
V. Sistemi bankar dhe financiar në Shqipëri – Eda Meta (OASA, Berlin);
VI. Reforma në drejtësi në Shqipëri: shpresat, sukseset dhe sfidat – Kristi Vako (OASA, Berlin);
VII. Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë me këndvështrim për (mos)hapjen e negociatave me BE-në – Henri Haxhiraj (OASA, Berlin);
VIII. Teknologjia si ndihmë për themelimin e një rrjeti të Diasporës në Europë – Ermir Lushnjari (Milano, Itali);
Me bindjen se Diaspora mund të ri-energjizojë dhe ripërtërijë Ballkanin Perendimor duke sjellë përvojë, aftësi, talent, njohuri, është e udhës që konferenca të tilla por me tematika të ndryshme, të bëhen çdo vit. Në mënyrë që jo vetëm të studiohen tematikat dhe problemet e rajonit por edhe të sillen zgjidhje. Kontributi i diasporës është një çelës kyç mbi zhvillimin e rajonit.