Me vendim të qeverisë nga 1 janari i ardhshëm nuk do të ketë më ambalazhime me qese të pabiodegradueshme, prodhimi dhe importimi i të cilave do të ndalohet që më 1 shtator 2012
Tiranë, 7 mars 2012 – Kush ka jetuar në Shqipërinë e para 90-tës, me siguri i mban mend mirë rrjetat apo trastat me të cilat bëhej pazari. Qeset e sotme plastike, transparente, njëngjyrëshe apo me stampa që përdorim rëndom, asokohe ishin një luks.
E pra ka ardhur koha që e gjithë bota e civilizuar tenton t’u kthehet sërish të parave apo qeseve prej letre, apo prej materiali të biodegradueshëm pasi plastmasa e zakonshme ndot mjedisin.
Në këtë drejtim po shkon edhe Shqipëria. Këshilli i Ministrave më 6 mars ka marrë vendimin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” sipas të cilit “pas datës 1 shtator 2012, ndalohen prodhimi dhe hedhja në treg dhe importimi i qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjithë operatorët ekonomikë”.
Madje “pas datës 1 janar 2013, ndalohen përdorimi dhe tregtimi i qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjitha njësitë tregtare”.
Me ardhjen në fuqi të vendimit, pas botimit të tij në Fletoren zyrtare do të ndalohen menjëherë edhe “prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e ambalazheve, kur nuk respektohen nga subjektet përgjegjëse kërkesat për nivelet e përqendrimit të metaleve të rënda në ambalazhe”, “prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike nën 30µ (mikro) (15 për çdo anë)”, si edhe transporti i mbetjeve të ambalazheve me mjetet që transportojnë mbetje organike të përziera shtëpiake/bashkiake.
Vendimi i qeverisë ka për qëllim mbrojtjen, ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit dhe të shëndetit të njeriut përmes minimizimit të ndikimeve negative nga ambalazhet dhe mbetjet e tyre.
Vendimi synon të parandalojë mbetjet nga gjenerimi i ambalazheve, të nxitë grumbullimin e diferencuar, ripërdorimin, riciklimin dhe rikuperimin e mbetjeve nga ambalazhet, duke reduktuar sasitë e tyre që asgjësohen përfundimisht, si dhe të vendosë rregulla për prodhimin e ambalazheve dhe menaxhimin e mbetjeve të tyre në të gjitha fazat, si dhe të përcaktojë subjektet përgjegjëse për menaxhimin e tyre.
Në Itali, një ligj i tillë ka hyrë në fuqi më 1 janar 2011.