in

Shqipëria turistike. Bazilika paleokristiane e Elbasanit do të restaurohet

Bazilika paleokristiane, e zbuluar në vitin 2007 nga arkeologët dhe e shpallur “Monument kulture”, do të rikonstruktohet duke u kthyer në një model në gadishullin e Ballkanit

Tiranë, 26 korrik 2011 – Sipas ATSh-së, Komuniteti Europian ka akorduar një fond prej 1,2 milionë euro për rikonstruksionin e Rrugës Egnatia, vazhdimin e punimeve në Bazilikën paleokristiane, si edhe rivitalizimin e kalasë. 

Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini thotë se, “pas pak ditësh do të nisin punimet për zbatimin e një projekti të hartuar nga Bashkia Elbasan dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për mbulimin me xham të mozaikut paleokristian të zbuluar në vitin 2007, vazhdimin e gërmimeve të këtij mozaiku, shtrimin me kalldrëm të kalasë së Elbasanit dhe një pjesë të rrugës Egnatias. Me këtë investim madhor të kryer me ndihmën e Komisionit Europian, qyteti i Elbasanit do të kthehet në një qytet turistik, për nga vetë vlerat e mëdha arkeologjike që ai ka”. 
Sipas Sejdinit, një pjesë e këtij fondi do të përdoret për zgjerimin dhe restaurimin e Bazilikës paleokristiane shumë pranë Rrapit të Bezistanit. 
Elbasani përshkohet nga rruga Egnatia,  që lidhte Perandorinë Romake të lindjes me perëndimin. Për këtë qëllim pjesë e këtij fondi do të jetë edhe investimi në pikën kryesore të  Egnatias, që është mozaiku paleokristian, i zbuluar në vitin 2007. 

Mënyra e restaurimit dhe e mbajtjes më pas e mozaikut, sipas arkeologut Neritan Ceka, cilësohet si model, që nuk njihet në Ballkan dhe në Shqipëri. “Ai parashikon mbulimin e mozaikut me xham, ku qytetarët dhe turistët do të kalojnë sipër për ta parë atë. Kjo është përvoja e parë, që do të realizohet në Ballkan me fondet e BE-së”, thotë Sejdini. 
Projekti është hartuar nga dy specialistë në fushën e teknikës, ndërsa parashikohet që ai ta kthejë Elbasanin në një qytetet atraktiv, përsa i përket turizmit, pasi çdo ditë po zbulohen vlera të antikitetit. 

Bazilika është shpallur Monument Kulture dhe tashmë është në varësi të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Kjo bazilikë është ndër më të rrallat në vendin tonë. Zbulimi i saj u bë në bazë të disa dokumenteve të ruajtura në arkivën e Muzeut Etnografik, ku një tregtar shkruante se në themelet e dyqanit të tij ndodhej një bazilkë. Bashkia e Elbasanit ka bërë disa herë kërkesë për nisjen e punimeve për mbulimin e bazilikës, pasi ditët e fundit ajo është kthyer në një objekt mbeturinash, si pasojë e papërgjegjshmërisë së shumë qytetarëve.

Shqipëria turistike. Zgjidhet përkohësisht problemi i ujërave të zeza në bregdet

Shqipëria turistike. Plazhi i Drimadhes, ndër më të bukurit e Rivierës