in

ShBA Kasaphanë në shkollë Fillore. Vriten 26 vetë, nga të cilët 20 fëmijë

Vrasësi  është 20-vjeçari Adam Lanza. Vret në fillim të ëmën në shtëpi  e më pas fëmijët e shkollës ku ajo punonte.
Obama i përlotur: “Një akt i tmerrshëm. Kemi përjetuar shumë tragjedi si kjo. Duhet të angazhohemi që një gjë e tillë të mos ndodhë më”

Romë, 15 dhjetor 2012 – Vrasësi i shkollës fillore, “Sandy Hook” të Newtown në Connecticut, në verilindje të SHBA-së, është 20vjeçari Adam Lanza. E pohojnë mediat amerikane sipas burimeve të policisë. Lanza, ka hyrë në shkollë me një jelek anti-plumb i armatosur me dy pistoleta – një Glock dhe një Sig Sauer që janë gjetur në vendngjarje dhe një pushkë të kalbrit 223. Duket se ka nisur të qëllojë në një nga klasat e fëmijëve më të vegjël duke masakruar fëmijët dhe të gjithë mësuesit që ndërhynin për ta ndaluar, mes këtyre edhe psikologen dhe drejtoreshën e shkollës.

Gjithçka ka nisur rreth orës 9.30 dhe televizionet lokale kanë ndjekur në kohë reale dinamikën e ngjarjeve me anë të xhirimeve nga lart në helikopterë. Me shpejtësi janë përhapur në mbarë botën imazhet e nënave me fytyrat të tmerruara nga frika e tensioni, të qindra nxënësve që bërtasin e qajnë të trembur teksa i largojnë me nxitim nga shkolla.

Janë të paktën 26 persona, nga të cilat 20 fëmijë me moshë nga 5 deri në 10 vjeç, viktimat e kësaj masakre të mirëfilltë në shkollën fillore “Sandy Hook”. Vrasësi, Adam Lanza ka vrarë fillimisht të ëmën Nancy, mësuese në këtë shkollë përpara se të ndërmerrte aktin e tmerrshëm në një klasë ku ka mbetur i vrarë edhe vetë. Ende nuk dihet nëse i vrarë nga policia apo i vetëvrarë. Sipas CNN, Nancy Lanza, e ëma e vrasësit, është gjetur pa jetë në shtëpi.

Sipas të vëllait të xhelatit, Ryan Lanza 24 vjeç që po bashkëpunon me policinë, Adam vuante nga probleme mendore.

Gjashtë fëmijë të fshehur në dollapë i kanë shpëtuar kasaphanës

Konsiderohet mrekulli gjetja e gjallë e gjashtë fëmijëve që i kanë shpëtuar marrëzisë vrasëse. I kanë gjetur të fshehur në dollapë të shkollës ku 20 shokë të tyre lanë jetën nën plumbat e Lanzas.

Obama i tronditur: “Të ndalojmë me çdo kusht që ngjarje të tilla të ndodhin sërish”

Presidenti amerikan Barack Obama në lidhje të drejtpërdrejtë televizive, duke folur mbi masakrën nuk ka mundur të fshehë lotët. “Duhet të bashkohemi të gjithë e të ndërmarrim masa për të ndaluar që ngjarje të tilla të ndodhin sërish” ka pohuar. “Nuk flas si president por si prind, veçanërisht sot” ka shtuar duke kujtuar fëmijët të gjithë me moshë nga 5 në 10 vjeç që “kishin gjithë jetën përpara, dhe mësuesit e tyre që u kanë përkushtuar jetën. “Zemrat tona janë sot të dërrmuara. Është ora të marrim masa”. “Vendi ynë ka përjetuar shpesh tragjedi të tilla” ka thënë Obama që ka ndaluar shpesh për të fshirë lotët.

Presidenti ka vendosur për uljen e flamurit në gjysmështizë në Shtëpinë e Bardhë, në të gjitha ndërtesat publike dhe ushtarake dhe në të gjitha përfaqësitë diplomatike amerikane deri në mbrëmjen e të martës 18 dhjetor.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut: “Të vendosur kundër armëve”

Michael Bloomberg, kryebashkiaku i Nju Jorkut, i shprehur gjithnjë kundër armëve që në Amerikë merren me lehtësi, ka humbur durimin: “Kemi dëgjuar që ishte tepër herët për të folur për reformën e ligjeve mbi armët pas ngjarjeve në Columbine, Virginia Tech, Tucson e Aurora. E dëgjojmë akoma sot. Por çdo ditë që kalon në Amerikë vriten me armë zjarri 34 persona, e shumë prej tyre sot ishin vetëm 5 vjeç”.

Leggi anche: Da Batman a Columbine, lunga scia di sangue in Usa

Da Batman a Columbine, lunga scia di sangue in Usa

Olen Cesari në Shqipëri për versionin rrok të himnit të Europës