in

Shkolla shqipe Scanderbeg e Parmës rihap dyert për të gjashtin vit

Edhe këtë tetor, falë përkushtimit të anëtarëve të shoqatës Scanderbeg të Parmës, fëmijët e emigrantëve mund të nisin mësimin e gjuhës shqipe e të marrin disa njohuri, nga letërsia e kultura, nga gjeografia e historia, nga zakonet e traditat e vendit tonë

Shoqata Scanderbeg Parma organizoi të dielën ceremoninë e fillimit të vitit të ri 2014-2015 për shkollën shqipe Scanderbeg e cila për të gjashtin vit radhazi hapi dyert për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, kosovarë e maqedonas.

Në një takim, në orën 9:30, prindërit dhe mësuesit diskutuan mbi qëllimet, programin dhe bashkëpunimet e mundshme mes familjeve, mësuesve dhe shkollës shqipe në përgjithësi. Mësuesit pasi u prezantuan paraqitën realitetin e shkollës shqipe me përvojën, vështirësitë e anët e saj të bukura. Më pas u bënë regjistrimet e nxënësve te rinj për këtë vit shkollor.

Mendohet të jenë rreth 20-30 nxënës në nivele të ndryshme. Për nevoja bashkëpunimi dhe për të pasur një urë lidhëse të drejtpërdrejtë me prindërit u zgjodhën edhe dy përfaqësues të tyre, Brikena Neziri Sula dhe Shpresim Tuga, që do të mbështesin shkollën në organizimet e ndryshme gjatë vitit.

Mësuesit që do japin mësim falas për vitin e ri shkollor 2014-15 janë Aurela Lashi Paja (Cikli i ulët), Elvira Lashi Lika (Muzikë, kostume dhe tradita shqiptare), Erlinda Hoxha Pjeçi (Cikli i ulët), Durim Lika (Histori, Gjeografi të Shqipërisë), Mimoza Cerri (Letërsi) dhe Sonila Otobashi (Gjuhë shqipe).

Në orën 11.00 të pranishmit e të ftuarit u mblodhën në ceremoninë e hapjes së vitit të ri shkollor. Ishin të ftuar Ajet Ndreu mësues i gjuhës shqipe për 30 vjet në Shqipëri, i cili edhe në të shkuarën ka bashkëpunuar me shkollën Scanderbeg. Në fjalën e tij përshëndetëse, mësues Ajeti foli për rëndësinë dhe vlerat e larta patriotike që mbart kjo shkollë. Për komunën e Parmës foli Alida Guatri, përgjegjëse e qendrës “Laboratorio Famiglia in Oltretorrente”, në mjediset e të cilës ku zhvillohet shkolla. Guatri foli për bashkëpunimin e institucioneve me shoqatat dhe realitetet e huaja në Parma. Më pas u lexua një përshëndetje e profesorit të gjuhës italiane Giuliano Amadei që theksoi pozitivitetin e të diturit të dy gjuhëve, gjë që jo vetëm nuk e pengon nxënësin në mësimin e gjuhës italiane, përkundrazi e pasuron atë. Më pas Durim Lika përshëndeti të pranishmit në emër të shoqatës “Scanderbeg Parma” dhe paraqiti një përmbledhje multimediale me dëshmi të aktiviteteve të shkollës shqipe në Parma nga themelimi i saj në tetor 2009 deri në qershor të vitit 2014.

Në emër të shoqatës, shkollës dhe të gjithë komunitetit shqiptar në Parma u falënderua iniciativa e blerjes dhe e dërgimit të librave shkollorë nga shoqata “Agora” falë kontributit të Isi Ademit dhe shefave të mirënjohur të kuzhinës Fundim Gjepali dhe Altin Prenga të cilët në mars 2014 gatuan tek restoranti “Mrizi i Zanave” në Lezhë (me pronar shefin Prenga) një drekë bamirësisë pikërisht për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar me libra shkollat shqipe në Itali. Iniciativa u vlerësua nga të gjithë të pranishmit si një shembull pozitiv për të gjithë sipërmarrësit, profesionistët e individët në mundësi për të ndihmuar në mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.

Më pas u falenderuan ish-mësueset e shkollës shqipe, Alma Petja Babamusta, Ardian Rushiti, Anila Kadija, Anora Zuna, Brunilda Xhemo Hoxha dhe Edlira Laçi Ndreu për kontributin e tyre të madh dhe iu dha një certifikatë mirënjohjeje. E pranishme në ceremoni, edhe Anila Kadija e cila pasi mori vlerësime mirënjohjeje nga ish-nxënësit e saj, përshëndeti të gjithë nxënësit dhe kolegët duke u uruar atyre mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor.

Edhe ceremonia e djeshme u mbyll me një banket të vogël të përgatitur si gjithmonë nga prindërit dhe të afërmit e fëmijëve.

Mësimet nisin më datën 5 tetor nga ora 10:00 deri në orën 12:00.

Genova. Vrau të shoqen me thikë: “Mendoja se më tradhtonte sepse nxehej me fëmijët”

Pensioni social në Shqipëri