in

Shqipëria e Kosova, pulla postare për shenjtërimin e Nënë Terezës

Shenjtërimi i Nënë Terezës në datën 4 shtator përshëndetet qoftë nga posta shqiptare qoftë nga ajo kosovare me nga një pullë të emetuar në nder të saj

Tiranë, 1 shtator 2016 – Posta Shqiptare ka ekskluzivitetin e emetimit dhe prodhimit të pullës postare shqiptare, nëpërmjet së cilës pasqyron ngjarje të rëndësishme historike, kulturore, sportive, shqiptare apo ndërkombëtare.

Pulla postare për Shenjtërimin e Nënë Terezës është realizuar nga autori Gentjan Gjikopulli, i cili ka përdorur stilin Rilindas Italian me ngjyrat e ngrohta e sfondin e errët, ndërkohë që drita hyjnore bie mbi veshjen e thjeshte të Nënë Terezës duke njëjtësuar këtë akt shenjtërimi si pjesë të Historisë së Artit dhe asaj Botërore.

Kjo pullë është njëkohësisht edhe një vepër artistike e cila vlerëson këtë ditë të shenjtë si një ngjarje shumë të rëndësishme jo vetëm në historinë shqiptare por edhe në atë botërore.

Ndërsa më 16 gusht në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve kushtuar Vitit të Nënës Terezë, është perzantuar pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë” i emetuar nga Posta e Kosovës.

Me këtë rast kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se është nder i veçantë që të respektohet figura e Nënës Terezë. “Mund të them se për Republikën e Kosovës e për gjithë qytetarët e saj është një nder i veçantë që ne të respektojmë një figurë të jashtëzakonshme dhe një humaniste globale siç ishte dhe është Nëna Terezë”, tha Mustafa.

 

“Ndihem i privilegjuar që Filatelia e Postës së Kosovës nga sot pasurohet me këtë pullë postare që është edicion i jashtëzakonshëm dhe i kushtohet një ngjarjeje të jashtëzakonshme për kombin shqiptar siç është Shenjtërimi i Nënës Terezës. – tha drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha – Një nga misionet tona është edhe promovimi i vlerave tona kombëtare, kështu që pulla postare për Nënë Terezën është përmbushje e këtij misioni”.

 

Ndjekje në Kanalin e Otrantos. Ndalohet skafisti shqiptar e sekuestrohen dy motorë uji

Bonus bebe racist. Kryebashkiaku dhe këshilltarët paguajnë dëmet