in

Shtetësia italiane. Senati: “Ok reformës, por vetëm nëse nuk ka kosto për shtetin”

Kufizimet e vëna nga Komisioni i Bilancit mbi administrimin e kërkesave dhe mirëqenien sociale. Por Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit kishte shpjeguar me kohë që nuk do të ketë asnjë pasojë të konsiderueshme për arkat e shtetit

Romë, 19 gusht 2016 – Prej muajsh në Senat, mes mijëra amendamentesh që komisioni për Çështjet Kushtetuese nuk vendos akoma të diskutojë, reforma e shtetësisë për bijtë e imigrantëve (këtu pikat kryesore) ka një të ardhme jo shumë të qartë. Por të paktën një hap i vogël përpara, këtë verë duket se është hedhur.

Më 3 gusht, ndërsa të gjithë bëheshin gati për pushimet e verës, senatorët e komisionit të Bilancit gjetën më në fund kohën, pak minuta, nuk u deshën më shumë, për të shprehur mendimin e tyre mbi reformën, një hap dytësor por siddoqoftë i domosdoshëm për vazhdimin e rrugës së ddl 2092. Mendimi i tyre është në favor të reformës me dy kushte.

Teksti i formuluar nga raportuesja Magda Zanoni (PD), kërkon “puna shqyrtuese lidhur me praktikat për marrjen e shtetësisë si rrjedhojë e aplikimit të normave të reja të mos shkaktojnë ndryshime financiare në bilancin aktual, qoftë nga pikëpamja e parave që mblidhen qoftë nga kapaciteti për të përballuar një ngarkesë më të madhe pune nga administratat kompetente; që rritja e numrit të shtetësive italiane të dhëna të mos jetë sjellë zgjerim të shërbimeve sociale, asistenciale dhe shëndetësore, krahasuar me kuadrin e sotëm normativ të mbrojtjes së qytetarëve të huaj me qëndrim të rregullt.

Me pak fjalë, reforma duhet të jetë me kosto zero për Shtetin. Kjo qoftë për administrimin e deklaratave dhe kërkesave të atyre që duan të bëhen italianë, që fillimisht do të jenë disa qindra mijëra, qoftë, mbi të gjitha, për nivelin e mirëqenies sociale që do të gëzojnë të gjithë ata që do të marrin shtetësinë italiane.

Në të vërtetë, në këtë aspekt ishte shprehur shkurtin e shkuar Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit (Ragioneria Generale dello Stato) pikërisht me kërkesë të komisionit të Bilancit të Senatit. Në raportin e teknik mbi ddl 2092, ekspertët e ministrisë së Ekonomisë kanë shpjeguar që reforma nuk do të ketë efekte të konsiderueshme mbi financat publike, mbi të gjitha sepse shërbimet sociale, asistenciale dhe shëndetësore të parashikuara për italianët janë pak a shumë të nëjtat që gëzojnë edhe imigrantët e rregullt e bijtë e tyre.

Pra, reforma, siç është e shkruar deri tani, është brenda kufizimeve të vëna nga Komisioni i Bilancit, i cili, veç të tjerash, duhet thënë, e dha mendimin e tij pas një kohe tejet të gjatë. Për t’u shprehur iu deshën tre mbledhje, e para më 25 nëntor të vitit të shkuar, e dyta më 10 shkurt të këtij viti dhe e fundit, shtatë muaj më pas, kjo e 3 gushtit, gjatë të cilës arritën të formulojnë menimin e tyre.

Elvio Pasca

 

Leja e qëndrimit. Tani paguhet edhe për të miturit

Robert Bisha. “Koncert në agim” në Torre Guaceto