in

Taksa mbi lejeqëndrimet. Shtyhen përtëritjet në pritje të modifikimeve

Pas nxitimit të muajit të shkuar për të përtërirë lejet para ardhjes në fuqi të taksës, tani pritet dita e fundit e vlefshme për të paraqitur kërkesën e përtëritjes, me shpresën se ndërkohë qeveria përfundon “reflektimin e thellë” dhe vendos të reduktojë taksën. Qamil Zeinati i shoqatës Sopoti (përfaqësues Uil Prato): “Pas shtimit të ndjeshëm të kërkesave në janar, tani bëjmë vetëm 1-2 në ditë. asnjë nuk do të paguajë këtë taksë, të gjithë e konsiderojnë të padrejtë”

Romë, 14 shkurt 2012 – Maroni e Tremonti do të jenë zhgënjyer. Taksa mbi lejet e qëndrimit që duhet të shërbente për të mbushur arkat e shtetit nuk po ia arrin qëllimit të saj. Pjesa dërrmuese e imigrantëve mendohet njëqind herë para se ta paguajë dhe pret modifikimet e premtuara nga qeveria.

Natyrisht nuk i shpëton dot taksës kush arrin tani në Itali, për shembull me një bashkim familjar: me të hyrë në Itali ka maksimumi tetë ditë kohë për të kërkuar lejen e qëndrimit. Ndërsa kush ka për të kërkuar përtëritjen, që sipas ligjit duhet bërë “të paktën 60 ditë përpara përfundimit të afatit”, tani pret ditën e fundit të vlefshme për ta përtërirë. E bënë të kundërtën deri në 30 janar: meqë ligji nuk parashikon një datë para të cilës nuk mund të kërkosh përtëritjen, kush i pati dokumentet në rregull e kërkoi para hyrjes në fuqi të taksës, edhe pse leja që ka në xhep i skadon pas gjashtë muajve.

Sot të gjithë janë të gatshëm të presin deri në minutë të fundit të ditës së 60-të para skadimit të lejes së qëndrimit e ndërkaq shpresojnë që ministri Cancellieri të kthejë në vepra premtimet e saj, të paktën për reduktimin e taksës.

Një tendencë që konfirmohet nga Qamil Zeinati, i shoqatës Sopoti në Prato por që punon edhe në sportelet e UIL-it: “Më parë në sportelet tona përgatisnim rreth dhjetë kërkesa në ditë. në Janar kishim një rritje të konsiderueshme të punës, ndërsa tani kemi shumë shumë pak. Nga 1 shkurti deri më sot kemi bërë vetëm nja 15 praktika. Asnjë nuk do të paguajë këtë taksë, të gjithë e konsiderojnë tmerrësisht të padrejtë”.

“Shumë imigrantë – shton Zeinati – as nuk kanë materialisht ta paguajnë. Kemi shumë raste personash që për të përtërirë lejen e qëndrimit punësohen si bashkëpunëtorë shtëpiakë nga familjarë apo miq. Në këto kushte paguajnë vetë kontributet, të paguajnë edhe 100 euro më shumë për lejen e qëndrimit e kanë thuajse të pamundur. Ekziston rreziku që të kthehen në klandestinë e kjo po ushqen përditë e më shumë protestën”.

Në Cisl-in e Milanos nuk kanë vërejtur rënie të publikut, edhe pse takimet ishin përcaktuar kohë më parë, por natyrisht po informojnë të interesuarit që ministria po shqyrton mundësinë e një reduktimi të taksës. “Ndërkaq të premten kemi marrë pjesë në protestën përballë prefekturës të organizuar kundër taksës  e për të kërkuar rritjen e kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit për pritje punësimi” thotë për stranieriinitalia.it përgjegjësi i imigracionit Maurizio Bove.

Pikërisht ata që nuk kanë më punë, shpjegon sindikalisti, urrejnë në mënyrë të veçantë kontributin e ri. “Ai që ka humbur vendin e punës, e në këtë periudhë krize ndodh gjithnjë e më shpesh, duhet të kërkojë një lejeqëndrim për gjashtë muaj për pritje punësimi e duhet të paguajë 80 euro më shumë se më parë. nëse brenda gjashtë muajve gjen punë duhet të kërkojë një leje të re e të paguajë sërish taksën e re”.

Edhe Mohammad Reza Kiavar, bashkëkryetar i Anolf-it Cisl Torino, ka vërejtur që përtëritjet janë “pezulluar”. “Ne punojmë me takime të marra më parë, e kush ka prenotuar vjen dhe e përpilon kërkesën me ndihmën e operatorëve tanë. Por nuk shkon menjëherë në postë të paraqesë kërkesën e përtëritjes, moduli i përpiluar nuk skadon ndaj presin mos arrin ndonjë modifikim i taksës”.

Por a ekziston mundësia se po presin kot? “Fakti që taksa erdhi në fuqi me gjithë paralajmërimet e Cancellierit dhe të Riccardit për reduktim të saj, ka zhgënjyer. Por – nënvizon Kiavar – është një ndjesi shumë e përhapur mes klientëve tanë se gjërat do të ndryshojnë. Mbizotëron një klimë besimi, shprese mbi qëndrimin e kësaj qeverie ndaj imigrantëve, gjë që nuk vërehej me qeverinë e Berlusconit”. E të shpresojmë që besimi i imigrantëve të vlejë si shtysë për ekzekutivin e ri që të mbajë premtimet e të mos i zhgënjejë.

Elvio Pasca

Indipendenza nazionale e Dipendenza universale

Pezullohet linja e trageteve Brindisi-Vlorë