Një milion fëmijë e të rinj rriten në një shtet që i konsideron të huaj dhe u ndalon të ndihen tërësisht italianë. Është një emergjencë që duhet zgjidhur menjëherë, për të përuruar më në fund një stinë të re e për të rimëkëmbur Vendin
Romë, 15 nëntor 2011 – Liberalizime, kontraktime, rregulla mbi punësimet e nxjerrjet nga puna janë fusha të cilave Italia, sipas Bankës Qendrore Europiane, duhet t’u kushtojë ndërhyrje të pashtyshme për t’u rimëkëmbur. Por ekziston edhe një reformë tjetër që duhet vënë menjëherë në rend të ditës për të rimëkëmbur Italinë nga kriza civile, përveçse ekonomike, në të cilën është fundosur.
Një milion bij imigrantësh, në shumicën e rasteve të lindur në Itali, rriten në një vend që i konsideron të huaj dhe u ndalon të ndihen italianë 100%. Jetojnë me bijtë e italianëve, ndajnë së bashku pasionet, zhgënjimet dhe dëshirat, por janë skllevër të lejes së qëndrimit, nuk mund të udhëtojnë jashtë Italisë nëse janë duke e përtërirë, nuk mund të veshin fanellën e Italisë në garat sportive ndërkombëtare dhe presin me ankth mbushjen e moshës madhore, kur do t’u duhet t’i justifikojnë shtetit qëndrimin e tyre këtu si të ishin imigrantë.
Janë bijtë e të rinjtë italo-diçka, italianë që duhet “të kërkojnë leje”, italianë përgjysmë, të dorës së dytë. Duhet të jenë italianë dhe pikë, si të gjithë të tjerët. E mendon kështu ajo pjesë e madhe e italianëve që zotëron gjykim të shëndoshë më shumë se humanizëm, e megjithatë ligji mbi shtetësinë është ende i njëjti i miratuar në vitin 1991, kur ishin të paktë ata që parashikonin se miliona gra e burra do të mbërrinin këtu nga e gjithë bota për të rindërtuar një jetë të re, por edhe për t’u dhënë një të ardhme italiane bijve të tyre.
“Në projektet e reformës së shtetësisë, çështja kryesore e hapur mbetet sot ajo e fëmijëve dhe e të rinjve. Shumë prej tyre – ka nënvizuar presidenti i Republikës, Giorgio Napolitano – nuk mund të konsiderohen formalisht bashkatdhetarë tanët sepse normativa italiane nuk ua lejon, por janë të tillë në jetën e përditshme, në ndjenja, në perceptimin e identitetit të vet”. “Pa këta djem – ka kujtuar Napolitano – vendi ynë do të ishte padyshim më plak e do të kishte aftësi më të ulëta zhvillimi. Pa kontributin e tyre të ardhshëm shoqërisë tonë dhe ekonomisë tonë, edhe barra e borxhit publik do të ishte më e vështirë për t’u përballuar”.
Nuk numërohen deklaratat e liderëve politikë që e mendojnë njësoj si presidenti i Republikës.
“Është turp që ka 50 mijë fëmijë që çdo vit lindin apo mbërrijnë në Itali, ndjekin shkollat tona, që pastaj në moshën 18-vjeçare nuk e dinë më nëse janë italianë apo janë imigrantë: duhet që t’u themi atyre se janë italianë” ka thënë Pier Luigi Bersani. “’Ius soli’ është padyshim zgjedhja e të ardhmes së shoqërisë italiane: një fëmijë që lind në Itali duhet të ketë të drejtën e shtetësisë italiane” pohon Pierferdinando Casini. Për Gianfranco Finin, “politika, nëse dëshiron të përmbushë në mënyrë të përshtatshme detyrimin e përgatitjes së të ardhmes së Kombit, duhet të favorizojë qytetarinë e plotë të brezit të ri të italianëve të ardhshëm”.
E megjithatë, deri më sot, propozimet për t’u dhënë menjëherë shtetësinë brezave të dytë, të paktën pesëmbëdhjetë vetëm gjatë legjislaturës së fundit, nuk kanë hedhur asnjë hap në Parlament. Nuk ia ka dalë as projekti i ligjit Sarubbi-Granata, një ndër të paktat propozime transversale të këtyre viteve, i nënshkruar nga eksponentë të forcave më të mëdha politike të mazhorancës dhe të opozitës, natyrisht përjashtuar Lega Nord.
Pas një diskutimi të gjatë në komisionin e Çështjeve kushtetuese, teksti unik për reformën e shtetësisë i sjellë në Dhomë të Deputetëve dy vjet më parë nga relatorja Isabella Bertolini doli se ishte pjellë e presioneve të Legës dhe e frymës më të prapambetur të
PdL-s, deri në atë pikë sa të kishte për qëllimobjektivin e vështirë të ashpërsimit të mëtejshëm të rregullave. U ridërgua menjëherë në Komision, ku debati, pas disa muajve, u shua fare.
Ndërsa projekti Sarubbi-Granata propozonte hapjen e ligjit aktual ndaj ‘Ius soli’, pra ndaj të drejtës për të qenë italian nëse lind dhe rritesh në Itali, por jo të gjithë. Projekti parashikonte që të jenë italianë ata që lindin nga prindër të huaj me banim të rregullt në Itali prej të paktën pesë vjetësh, por mund të bëhen edhe ata fëmijë e të rinj të lindur jashtë që përfundojnë në shkollat italiane një cikël shkollimi (shkollën fillore, tetëvjeçare apo të mesme) apo të formimit profesional.
Janë rregulla të konceptuara në një kuadër përpiktë imigracioni të rregullt, që i japin rëndësi shkollës në formimin e qytetarëve. Tejet “të moderuara”, të shkruara në mënyrë të tillë që të mos trembin askënd dhe që bëjnë të duket fanta-shkencë panoramën e propaganduar nga Lega, me një dozë të fortë keqbesimi, sipas së cilës Italia do të bëhet toka e premtuar e turmave të klandestineve në muaj të nëntë të shtatzënisë.
Tani që jemi në një kthesë epokale, në fund të një sistemi politik të paralizuar nga shantazhet e votës ksenofobe, i kërkojmë qeverisë dhe Parlamentit të ndryshojë menjëherë ligjin mbi shtetësinë, që t’u njohë të drejtat të gjithë bijve të Italisë. Sepse ai milion të miturish të përjashtuar janë një prej emergjencave kryesore dhe është koha të nisim vërtet një stinë të re. Duke çliruar, për të mirën e Vendit, edhe energjinë e shumë të rinjve, më në fund dhe plotësisht, italianë.
Stranieri in Italia