in

Si lindin dhe vdesin gjuhët – Pjesa III

Sot, më 30 shtator, kremtohet Festa ndërkombëtare e përkthyesit, “lënda e parë” e të cilit është gjuha. E kur flasim për gjuhën, natyrshëm lindin pyetje si: “Pse kemi filluar të flasim?”, “Si lind një gjuhë dhe si vdes ajo?”, “Si evoluojnë gjuhët?”, “E mbi të gjitha, a mund të ngjallet sërish një gjuhë e vdekur?”
Nga Gino LUKA – Pjesa e fundit
Si është vendi, bëhet “gjuha”

Përveç Indoevropianishtes, në Botë, ekzistojnë njëzet familje të tjera gjuhësore me histori dhe paraardhës të ndryshëm të cilët nëpërmjet emigrimeve dhe kolonizimeve janë përhapur anembanë botës. Edhe kushtet e ambientit kanë kontribuar në formimin e tyre.

Për shembull, le të mendojmë për nevojat e popullit e Inuit, të rajoneve të Arktikut, që përshkruan me mbi 20 terma borën dhe fortësinë e saj: kur bie, kur është e lagur, kur është e freskët, grumbull bore etj… Por edhe pa pasur nevojë të shkojmë tek eskimezët edhe në shqipe ka shumë fjalë për të përcaktuar borën p.sh.:  boricë, borimë, bornajë, bufnjak, cakërri, fërfëllizë, fryjë, krijë, llohë (llapërçinë, llapërkajë), llurbë, miellazë, përbor, pjalm, skllop, skllotë, shqotë, shtrezë, thek, frullon etj.

Nga ana tjetër, nëse nuk jetojmë të mbuluar me borë shumëvjeçare dhe kur të ftohtit është një ngjarje e jashtëzakonshme, është e mjaftueshme një fjalë e vetme për ta përcaktuar atë, si në disa gjuhë në qendër të Amerikës.

Derrat që kacavaren mbi pemë…

Por kur diçka nuk ekziston në një gjuhë, a duhet të ketë një emër në atë gjuhë?

Në disa ishuj të Papua Guinesë së Re, kishte shumë derra por nuk kishte mace. Evropianët që shkuan atje kishin marrë me vete disa mace që vendasit filluan t’i quanin derra me kthetra që ngjiten në pemë, e ky u bë emri i maceve të zakonshme në atë vend.

Pirahã (shqiptohet pak a shumë pirahàn) është një popull që jeton në pellgun e amazonës e që përbëhet nga rreth shtatëqind veta. Ata arrijnë të numërojnë vetëm deri në dy: për sasi më të madhe se dy, termi i vetëm është “shumë”…

Në japonisht Tsundoku quhet zakoni që ka dikush për të blerë dhe për të grumbulluar libra e pastaj i stivon pa i lexuar kurrë. Ilunga, në Afrikën qendrore, (në gjuhën tshiluba ose luba-Kasai) thuhet për një person që herën e parë fal çdo gjë, herën e dytë është i durueshëm ndërsa herën e tretë nuk ka më mëshirë. Bakku-shan (japonisht) është një femër e bukur, por vetëm duke e parë nga prapa… Fernweh (gjermanisht) është nostalgjia për një vend ku nuk ke qenë kurrë, përshkruan dëshirën njerëzore për të braktisur gjendjen e mërzisë që shkaktohet nga gjërat e përditshme e monotone dhe për të ikur diku…

Disa gjuhë kanë pak fjalë për të shpjeguar diçka në krahasim me disa të tjera: në shqip p.sh. ka më shumë se 25 mënyra për të shpjeguar formën dhe ngjyrën e mustaqeve: mustakoç, mustaqebardhë, mustaqebigë, mustaqedirsur, mustaqedredhur, mustaqefshesë, mustaqegjatë, mustaqegjemb, mustaqeheshtë, mustaqehollë, mustaqekacadre, mustaqekalesh, mustaqekuq, mustaqemi,  mustaqemisër, mustaqepadirsur, mustaqepërdredhur, mustaqepërpjetë, mustaqepisë, mustaqeposhtë, mustaqepush, mustaqeskrop, mustaqespicë, mustaqeshprishur, mustaqeshtizë, mustaqethinjur, mustaqevarur, mustaqeverdhë, mustaqezi, etj. Pothuaj të gjithë heronjtë kombëtarë shqiptarë kishin mjekër ose mustaqe, por diktatori komunist Hoxha, i cili sundoi për mbi 40 vjet, duke qenë një pogonofobik (nga fjalët greke pogon për mjekër dhe phobos frikë) i pashërueshëm; në fillim të viteve 1970, ua ndaloi mjekrën dhe mustaqet popullsisë duke arsyetuar se po stigmatizonte çdo formë individualizmi. Si rezultat në gjuhën shqipe, aktualisht nuk “jetojnë” të gjitha ato fjalë që më përpara përdoreshin për të përcaktuar mustaqet…

A çatojmë?

Duke ndjekur gjenezën dhe historinë e fjalëve ka mundësi të verifikohen transformimet që i ndodhin gjuhës në kohë. Duke shikuar një film të vitit 1940 ose duke lexuar p.sh. Komedinë Hyjnore, dallimet me italishten moderne bien në sy menjëherë. Por nëse për ne Ferri i Dantes është ende i lexueshëm, frëngjishtja ose anglishtja e 400-ës janë kaq të ndryshme  nga ato të sotmet saqë, për t’i kuptuar nuk janë të mjaftueshme shënimet anash tekstit.

Ndonjëherë ndryshon tingulli i një fjale, nganjëherë ndryshon gramatika, ndonjëherë tjetër është lindja e një fjale të re që e bën të evoluojë fjalorin. Është rasti i neologjizmave si internet, celular, çatoj (chat). Termat e rinj mund të jenë evolucioni i një fjale të vjetër, bashkimi i dy fjalëve të ndryshme ose fjalët që mund të hyjnë nga gjuhë të tjera. Blic (blitz gjermanisht) është importuar në shqip ashtu siç është ndërsa fjalë të tjera “shqiptarizohen” si folja angleze “to chat” bisedoj, të cilës i është shtuar prapashtesa -oj.

Për më tepër, anglishtja vazhdon të marrë pa problem e me bollëk fjalë nga gjuhët e tjera. Në fakt ndër gjuhët moderne është ajo gjuha me fjalorin më të gjerë (gjuha aktuale angleze ka rreth 490 mijë fjalë ndërsa gjuha teknike ka rreth 300 mijë terma).

Lamtumira e fundit e një gjuhe që vdes

Por nëse një gjuhë nuk arrin të zhvillohet, të shpikë ose të huazojë fjalë të reja, ose gjithnjë e më pak njerëz e flasin, sepse mbisundohet nga kultura më të forta, atëherë ajo mund të vdesë. Sipas të dhënave të fundit të Unesco-s rreth gjysma e gjuhëve që aktualisht fliten janë në rrezik dhe disa tashmë janë zhdukur. Ashtu si në rastin e mannese gaelic që flitej në Ishullin Man: në vitin 1974 vdiq Ned Maddrell, që ishte folësi i fundit i kësaj gjuhe. Ai kishte mbetur pa bashkëfolës, nuk kishte asnjeri me kë të fliste. Sipas hulumtimeve më të fundit, rreth pesëdhjetë gjuhë të tjera kanë mbetur vetëm me nga një folës. Kështu, për të ruajtur këtë trashëgimi që po rrezikohet, është krijuar një organizatë ndërkombëtare për të mbrojtur gjuhët më pak të folura të botës: www.sil.org (në anglisht).

Ndodh që një gjuhë të ringjallet…

A është e mundur që një gjuhë të ringjallet?

Kjo gjë i ka ndodhur hebraishtes, e lënë në harresë që nga kohët e Jezu Krishtit dhe që përdorej vetëm në ceremonitë fetare dhe shkrimet e shenjta por që nuk flitej më. Kjo gjuhë, e rishikuar në formë moderne, është gjuha zyrtare e shtetit të Izraelit që nga viti 1948.

Pas kthimit të hebrenjve në Palestinë në fund të viteve 1800, kolonët që kishin adoptuar gjuhët e vendeve ku ata jetonin në shekujt e Diasporës ndjenin nevojën për të folur të njëjtën gjuhë. Elizier Ben Yehuda, një hebre që shkoi në Tokën e Shenjtë nga Lituania, u mësoi fëmijëve dhe të afërmve të tij hebraishten, duke e përshtatur gjuhën me nevojat moderne sipas principit Haskalah (Iluminizmi hebraik) e duke lëshuar në këtë mënyrë sinjalin e parë.

Folësit e hebraishtes janë rreth 7 milionë, nga të cilët shumica dërrmuese banon në Izrael. Rreth gjysma janë folës të gjuhës amtare, pra hebraisht, ndërsa pjesa tjetër rreth 50% e kanë hebraishten si gjuhë të dytë.
Duke u bazuar në traditën normative evropiane, sipas modelit të Accademia della Crusca (1585), ekziston edhe në Izrael, një organ që vendos për standardin gjuhësor: Akademia e Gjuhës Hebraike. Instituti kryesisht merret me krijimin e termave të rinj dhe instrumenteve të rinj leksikorë dhe morfosintaksorë që duhet të respektohen nga organet institucionale dhe strukturat shkollore shtetërore.

Bota pa përkthim

Pikërisht në sajë të përkthimeve, në fakt, veprat e mëdha të artit mund të transmetohen, mund të kenë sukses dhe të mbijetojnë. Në epokën romantike, refuzimi i racionalizmit çoi në ekzaltimin e imagjinatës dhe fantazisë: teoricienët anglezë dhe gjermanë filluan të pyesin veten nëse përkthimi është një aktivitet mekanik apo krijues, duke i dhënë përparësi hipotezës së dytë aq shumë saqë sot përkthyesi konsiderohet po aq krijues ashtu si poetët, dhe përveç kësaj atij i takon funksioni i pasurimit të kulturës dhe të gjuhës në të cilën përkthen.

Sikur përkthimet komerciale të mos kishin ekzistuar, importimi i produkteve të huaja nuk do të kishte qenë i mundur. Nëse përkthimet teknike nuk do të ekzistonin, as ndërmarrjet e përfshira në montimin e pajisjeve në vendet e huaja nuk do të ekzistonin.

Në qoftë se nuk do të kishim përkthyes nuk do ta njihnim kinematografinë ndërkombëtare, nuk do të shihnim filma, seri televizive e dokumentarë nga e gjithë bota. Nëse nuk do të kishim përkthime letrare, nuk do të kishim mundësi të lexonim kaq shumë libra të huaj, pra nuk do të ishim në gjendje të lexonim 90% të librave, artikujve, gazetave, revistave; e as nuk do të ishim në gjendje të blinim produktet e ndërmarrjeve të huaja.

Sipas përkufizimit të George Steiner: “Pa përkthime njerëzit do të jetonin në disa provinca të izoluara nga heshtja”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Propaganda shqiptaro-kosovare e përparimit dhe shqiptarët e dëbuar nga Gjermania

Si lindin dhe vdesin gjuhët