in

Taksë mbi lejeqëndrimet? Tani përpikëri dhe votë imigrantëve

Një ligj i ri do të detyrojë shtetasit e huaj të paguajnë. Por nga ana tjetër, Shteti nuk respekton ligjin që e detyron të japë dokumentin brenda njëzet ditëve. E ndërkaq, për pesë milionë taksapagues parimi “no taxation without representation” nuk vlen

Romë, 3 janar 2011 – Taksa e re mbi lejet e qëndrimit është dhurata e mbërritur me vonesë që ish ministrave Maroni e Tremonti u bëjnë imigrantëve. Por duhet të jesh naiv të shpresosh që qeveria Monti, e angazhuar të gjejë para ku të mundet për të vënë në vijë llogaritë publike, të heqë dorë nga kjo taksë.

Pesë milionë imigrantë të rregullt të detyruar të paguajnë periodikisht nga 80 deri në 200 euro për të qëndruar në Itali janë gjel që bën vezë, lopë që mund të milet pa pasur frikë mos italianët, të mbingarkuar me taksa nga kriza, të shtrembërojnë buzët. Ndoshta ndonjëri do të mendojë: “Pse të mos bëjnë sakrifica edhe ata”.

Por italianëve u shpëton një detaj, që imigrantët , pa taksën për lejet e qëndrimit, sakrifikojnë njësoj si ata, sepse paguajnë e do të paguajnë edhe të gjitha taksat e tjera që rëndojnë në kurriz të të gjithë atyre që jetojnë e punojnë në Itali. Madje askush nuk di se ç’dreq shërbimi do të paguajnë kaq shtrenjtë me taksën e re mbajtësit e lejes së qëndrimit.

Po të mendohet që deri pak kohë më parë për të përtërirë lejen e qëndrimit nevojitej edhe një vit e gjysmë, duhet thënë që së fundi, veçanërisht falë informatizimit të procedurave, është bërë shumë për shkurtimin e kohës. E megjithatë, edhe eksperimentimet më të përparuara të ministrisë së Brendshme kanë si objektiv të garantojnë lëshimet e lejeve të qëndrimit në mesatarisht dyzetepesë ditë pas paraqitjes së kërkesës.

Por edhe kjo mesatare në vetvete është problem. Arturit që jeton në Romë e që pret dhjetë muaj për të përtërirë lejen e qëndrimit, nuk i intereson shumë që ndoshta Shpresa në Trento pret vetëm tridhjetë ditë. Madje ky zbulim ka edhe shijen e hidhur të talljes, sepse fatit të keq të lindjes në një shtet të varfër i shtohet edhe ai tjetri i zgjedhjes së qytetit të gabuar për të jetuar.

E mbi të gjitha, është e papranueshme që atje ku ligji është i njëjtë për të gjithë, jo të gjithë janë të barabartë para ligjeve. Sepse, nëse nga 30 janari një ligj do të detyrojë të gjithë imigrantët të zbrazin xhepat për lejen e qëndrimit, një tjetër ligj, në fuqi nga viti 1998, thotë që përtëritja e lejes së qëndrimit duhet të bëhet brenda njëzet ditëve (njëzet, jo dyzetepesë!) nga paraqitja e kërkesës. Deri më sot, të gjesh një të huaj që merr lejen brenda 20 ditëve është më e vështirë se të shohësh një pinguin në Romë.

Ndaj edhe nga 30 janari, më shumë se më parë, duhet të pretendohet që Shteti të respektojë ligjet e tij e të lëshojë brenda afatit lejet e qëndrimit. Përndryshe, ç’duhet të bëjë Arturi nëse paguan 100 euro e vazhdon të marrë lejen e qëndrimit pas dhjetë muajsh? A do të mund të kërkojë paratë e paguara për një shërbim që nuk iu garantua? Çfarë mjetesh e mundësish do të ketë për të mbrojtur veten? Shoqatat e konsumatorëve të ngrenë zërin.

Ishin gjashtë miliardë eurot e taksës Irpef të paguara çdo vit, dhe do të jenë edhe të gjitha taksat e manovrave të reja, përfshirë ato që do të godasin veçanërisht imigrantët, si tatimi mbi pasuritë e patundshme jashtë Italisë të atyre që me sakrificat e bëra këtu, kanë blerë shtëpi në Atdhe. Tani vjen edhe kontributi për lejen e qëndrimit. E meqë taksat për të huajt në Itali rriten, duhet folur edhe çështje më serioze.

Bëhet gjithnjë e më aktual parimi shekullor “no taxation without representation” që ishte edhe një ndër sloganet e Revolucionit Amerikan. Nëse shteti që e quan veten demokratik më vë taksa, duhet të më japë edhe të drejtën që të zgjedh ata që do të administrojnë paratë e mija.

Të lëmë mënjanë votën politike. Janë të shumtë ata që do të kundërshtojnë duke thënë që nuk mund t’i jepet jo qytetarëve mundësia të zgjedhin apo të zgjidhen parlamentarë, duke orientuar kështu zgjedhje të vendit mbi tema delikate si të qenit laik, familja, shanset e barabarta apo politika e jashtme. Por elektorati aktiv e pasiv në zgjedhjet vendore është padyshim tjetër gjë.

Kryetari i komunës që përcakton pagesën për çerdhet, aksesori që organizon transportet publike apo këshilltari që propozon një rregullore për dhënien e bonove për foshnjat, duhet të marrin aprovimin për aktet e tyre edhe përmes votës së bashkëqytetarëve të tyre imigrantë që sot financojnë këto zgjedhje, i vuajnë mbi kurrizin e tyre, por nuk kanë asnjë mundësi për t’i orientuar. Tepër e thjeshtë, tepër e padrejtë, të vazhdohet të shtrydhen deri në palcë këta taksapagues, përpara të cilëve nuk do të jepet llogari në zgjedhjet e mëpasshme.

Elvio Pasca

Shtëpiaket italiane, më të dëshpëruarat në Europë

Edhe në Shqipëri do të deklarohen të ardhurat vjetore