in

Simbolet e Italisë

Sot, më 7 janar 2011, Italia nis zyrtarisht vitin festimeve të 150 vjetorit të unitetit të saj. Është zgjedhur kjo datë në nder të flamurit tringjyrash, simbol i bashkimit të Italisë, që u njoh si i tillë me 7 janar 1797, në Rexhio Emilia nga kongresi ku merrnin pjesë përfaqësuesit e Bolonjës, Ferrarës, Rexhio Emilies dhe Modenës, nga i njëjti kongres që kishte shpallur Republikën Çispadane.

25 prilli i 1945-ës, festa e çlirimit të Italisë shënoi rrugëtimin e saj drejt formës së re republikane. Qershori i 1946-ës solli referendumin që hodhi poshtë monarkinë ndërsa 5 maji i 1948-ës përcaktoi stemën e Republikës së re Italiane, një ndër pesë simbolet identifikues të Republikës Italiane bashkë me Flamurin Tringjyrësh, Himnin Kombëtar,  Flamurin Presidencial, dhe Viktoriani, i njohur edhe si Altari i Atdheut.

Shqiponja si simbol i një autoriteti të lartë shfaqet në perandorinë romake. Me ndarjen e kësaj perandorie në atë të lindjes e të perëndimit, edhe shqiponja, si simbol i perandorit, kaloi në Bizant. Thuajse të gjithë princërit e mbretërit e trashëguan shqipen, gjatë mesjetës, si simbol e lidhje gjaku të drejtpërdrejtë me perandorin e perandorinë e Bizantit. Në këtë mënyrë secili prej fisnikëve mund të rivendikonte të drejtat e prejardhjen e vet. Një nga këta ishte edhe Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Kaq përsa na përket neve. Po fqinji ynë, Italia pse nuk e ka këtë shqiponjë?

Në Itali shqiponja nuk u ruajt kur u bë kalimi nga mbretëria në republikë, pas referendumit që rrëzoi Shtëpinë Savoia (1946). Sot stema e Italisë paraqet një kurorë me degëza ulliri e lisi (ne antikitet ulliri është simbol i paqes ndërsa lisi simbol i Zeusit, pra i një pushteti hyjnor), dhe ka të brendashkruar një yll me pesë cepa (simbol i masonerisë dhe njëkohësisht i një pushteti të ndarë nga feja). Në bazë të stemës është një shirit ku lexohet “Republika e Italisë”. Stema është vepër e artistit Paolo Paschetto (Torre Pellice 1885-1963).

Shenja më e mirë që shpreh bashkimin e popullit është flamuri. Ai i Italisë u njoh si i tillë me 7 janar 1797, në Rexhio Emilia nga kongresi ku merrnin pjesë përfaqësuesit e Bolonjës, Ferrarës, Rexhio Emilies dhe Modenës, nga i njëjti kongres që kishte shpallur Republikën Çispadane. Autor i këtij propozimi ishte patrioti e shkrimtari i njohtur Giuseppe Compagnoni (1754-1833). Por trengjyrëshi ishte shfaqur së pari në 1796. Vetë Napoleon Bonaparti lajmëron Direktoratin se Krahina e Lombardisë ka shpallur si flamur të vetin, atë me tri ngjyra. Ndërsa Karl Alberti, mbas kryengritjes së milanezëve kundër austriakëve, vendos që trupat e veta të luftojnë nën flamurin italian me tri ngjyra, me në qendër shqytin e dinastisë sabaude. Vetë Giuseppe Mazzini, themeluesi i “Giovine Italia”, në 1831, pranon si flamur të italianëve tringjyrëshin, i cili kishte nga njëra anë parullën “Liri, Barazi, Vëllazëri”, ndërsa nga tjetra “Bashkim, Pavarësi”. Gjithashtu, në një nga dekretet e para të Republikës Romane, në 1849, tringjyrëshi njihet si flamur kombëtar. Në 1947, flamurit italian iu hoq shqyti i Savojës dhe u njoh si flamur i republikës së re të porsadalë nga Lufta e Dytë Botërore.

Jo më pak interesante është historia e himnit kombëtar italian, i njohur si Himni i Mamelit, por që në të vërtetë titullohet “Il Canto degli Italiani”. Teksti u shkrua  në qytetin e Gjenovës, në vjeshtën e vitit 1847 nga studenti patriot njëzetvjeçar Goffredo Mameli. Pak kohë më pas, do të muzikohej në Torino nga një tjetër gjenovez, Michele Novaro. Ishte një periudhë lëvizjeje patriotike që pararendte  luftën kundër pushtuesit austriak. Thjeshtësia e vargjeve dhe hovi i melodisë bënë që Kënga e Italianëve të shndërrohej në këngën më të dashur të bashkimit, jo vetëm gjatë periudhës së Risorxhimentos, por edhe në vitet që pasuan. Jo më kot Xhuzepe Verdi, në punimin e tij “Himni i Kombeve” të vitit 1862, përfshiu himnin e Mamelit, dhe jo marshin mbretëror, për të përfaqësuar Italinë, duke e vënë përbri “Zoti e ruajt Mbretëreshën” të anglezëve dhe “Marsejezës” së francezëve. Marshi Mbretëror (Marcia Reale) mbeti sidoqoftë himni zyrtar italian deri pas referendumit mbi monarkinë apo republikën në Itali. Ishte pothuajse e natyrshme, që vendin e tij ta zinte, më 12 tetor 1946, himni i Mamelit duke u bërë kështu himni kombëtar italian. Por “përkohësisht”: më 17 nëntor 2005 një komision i Senatit miratoi dekretin që e kthente atë në himn zyrtar të Italisë, por edhe ky dekret nuk është miratuar asnjëherë përfundimisht në Parlament.

Synimi i Risorxhimentos, ishte bashkimi i gjithë kombit italian dhe tokave ku italianët jetonin në një shtet të vetëm. Ky motiv përshkon edhe vargjet e himnit italian. Mameli, siç ishte e kuptueshme për periudhën e romanticizmit, u bën thirrje italianëve të bashkohen duke marrë si shembull të kaluarën e lavdishme e duke lënë mënjanë ndarjet e përçarjet që kishin mbjellë pushtetet e huaja, ato që Petrarka i kishte quajtur “spade peregrine”.

Italianëve u kërkohet që me përkrenaren e Shipionit në kokë (Scipione l’Africano, një nga perandorët më të njohur të Romës së lashtë, i cili mori këtë emër, ngaqë nënshtroi Afrikën veriore), të fillojnë betejën kundër të huajit. Fitorja, thuhet në tekst, është skllave e Romës prandaj edhe i duhet prerë kripa. (Sipas një tradite të lashtë skllaveve iu pritej kripa për t’i dalluar nga gratë romake, të cilat ishin të lira) Pra, perëndesha Fitorja duhet t’i nënshtrohet Italisë së re ashtu si dhe Romës.

Ithtar i Mazzinit, republikan i vendosur, Mameli në këto vargje pasqyron platformën politike të lëvizjeve republikane “Giovine Italia” dhe “Giovine Europa”.

Poeti përshkon shtatë shekuj luftë kundër pushtimit të huaj duke filluar nga beteja e Lenjanos e vitit 1176, ku Lega Lombarde, e udhëhequr nga Alberto di Giussano mundi gotikun Barbarossa, (është për t’u shënuar që Lega Nord, e cila ka zgjedhur si simbol të vetin pikërisht Alberto di Giussano-n me shpatën e nxjerrë nga milli, ka “harruar” që ishte aleat me Papën e Romës…), duke vazhduar me mbrojtjen deri në fund të Republikës së Firences, e rrethuar nga ushtria perandorake e Karlit të Pestë (1530), simbol i së cilës u bë kapiteni Françesko Ferruçi, e deri te revolta e gjenovezëve në 1746. Tjetër ngjarje historike që gjen jehonë në himn, është edhe kryengritja e Vesprave Siçilian (1282) kundër Karl Anzhuinit. Pengesë kryesore për bashkimin e Italisë ishin austriakët, prandej edhe Mameli përmend shqiponjën e shpupluar të absburgëve dhe Balilla-n, nofka e djaloshit Gianbattista Perasso, i cili në 1746, duke hedhur një gur kundra ushtarëve të Absburgëve, dha shenjën e fillimit të revoltës së gjenovezëve.

Sot Italia, këndon jo vetëm himnin e Mamelit por edhe atë të Bashkimit Europian, me vargjet e Schillerit, në të cilin nuk bëhet thirrje për luftë e gjak por për paqe e hare.

Redazione Shqiptari i Italisë

Lexo edhe: Do këndoj Italinë, atdheu në këngë

Ngjyrat e trengjyrëshit

Domethënia e stemës së Republikës Italiane

Altari i atdheut – Il Vittoriano


 

Dhuratë e Epifanisë…

Zihet me gruan e hidhet në det. Ende nuk e kanë gjetur