in

“Shqiptare? E ndaluar hyrja në diskotekë!”

Factory, klub nate në Padova, u ndalon hyrjen shqiptarëve, rumunëve  e moldavëve. Pronarët e lokalit: “Jemi pranë stacionit e na duhet të mbrohemi”

Romë, 24 tetor 2011 – I hapur në korrik, lokali Factory Club në rrugën Sarpi të Padovës është kthyer në një pikë referimi i dëfrimit të natës për universitarët e Padovës. Por jo për shqiptarë rumunë e moldavë të cilëve, administratorët e lokalit, u ndalojnë hyrjen në lokal. Rasti i fundit, është denoncuar nga një grup të rinjsh që kanë mbetur të shtangur të premten kur një roje e lokalit nuk ka lënë të hyjnë dy vajza shqiptare. E kur këto të fundit kanë kërkuar shpjegime, është thirrur një tjetër roje, por edhe ky i ka refuzuar hyrjen vajzave duke përsëritur rregullën e lokalit: “Nuk lejohet hyrja e rumunëve, shqiptarëve, moldavëve dhe tunizianëve”.

Një dëshmitar thotë me bindje që vajzat ishin të veshura mirë, nuk ishin aspak të pira, flisnin mirë italisht dhe përpiqeshin të mbronin të drejtat e tyre, por rojet nuk bënin tjetër veçse u përsërisnin atyre rregulloren e brendshme të lokalit që ndalon hyrjen e tyre. “Aq shumë na troditi ky fakt” thotë Gianluca Francescato sipas ‘Il mattino di Padova’, “sa e vetmja gjë që mund të bënim aty për aty, ishte bojkotimi i lokalit”.

Një nga titullarët e lokalit, vietnamezi Thang Vien, thotë se nuk janë racistë, por se janë afër stacionit e u vijnë lloj lloj njerëzish, dhe për arsye sigurie nuk lejojnë të hyjnë brenda ata që u duken të dyshimtë. “Rreth dy javë më parë, kemi pasur një zënie mes shqiptarësh. Nuk mund të lejojmë që në lokal të ndodhin gjëra të pakëndshme”, thotë vietnamezi.

E me sa duket kanë vendosur të marrin masa parandaluese duke u ndaluar hyrjen të gjithë shqiptarëve. E nuk është herë e parë, një rast i ngjashëm është vërejtur në lokalin Victoria (në Vittorio Veneto të Trevisos), ku klientët duhet të paraqisnin letërnjoftimin e nëse dikush ishte shqiptar, nuk mund të hynte brenda.

Prato. Ekzekutohet me plumb në kokë Alban Deliu

Komisionit i Venecias dhe ODIHR në Tiranë për reformën zgjedhore