Janë gjithsej tetë minatorët e plagosur sot në mëngjes në Bulqizë, tre prej të cilëve rrezikojnë humbjen e jetës. Ndërsa 39-vjeçari Naim Shyti u nxor nga galeria i vdekur.
Tiranë, 18 tetor 2011 – Në spitalin ushtarak të Tiranës, ndodhen tre minatorët në gjendje të rëndë. Bazri Toska dhe Hajri Koci prej 5 orësh po i nënshtrohen një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërkohë që Zaim Përkola, i treti minator në gjendje të rëndë, sipas mjekëve është stabilizuar. Pesë minatorët e tjerë, ndryshe nga çfarë u tha fillimisht, gjenden në spitalin e Bulqizës, dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Minatorët e shtruar në spital janë vizituar sot pasdite nga një këshilltar i presidentit Topi, Maksim Cikuli, dhe nga kreu i opozitës Edi Rama që u kanë shprehur mbështetje dhe hidhërimin e tyre për sa ndodhi.
Ndërsa kompania ACR që administron minierën i ka shprehur ngushëllimet familjes Shyti për humbjen e të dashurit të tyre dhe “po merr të gjitha masat për trajtimin shëndetësor të minatorëve të plagosur”.
Edhe krerë të sindikatave kanë vizituar sot në Spitalin Ushtarak tre të plagosurit e Bulqizës. Kreu i konfederatave Kolë Nikollaj në një konferencë për shtyp kërkoi dorëheqjen e Ministrit të Ekonomisë, Nasip Naco pasi ka shpërfillur kërkesat e minatorëve.
Ndërkaq në Bulqizë kërkohet zbardhja e ngjarjes. Ministri i Energjitikës, Nasip Naço mblodhi urgjentisht Shtabin e Emergjencës për të diskutuar rreth shkaqeve të shpërthimit. Me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço u ngrit një grup pune, i drejtuar nga zëvendësministri Nertian Alibali, i cili u nis urgjentisht drejt minierës së Bulqizës.
Në vendngjarje po kryhen verifikimet e nevojshme mbi ngjarjen, përfshirë edhe lejen e kompanisë ARC për ndërhyrjet që ka bërë në galerinë ku ndodhi shpërthimi.