Jam shqiptar i martuar me një shtetase italiane. Kur mund të kërkoj shtetësinë? Ç’dokumente duhet të mbledh?
Kërkesa e shtetësisë italiane për martesë parashikohet nga neni 5 i ligjit nr. 91/92 mbi shtetësinë. Periudha pas të cilës mund të kërkohet shtetësia italiane për martesë me shtetas/e italian/e, ndryshon në bazë të vendit të rezidencës së çiftit e nëse ai ka fëmijë apo jo. Kështu, nëse bashkëshortët kanë rezidencën në Itali, shtetësia për martesë mund të kërkohet pas dy vjetëve rezidencë pas martese; nëse janë rezidentë jashtë Italisë duhet të kalojnë tre vjet nga data e martesës. Në rast se çifti ka lindur apo adoptuar fëmijë, periudhat e sipërpërmendura përgjysmohen.
Paraqitja e kërkesës
Kërkesa paraqitet në Prefekturën kompetente, ose në Përfaqësinë diplomatike konsullore italiane, në rast se çifti jeton jashtë Italisë.
Në Itali, sipas qytetit ku jetohet, kërkesa mund të paraqitet në Prefekturë pasi merret takim, që në disa qytete bëhet në internet. Për të verifikuar mënyrën e marrjes së takimit në Prefekturën e rezidencës duhet konsultuar hapësira e dedikuar shtetësisë i faqeve internet të ministrisë së Brendshme. Për shembull, në Romë duhet marrë më parë një takim, gjithnjë online duke plotësuar një formular të thjeshtë.
Kërkesa duhet paraqitur duke përpiluar formularin A dhe duke bashkangjitur dokumentacionin e poshtërenditur:
- Formularin e kërkesës të përpiluar në të gjitha pjesët e tij, të nënshkruar dhe me pullë-taksë prej 14,62 euro;
- Aktin e lindjes të legalizuar (me vulë apostille, për shqiptarët) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje;
- Certifikatën e martesës të legalizuar (me vulë apostille, për shqiptarët) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje;
- Certifikatën penale nga vendlindja (dhe e vendeve të tjera të mundshme ku mund të ketë jetuar më parë i interesuari, Greqia për shembull, nëse ka qenë emigrant edhe atje) të legalizuar (vulë apostille, për dokumentet shqiptare) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje;
- Fotokopjen e një dokumenti identiteti italian;
- Fotokopjen e lejes së qëndrimit;
- Fotokopjen e pasaportës së vlefshme;
- Kuponin e derdhjes së kontributit prej 200 eurosh (facsimile)
Në rast se dokumentacioni i bashkangjitur nuk është i mjaftueshëm, Prefektura ruan të drejtën të kërkojë integrimin e dokumentacionit brenda një periudhe të caktuar. Nëse i huaji nuk përmbush kërkesën e administratës, kërkesa konsiderohet e papranueshme.
Në bazë të dekretligjit nr. 5/2012 për thjeshtëzimin e zhvillimin, të gjitha dokumentet e tjera që më parë kërkoheshin (certifikata e çështjeve penale të hapura dhe të kartotekës së gjykatës, certifikata e rezidencës, gjendja civile, deklarata e të ardhurave) mund të vetëcertifikohet përmes një modeli të paracaktuar në bazë të DPR 445/2000 pasi Prefektura mund të verifikojë vërtetësinë e informacioneve të deklaruara përmes një procedure të brendshme duke komunikuar me Ministrinë e Drejtësisë, Komunën e rezidencës dhe Agjencinë e Tatim-taksave. Kujdes, lëshimi i deklaratave të rreme sanksionohet me ligj.
Kohëzgjatja e procedurës dhe dekreti i shtetësisë
Afati i përfundimit të procedurës së njohjes së shtetësisë është 730 ditë e nis nga paraqitja e kërkesës dhe e të gjitha dokumenteve të kërkuara. Siç saktësohet nga qarkorja e ministrisë së Brendshme nr. 6415/2011, pas kalimit të dy vjetëve, kërkuesi bëhet titullar i një të drejte subjektive të plotë të fitimit të shtetësisë italiane, pasi në bazë të nenit 8 paragrafi 2 të ligjit 91/92 mbi shtetësinë, është e pamundur që kërkesa të refuzohet pas kalimit të 730 ditëve. Në këtë rast, i interesuari mund t’i drejtohet gjykatësit për t’i kërkuar shtetësinë italiane, pasi të vërtetohet më parë që ministria e Brendshme nuk ka nxjerrë një dekret njohjeje apo refuzimi të praktikës brenda afatit të caktuar me ligj.
Duhet kujtuar që prej 1 qershorit 2012, kompetenca e lëshimit të dekretit të njohjes apo mohimit të shtetësisë për qytetarët e huaj bashkëshortë të shtetasve italianë është e Prefektit, ndaj të gjitha kërkesat e informacioneve mbi praktikën i duhen drejtuar Prefekturës kompetente dhe jo ministrisë së Brendshme.
Kjo kompetencë mbetet e kreut të departamentit për Liritë Civile dhe Imigracionin e ministrisë së Brendshme, në rast se bashkëshorti i huaj ka rezidencë jashtë Italisë, dhe e kreut të Ministrisë së Brendshme në rast se ekzistojnë arsye penguese që lidhen me sigurinë e Republikës.
Së fundi, duhet theksuar që edhe me nxjerrjen e dekretit të njohjes së shtetësisë, i huaji nuk është akoma italian për sa kohë nuk ka bërë betimin e besnikërisë ndaj Republikës italiane. Duhet ta bëjë brenda gjashtë muajve (në të kundërt dekreti i shtetësisë shfuqizohet, dhe i interesuari duhet të nisë nga e para praktikën) pranë komunës së rezidencës, nëse banon në Itali, pranë Përfaqësisë diplomatike konsullore nëse është rezident jashtë Italisë.
Maria Elena Arguello
Lexo edhe:
Shtetësia për rezidencë në Itali. Ç’duhet bërë?
Cittadinanza italiana per nascita nel territorio italiano. Come funziona?
Si të kontrollosh on-line ku është kërkesa jote e shtetësisë
Shtetësia italiane. Udhëzues on-line i ministrisë së Brendshme
Shtetësia italiane. Nga Civis Romanus te Civis Italicus