in

Shtetësia për rezidencë në Itali. Ç’duhet bërë?

Jam shqiptar prej vitesh tashmë rezident në Itali. Dua të kërkoj shtetësinë si rezident prej më shumë se dhjetë vjetësh. Çfarë dokumentesh duhet të paraqes?

Kërkesa e shtetësisë italiane për rezidencë parashikohet nga neni 9 i ligjit nr. 91/92 mbi shtetësinë. Ky ligj përcakton që shtetësia “mund t’i jepet” të huajit, pra parashikon një proces të karakterizuar nga një diskrecionalitet i gjerë, ndryshe nga shtetësia për martesë me një shtetas italian. Kërkesa mund të paraqitet pas një periudhe të caktuar rezidence efektive në territorin italian (që nis nga momenti i regjistrimit në listën e popullsisë rezidente të komunës, jo nga çasti i pajisjes me lejen e qëndrimit) që shkon nga 4 vjet nëse i interesuari është shtetas i komunitetit europian, 5 vjet nëse është i paatdhe dhe 10 (dhjetë) vjet nëse është jokomunitar (pra, një shqiptar mund të kërkojë shtetësinë italiane për rezidencë, pasi ta ketë këtë të fundit prej dhjetë vjetësh).

Kërkesa duhet paraqitur pranë Prefekturës së rezidencës duke përpiluar formularin B dhe duke bashkangjitur dokumentacionin e poshtërenditur në origjinal dhe fotokopje:

  • Formularin e kërkesës të përpiluar në të gjitha pjesët e tij, të nënshkruar dhe me pullë-taksë prej 14,62 euro;
  • Aktin e lindjes i legalizuar (me vulë apostille, për shqiptarët) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje;
  • Certifikatën penale nga vendlindja (dhe e vendeve të tjera të mundshme ku mund të ketë jetuar më parë i interesuari, Greqia për shembull, nëse ka qenë emigrant edhe atje) të legalizuar (vulë apostille, për dokumentet shqiptare) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje;
  • Për colf & badanti, dokumentin e INPS-it të të ardhurave (Estratto Retributivo INPS);
  • Fotokopjen e mundshme të certifikatës së njohjes së statusit të refugjatit apo të personit të paatdhe, si edhe origjinalin, që vetëm duhet treguar por nuk duhet lënë;
  • Fotokopjen e një dokumenti identiteti të vlefshëm;
  • Fotokopjen e lejes së qëndrimit;
  • Kuponin e derdhjes së kontributit prej 200 eurosh (facsimile)

Në bazë të dekretligjit nr. 5/2012 për thjeshtëzimin e zhvillimin, të gjitha dokumentet e tjera që më parë kërkoheshin (certifikata e çështjeve penale të hapura dhe të kartotekës së gjykatës, certificata e rezidencës, gjendja civile, deklarata e të ardhurave) mund të vetëcertifikohet përmes një modeli të paracaktuar në bazë të DPR 445/2000 pasi Prefektura mund të verifikojë vërtetësinë e informacioneve të deklaruara përmes një procedure të brendshme duke komunikuar me Ministrinë e Drejtësisë, Komunën e rezidencës dhe Agjencinë e Tatim-taksave.

Kujdes, lëshimi i deklaratave të rreme sanksionohet me ligj.

Koha e trajtimit të kërkesës është 730 ditë, apo 2 vjet nga çasti kur kërkesa merret nga autoriteti përkatës (ministria e Brendshme). Në rast të një përfundimi pozitiv të praktikës, Prefektura i nis një lajmërim zyrtar të interesuarit brenda 90 ditëve nga marrja e dekretit të shtetësisë nga ministria e Brendshme. Kur i interesuari ka marrë në dorë dekretin, brenda gjashtë muajve duhet të shkojë në komunën e rezidencës për të bërë betimin e besnikërisë ngaj Republikës italiane siç parashikon neni 10 i ligjit mbi shtetësinë (L. 91/1992). Nëse brenda gjashtë muajve nuk e ka bërë betimin, dekreti shfuqizohet dhe i interesuari duhet të nisë nga e para procedurën e shtetësisë e të nxjerrë sërish të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

I vetmi kanal për të pasur informacione mbi praktikën e shtetësisë, siti internet i ministrisë së Brendshme

Se në ç’pikë është praktika e shtetësisë, mund të kontrollohet on line duke u futur në hapësirën dedikuar argumentit në faqet internet të ministrisë së Brendshme, duke shoqëruar emrin e regjistrimit të përdoruesit me kodin K10 të protokollimit që Prefektura i jep kërkuesit të shtetësisë pas paraqitjes së praktikës. Për sa kohë në ekran nuk shfaqet mesazhi “l’istruttoria è stata conclusa”, praktika e shtetësisë është ende në përpunim. Kërkesa e shtetësisë për rezidencë ka një përpunim të dyfishtë që nuk shihet nga i interesuari në faqet internet të ministrisë së Brendshme. Në fazën e parë të përpunimit të praktikës, Prefektura kontrollon nëse dokumentacioni i paraqitur është i saktë dhe i vërtetë, duke dhënë një gjykim të parë mbi kërkesën. Më pas praktika i kalon ministrisë së Brendshme që bën vlerësimin e dytë. Këto dy vlerësime mund të mos jenë të njëjta. Prefektura nuk mund të procedojë me përpunimin e praktikës pa përgjigjen e ministrisë. E duke qenë se nga faqet internet të ministrisë qytetari nuk mund të kuptojë me saktësi nëse kërkesa e tij është duke u shqyrtuar nga Prefektura apo nga ministria, mund t’i kërkojë prefekturës kompetente informacion më të saktë.

Po nëse kalojnë dy vjet pa marrë një përgjigje?

Me qarkoren 6415/2011 ministria e Brendshme ka pohuar që një vonesë e mundshme e Prefekturës në lëshimin e dekretit të pranimit apo jo të kërkesës, nuk nënkupton pranimin apo hedhjen poshtë të saj. Në këtë rast mund t’i kërkohet Gjykatës Administrative Krahinore (TAR) të detyrojë administratën publike të marrë vendimin mbi pranimin apo refuzimin e kërkesës së shtetësisë. Në bazë të ligjit 241/90 mbi normat e çështjeve të procedimenteve administrative dhe të drejtave  të kontrollit të dokumenteve administrative, është e mundur që brenda një viti nga përfundimi i dy vjetëve pa marrë përgjigje, t’i niset një letër ankese (diffida) administratës publike për mospërmbushje të detyrës e për të kërkuar sqarime. Për këtë procedurë nuk është e nevojshme të merret një avokat, i domosdoshëm në rast se i interesuari vendos t’i drejtohet gjykatës.

Maria Elena Arguello, Stranieriinitalia.it

Lexo edhe:
Shtetësia për martesë. Kur dhe si të paraqes kërkesën?Cittadinanza italiana per nascita nel territorio italiano. Come funziona?
Shtetësia italiane. Udhëzues on-line i ministrisë së Brendshme
Shtetësia italiane. Nga Civis Romanus te Civis Italicus

 

 

La cittadinanza passa anche dal voto

Shtetësia për martesë. Kur dhe si të paraqes kërkesën?