in

Taksa mbi lejet e qëndrimit. Mbërrijnë sentenca të reja: “Të rimbursohen imigrantët”

Gjykata e Barit urdhëron shtetin t’i kthejë një çifti shqiptar paratë e derdhura në këto vite. Piccininni (Inca Cgil): “E papranueshme që akoma nuk i kanë rimbursuar të gjithë”

Romë, 10 mars 2017 – Një tjetër gjykatë, të tjerë gjyqtarë, por sentencat janë të njëjta: Shteti t’u kthejë mbrapsht imigrantëve paratë e taksës mbi lejet e qëndrimit.

Sentenca e Napolit e muajit të shkuar duket se është e para e një serie të gjatë. E gjatë të paktën sa numri i gjyqeve të ngritura nga Inca e Cgil bashkë me qytetarë të huaj që gjatë viteve të shkuara kanë derdhur kontributin për lëshimin dhe përtëritjen e lejes së qëndrimit. Ai kontribut është hequr tashmë sepse i paligjshëm, por ç’do të bëhet me paratë që imigrantëve u janë marrë padrejtësisht për vite me radhë?

Këtë radhë, përgjigjja mbërrin nga gjykata e Barit, e cila me dy sentenca të ndryshme, të nënshkruara më 5 mars nga gjyqtaret Carlotta Soria dhe Valentina D’Aprile ka urdhëruar Kryeministrinë dhe ministritë e Brendshme dhe të Ekonomisë të paguajnë shpenzimet legale dhe t’u rimbursojnë gjithsej 540 euro dhe interesat Renato Saulit dhe Klevisa Veruarit, burrë e grua nga Shqipëria. Është saktësisht shuma e kontributit për lëshimin e përtëritjen e lejes së qëndrimit që çifti ka paguar në vite që kur jetojnë në Itali.

Renato ka ardhur si punonjës sezonal në vitin 2012, pastaj ka vazhduar të jetojë në Itali sepse ka gjetur punë josezonale. Sot është kamionist e paguan taksat si gjithë të tjerët. E shoqja, Klevisa, ka ardhur në Itali pas tij me bashkim familjar në vitin 2015. E është e udhës të kujtohet se që kur ka ardhur Renato, sa herë kanë kërkuar apo përtërirë dokumentin e qëndrimit kanë paguar, veç parave që po u kthehen mbrapsht, edhe pullë-taksat, dërgesën postare dhe shtypjen e dokumentit. Gjithsej 1.000 euro në vetëm 5 vjet.

Tani rikuperojnë të paktën gjysmën e asaj shume. “Dispozitat që përcaktojnë masën e kontributit për lëshimin dhe përtëritjen e dokumentit të qëndrimit – shpjegon një prej dy sentencave – janë krejtësisht të paligjshme dhe për rrjedhojë pagesa e kryer duhet konsideruar si e kryer në mungesë të një kauze të drejtë, ndaj duhet kthyer mbrapsht” (Sentenca Sauli – Sentenca Veruari).

“Edhe këtë radhë na duhet t’u drejtohemi organeve të drejtësisë për të pasur ekzekutimin e një të drejte të njohur në mënyrë të përsëritur disa herë nga drejtësia evropiane dhe ajo italiane e shkallëve të ndryshme” comenton sentencën Claudio Piccinini, koordinator i Zyrave për Imigracionin të Inca-s. “Është e papranueshme që akoma nuk është disiplinuar në rrugë administrative e drejta e rimbursimit për taksat që imigrantëve iu volën padrejtësisht nga viti 2012 deri më sot”.

Patronati vazhdon të mbledhë kërkesat e rimbursimit, por ndërkaq po mbërrijnë edhe sentenca të tjera të grupit të parë të ankimeve të paraqitura në gjykata. Nuk është e vështirë të imagjinohet çfarë do të jetë shkruar në sentenca.

Elvio Pasca

Shkarko
Sentenca Sauli 
Sentenca Veruari

 

Përdor SHKO për të mos shkuar në Konsullatë

Bashkim Sejdiu, l’immigrato che sostiene l’integrazione degli stranieri in Italia