Pritet nisja e procedurave për emërimin e drejtuesve të rinj të Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, i cili ka mbetur me katër anëtarë, nga 7 që duhet të ketë
Tiranë, 18 shtator 2014 – Kuvendi miratoi sot me 72 vota pro dhe 6 kundër projektvendimin për shkarkimin e Ardian Fullanit nga detyra e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, dhe e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës.
Ndërsa me 76 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi edhe shkarkimin e Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi.
Vendimi i shkarkimit u mor për “shkelje të etikës në punë dhe cenim të thellë të interesave të Bankës së Shqipërisë”.
Një javë më parë, komisioni i Ekonomisë miratoi propozimin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, që shkarkoi nga detyra Guvernatorin Fullani dhe kryeinspektoren Golemi, pas arrestimit të tyre nën akuzën “Për shpërdorim detyre”, lidhur me skandalin e vjedhjes së 7,13 milion dollarëve nga Banka Qendrore. Miratimi i këtyre projekt vendimeve nga Kuvendi i hap rrugën vijimit të procedurave për emërimin e drejtuesve të rinj të Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, i cili, nga 7 nëtarë që duhet të ketë, ka mbetur me katër (pak ditë më parë ka dhënë dorëheqjen edhe anëtari i tij Ardian Civici).
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)