Prefektura riorganizon zyrën e shtetësisë. Ishte aq e mbytur me punë sa nuk jepte takime para gushtit 2015
Romë, 17 nëntor 2014 – Më në fund duket se diçka po lëviz në Firence, ku ata që duan të bëhen italianë, e kanë thuajse të pamundur kohët e fundit të paraqisnin kërkesën e shtetësisë.
Marsin e shkuar, Prefektura kishte nisur me prenotimin online të takimeve për paraqitjen e kërkesave, sistem ky i përdorur edhe në provinca të tjera. Por për shkak të numrit të lartë të kërkesave, datat e oraret në dispozicion në kalendarin online u zunë menjëherë. “Sot rezulton e pamundur të marrësh një takim – ngre zërin ASGI – pasi nga kalendari i prenotimeve online nuk rezulton asnjë datë në dispozicione deri në gusht 2015”.
E telashet që kjo u hap të huajve nukjanë të pakta. Mjafton të përmendim që certifikata e lindjes dhe ajo penale të marra në vendlindje (ndonjeherë me shumë siklet) ë duhen përkthyer e legalizuar kanë vlefshmëri vetëm për gjashtë muaj. E nëse nuk arrin të paraqisësh kërkesën brenda gjashtë muajve, këto dokumente duhen rimarrë sërish. Por probleme u hapen edhe bijve të mitur që duhet të marrin shtetësinë bashkë me prindërit që ndërsa presin të marrin takim e më pas shqyrtimin e kërkesës, arrijnë moshën madhore e duhet të aplikojnë më vete për shtetësinë.
Por tani duket se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Nga Prefektura njoftojnë se po riorganizojnë zyrën e shtetësisë. Personeli do të shtohet, oraret e pranimit të publikut do të jenë më të gjata, do të jetë në dispozicion call-center telefonik i përditshëm dhe do të jepët mundësia që kërkesat të nisen edhe me postë.
Falë një numri më të lartë punonjësish në sportele, nga 1 dhjetori do të vihen në dispozicion më shumë data për të prenotuar online takimin. Madje nga ajo datë e tutje kërkesat e shtetësisë mund të nisen edhe me postë, edhe pse mbetet e këshillueshme që të prenotohet një takim në internet.
“Përvoja e këtyre viteve – shpjegon Prefektura me një komunikatë – na ka mësuar se kontakti i drejtpërdrejtë mes të huajit të interesuar dhe operatorit është shpesh i domosdoshëm për të nisur saktësisht praktikën e shtetësisë: një pjesë e madhe e kërkesave të paraqitura me postë janë të paplota dhe ndihma e nëpunësit është e nevojshme që qytetari të kuptojë sa më saktë çfarë duhet të bëjë dhe si”.
Call-center (numri telefonik 055-2783635) do të përgjigjet çdo ditë, nga e hëna në të premte, me orar 9.00-12.00, ndërsa më parë ishte në punë vetëm për dy orë në dy ditë të javës. Për më tepër, për ata që kanë dokumentet në skadim e kanë ngut t’i paraqesin, do të mund të shkruajnë në një adresë mail të posaçme immigrazionebis.pref_firenze@interno.it për të pasur një datë takimi sa më afër.
“E jona është një përpjekje – ka shpjeguar prefekti i Firences Luigi Varratta – falë të cilës jemi të bindur që do të përmirësojmë shërbimin. Nuk duhet të harrojmë që veç pritjes të të huajve në sportel ka një punë të madhe edhe nëpër zyra që kërkon edhe ajo një angazhim personeli të shumtë. E megjithëse kjo e shtetësisë është praktikë e ndërlikuar, deri më sot kemi përmbushur detyrën tonë e mbyllur atë pjesë të praktikës që varet nga ne brenda kohës së parashikuar me ligj”.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)
Lexo edhe: Shtetësia italiane. Rreth 60 mijë shqiptarë janë betuar para flamurit tringjyrësh