in

Standard & Poor’s: Ekonomia shqiptare është e qëndrueshme

Agjencia prestigjioze e vlerësimit të cilësisë së kreditit ndryshon vlerësimin “negativ” të dhënë dhjetorin e shkuar për situatën ekonomike në Shqipëri  në “të qëndrueshëm”

Tiranë, 12 prill 2014 – Agjencia prestigjioze e vlerësimit të cilësisë së kreditit Standard & Poor’s, ka përmirësuar vlerësimin e situatës ekonomike në Shqipëri me parashikim të ndryshuar nga “negativ” në “të qëndrueshëm” duke i dhënë besim politikave të qeverisë për reduktimin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

“Ne besojmë se ecuria e rritjes së Shqipërisë do të përmirësohet dhe se qeveria do të mbajë angazhimin e vet për konsolidim fiskal, gjë që do të sjellë rënie graduale të borxhit të përgjithshëm të qeverisë. – shprehet agjencia në një njoftim për shtyp të 11 prillit. – Për rrjedhojë ne rikonfirmojmë vlerësimin për borxhin sovran afatgjatë dhe afatshkurtër në monedhë vendëse apo të huaj për Shqipërinë në ‘B+ nga B’. Parashikimi “i qëndrueshëm” reflekton parashikimin tonë se Shqipëria do të ndjekë politika të shëndosha fiskale dhe ekonomike të lidhura me përpjekjet për integrimin në Bashkimin Europian”.

Praktikisht Agjencia Standard & Poor’s i është kthyer vlerësimit që kish dhënë për Shqipërinë deri në dhjetorin e vitit të shkuar kur e uli në B. “Opinioni negativ për Shqipërinë, – deklaronte asokohe  agjencia e vlerësimit – reflekton mundësinë që gjatë vitit të ardhshëm ky vend të zhvlerësohet sërish për shkak se rreziqet e mëdha gjatë procesit të ristrukturimit do të rrisin stokun e borxhin”. Me sa duket agjencia ka ndërruar mendim brenda pak muajve dhe ka besim në politikat e qeverisë që me nëshkrimin e marrëveshjes me Fondin Ndërkombëtar Monetar, në bazë të të cilës pret të përfitojë rreth 1 miliard euro kredi të buta në tre vjet, është angazhuar të ulë deficitin primar të vendit dhe borxhin publik nga 71% të Prodhimit të Brendshëm Bruto që është tani, nën 60% në vitin 2019.

 

Padova. Vincenzo Romania si candida: “Anche per una giusta politica per l’integrazione”

Reflekset e Salentos dhe të Shqipërisë në diskun e ri të Admir Shkurtajt