Me rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës në qendër të Tiranës, 20 shkurti i vitit 1991 ka hyrë në historinë e Shqipërisë si dita kur iu dha shkelmi edhe gurit të fundit të murit tonë.
Atë ditë shkurti, kur në Shqipëri kishte vetëm dy muaj që ishte lejuar pluralizmi politik dhe ishte formuar Partia Demokratike, mijëra qytetarë dhe studentë mbushën sheshin Skëndërbej dhe pas përleshjeve me policinë rrëzuan statujën e Hoxhes 6 vjet pas vdekjes së tij. Rrëzimi i këtij monumenti do t’i hapte udhë rrëzimit të shumë busteve e statujave të diktatorit që ishin vendosur në të katër anët e vendit.
Çrrënjosja e simboleve komuniste nisi me një kërkesë të studentëve të Universitetit të Tiranës për t’i hequr këtij institucioni emrin e dikatorit Enver Hoxha – mbi 700 studentë u ngujuan në 18 shkurt për plotësimin e kërkesës së tyre, që kundërshtohej nga ish-presidenti Ramiz Alia – dhe kulmoi më 20 shkurt me rrëzimin e statujës në sheshin Skenderbeu.
Sot, në një situatë të nderë politike, Shqipëria feston.
Grupimi “Dhjetor 90” përkujtoi sot përpara Piramidës “20 shkurtin”, ditën që shembi mitet e diktaturës ne vendin tonë. “Dhjetor 90” shprehu nderimet për qindra djem e vajza, studente pedagogë e punonjës shkencorë, të cilët 20 vjet më parë vendosën të sakrifikonin edhe jetën në grevën e parë legale të urisë, që shoqëria shqiptare të çlirohej nga mitet e diktaturës. Kryetari i këtij grupimi, Bislim Ahmetaj, u shpreh se, “shqiptarët nuk mund të rrinin duarkryq, të vazhdonin të mësonin historinë e Partisë së Punës, në shkolla dhe universitete, s’mund të lejonin që pluralizmi të ishte një fallsitet”.
Në sheshin Nënë Tereza po zhvillohet koncerti festiv “20 vjet liri”. Në skenë po dalin këngëtarë dhe grupe muzikore nga më të njohurit. Koncerti organizuar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike, në bashkëpunim me Këshillin Rinor Shqiptar, Këshillin Studentor dhe organizatat rinore të shoqërisë civile. “Sot festojmë ditën e lirive tona”, tha kryeministri Sali Berisha në hapje të koncertit “20 vjet liri”. Duke konsideruar 20 shkurtin, “një nga fitoret e kombit shqiptar dhe dita kombëtare e viktimave të sistemit komunist”, Berisha ftoi të pranishmit të nderonin me një minutë heshtje viktimat e regjimit barbar komunist.
Sot në mesditë, në Muzeun Historik Kombëtar, u inaugurua ekspozita “Vitet ‘90”, e fotoreporteri Gani Xhengo që ka përmbledhur ngjarjet kryesore, që shënuan fillimin e proceseve demokratike në Shqipëri. Në çeljen e ekspozitës, Xhengo, që dikur ka punuar si fotoreporter i ATSH-në, u shpreh sot për ATSH-në se ekspozita përmbledh momentet vendimtare të viteve ’90: “Ekspozita rrëfen hap pas hapi ngjarjet e viteve ‘90, të përmbledhura në tre kolona, që nisin me pikën kulmore të dhjetorit ’90, ngjarjet e shkurtit ’91 si dhe eksodin e gushtit ’91”
Një tjetër ekspozitë me foto ku janë fiskuar momente nga rrëzimi i statujës së Enver Hoxhës në qendër të Tiranës, është celur në mjediset e jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, nën kujdesin e kryeparlamentares Jozefina Topalli. “Ekspozita e organizuar nga Kuvendi në këtë përvjetor të veçantë të lirisë së kombit tonë, kujtimit të rrëzimit të rënies së diktaturës, një nga më të egrat dhe më mizoret, përjetohet me emocion nga shqiptarët”, tha Topalli. Sipas saj, 20 shkurti është festa kombëtare e lirisë që bashkon të gjithë shqiptarët.
Ç’kujtime ruani nga ajo ditë? Nëse ndonjë nga lexuesit ka diçka interesante për të treguar, mund të lërë një koment në fund të shkrimit.