in

Shkolla shqipe “Scanderbeg Parma”, ja si funksionon

Scanderbeg e Parmës vë në dispozicion të shoqatave të tjera përvojën e suksesshme gjashtëvjeçare të mësimit të shqipes dhe njohurive bazë të kulturës, artit, historisë, gjeografisë e traditave shqiptare

Si u mësohet shqipja e disa njohuri të përgjithshme mbi kulturën, artin, historinë e gjeografinë e Shqipërisë fëmijëve të imigrantëve? Çfarë duhet të parashikojë një program pak a shumë i plotë shkollor? Në ç’moshë mund të çohen fëmijët në një kurs apo shkollë të tillë?

Këto e shumë të tjera u drejtohen organizuesve të Shkollës Shqipe Scanderbeg Parma – që tashmë ka hapur regjistrimet për të shtatin vit radhazi – nga shoqata të tjera e persona të interesuar që të hapin shkolla të ngjashme edhe në qytete të tjera të Italisë.

“Pikërisht për t’u dhënë një përgjigje sa më të gjerë të gjithëve – tregon për Shqiptariiitalise.com Durim Lika, një nga themeluesit e shkollës Scanderbeg – menduam të japim një pasqyrë sa më të detajuar të vitit të shkuar shkollor”.

Duke e konsideruar shkollën shqipe “Scanderbeg Parma” si një realitet të vyer e shembullor për të tjera shoqata, botojmë me kënaqësi përmbledhjen e organizimit të vitit shkollor 2014-2015 në të:

Shkolla shqipe “Scanderbeg Parma” është themeluar në tetor 2009 dhe është pjesë e shoqatës “Scanderbeg Parma”. Kjo shkollë për të gjashtin vit radhazi përfundoi me sukses vitin shkollor 2014-15. Shkolla është falas dhe mësuesit punojnë në mënyrë vullnetare. Orari çdo të diel nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Shkolla financohet nga shoqata, prindërit dhe ndërmarrje të ndryshme shqiptare.

Viti shkollor 2014-15 filloi më 28 shtator 2014 dhe përfundoi më 31 maj 2015. Gjatë vitit  shkollor 2014-15 mësimi u zhvillua në tre grupe:

Parashkollorët:  rreth 3-4 nxënës me moshë nën 6 vjeç. Zakonisht janë marrë me ngjyrosje materialesh në lidhje me gjuhën dhe kulturën shqiptare në të njëjtën klasë me ciklin e ulët.

Cikli i ulët: Orë mësimi 70 Numri i nxënësve:  12, nga të cilët 8 vajza dhe 4 djem Lënda: Abetarja, Muzika kostumet dhe traditat shqiptare.

Grupi i përparuar: Orë mësimi: 70 Numri i nxënësve: 18, nga të cilët 10 vajza dhe 8 djem Lëndët: Gjuha shqipe, Letërsia shqipe, Historia dhe Gjeografia shqipe, Muzika kostumet dhe traditat shqiptare.

Stafi pedagogjik vullnetar i  shkollës:

Erlinda Hoxha – Mësuese e ciklit të ulët;
Durim Lika – Përgjegjës i shkollës, mësues i lëndëve histori dhe gjeografi shqipe;
Mimoza Cerri – Mësuese e letërsisë shqipe;
Aurela Lashi – Mësuese  e ciklit të ulët;
Sonila Otobashi – Mësuese e gjuhës shqipe;
Elvira Lashi – Mësuese e muzikës, kostumeve dhe traditave shqiptare.

Mësuesit e shkollës shqipe

Përfaqësues të prindërve:

Brikena Neziri dhe Shpresim Tuga

Baza materiale:

Për blerjen dhe transportin e librave nga Shqipëria kontribuan: Isi Ademi, Fundim Gjepali, Altin Prenga, Tonin Bajraktari, Artan Qatani, Fabjan Lashi dhe Lavdi Shahini dhe prindërit.

ÇFARË MËSUAN NXËNËSIT GJATË VITIT SHKOLLOR 2014 -2015

Parashkollorët
U njohën me simbolet kombëtare shqiptare duke i vizatuar ato, dëgjuan dhe shikuan nxënësit më të rritur gjatë mësimeve, kënduan dhe recituan bashkë me nxënësit e tjerë dhe tani janë të gatshëm të fillojnë vitin e ri shkollor si cikël i ulët.

Cikli i ulët
Mësuan lëndën e abetares shkronjë pas shkronje, mësuan të lexojnë, të recitojnë dhe këndojnë pjesë patriotike dhe himnet e flamurit shqiptar dhe italian, mësuan kostumet, këngët dhe traditat shqiptare. Bashkë me nxënësit e tjerë morën pjesë në aktivitete të ndryshme të shkollës dhe shoqatës.

Grupi i përparuar

Gjuha shqipe: Në lëndën e gjuhës shqipe nxënësit mësuan tema nga libri “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare” volumi 1 dhe volumi 2, nga leksione të përgatitura nga mësuesja e lëndës, argumente si emri, mbiemri, përemrat vetorë, përemrat pronorë etj.

Letërsi shqipe: Në lëndën e letërsisë shqipe përveç librave të sipërpërmendur  nxënësit  u njohën me shkrimtarë nga trevat shqiptare si Andon Zako Çajupi, Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Migjeni, Ndre Mjeda, Dritëro Agolli, Agim Vinca, Kim Mehmeti, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Basri Çapriqi, Din Mehmeti etj. Mësuan “Ti Shqipëri më jep nder” të Naim Frashërit, Himnin e Flamurit të Gjergj Fishtës, Fjalë të urta nga trevat  shqiptare dhe rrëfenjën “Ne qenkemi vëllezër”

Histori dhe Gjeografi të Shqipërisë: Gjatë vitit shkollor nxënësit u njohën me prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët,  me fiset ilirë dhe historinë deri në ditët e sotme. Mësuan datat kryesore historike të kombit shqiptar, historinë e Skënderbeut, Rilidasit, lidhjen e Prizrenit, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës etj. Në gjeografi mësuan për sipërfaqen, popullsinë, malet, fushat, lumenjtë, liqenet, ishujt , qytetet kryesore të Shqipërisë dhe Kosovës. U njohën me hartën e Shqipërinë etnike, mësuan se pse flitet shqip në këto troje dhe pse jemi të ndarë.

Muzika kostumet dhe traditat shqiptare: Nxënësit e grupit të përparuar dhe atyre të ciklit të ulët mësuan simbolet e kombit shqiptar, u njohën me veglat muzikore dhe tipologjinë e tyre të trevave shqiptare, u njohën me kostumet tipike të këtyre trevave veçanarisht me xhubletën, fustanellën dhe plisin. Mësuan himnin e flamurit shqiptar dhe italian, këngën e alfabetit, këngën e mësuesit dhe këngën e nënës.

Gjatë gjithë vitit nxënësit  tanë kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore, artistike, patriotike dhe sportive të organizuara nga shkolla shqipe, nga shoqata Scanderbeg dhe degët e saja.

Aktivitete e Shkollës gjatë vitit 2014-2015 (duke shtypur në emrin e veprimtarisë gjeni edhe albumin fotografik):

Ceremonia e hapjes së vitit të ri shkollor 2014-15 – E diel 28 shtator 2014
Smile – Scoprendo l’Albania (Buzëqeshje – Zbulojmë Shqipërinë) –  Aktivitet në bashkëpunim me bibliotekën e Parmës me rastin e hapjes së “Javës së kulturës shqiptare” – Nëntor 2014
Vizita e kryetarit të fondacionit “IBRAHIM KODRA”, zotit Fatos Faslliu – 23 Nëntor 2014
Vizitë e televizionit shtetëror TVSH me gazetarin Agron Bala – 30 Nëntor 2014
Gëzuar Vitin e Ri 2015 me shkollën shqipe në Parma – 28 Dhjetor 2014
Giornata della Memoria (Dita e kujtesës) – 24 janar 2015
Punim nga nxënësja e shkollës sonë me origjinë italiane Bianca Laura Perlini
Pavarësia e Kosovës – Leksion i hapur – 17 shkurt 2015
Festa e Karnevaleve në Parma – 24 Mars 2015
Festa e 1 Qershorit:  31 Maj 2015

Në faqen facebook të Shkollës shqipe “Scanderbeg Parma” mund të lexoni të plotë:
Përmbledhje e organizimit të vitit shkollor 2014-2015 në shkollës shqipe “Scanderbeg Parma”

Futboll. Shqipëria bie minutën e fundit, në Elbasan fiton Portugalia

Marshimi i grave dhe i burrave të zbathur, “jemi me ta”