in

Tashmë 10 mijë firma për shtetësinë dhe të drejtën e votës

Nis mirë mbledhja e firmave për dy propozimet e ligjeve me iniciativë popullore të fushatës “Italia jam edhe Unë”. Miraglia (Arci): “Janë tema që u interesojnë qytetarëve, flasim për të ardhmen e Italisë”

Romë, 7 tetor 2011 – Të ndërrojë normat mbi shtetësinë italiane duke ua njohur menjëherë brezave të dytë dhe t’u japë të drejtën e votës imigrantëve për zgjedhjet lokale. Dy pikësynimet e fushatës “Italia jam edhe unë” (l’Italia sono anch’io) duken ende larg, por ndërkohë, fundjavën e shkuar hedhur një hap përpara.

Janë tashmë dhjetë mijë firmat e mbledhura në mbarë Italinë për secilin propozim ligji me iniciativë popullore të promovuara nga rreth 20 shoqata. Por mungojnë akoma 40 mijë, që duhen siguruar deri në fund të shkurtit, më pas mund të shkohet e të trokitet në parlament.

“Deri më sot, rezultati është i shkëlqyer. Njerëzit janë të interesuar, ndalen, informohen, diskutojnë dhe firmosin. Për ne konfirmon që është e mirë idea e  iniciativës sonë: përfshirja e territorit, e të gjithë qytetarëve, diskutimi pozitiv mbi imigracionin, larg temave të frikës dhe pasigurisë të përdorura nga një pjesë e politikës” thotë për Stranieriinitalia.it Filippo Miraglia, përgjegjës për imigracionin i Arci-t.

“Vitin e shkuar – shton ai – kanë lindur në Itali 78 mijë fëmijë që duhet të presin 18 vjet për t’u bërë italianë. Pyetja se cila duhet të jetë e ardhmja e tyre, pra e ardhmja e gjithë vendit tonë, na intereson njerëzve. Duhet t’i interesojë edhe politikës”.

E drejta e votës për imigrantët dhe reforma e shtetësisë nuk janë tema të reja për parlamentin italian. Projekt ligjet e paraqitura deri më sot mbeten gjithnjë në fund të sirtarëve. Pse këto të fushatës popullore duhet të kenë një tjetër fat?

“Sepse vijnë nga poshtë dhe politika nuk mund t’i shmangë” përgjigjet Miraglia. “Të tonat janë propozime të thjeshta e të qarta ndaj të cilave është e lehtë të mbash ëqndrim. Janë si një referendum mbi një ide të qeverisjes së imigracionit që ka të bëjë vërtet me të ardhmen. Një debat publik, nga i cili politika nuk mund të tërhiqet”.

Ndërkaq, mbledhja e firmave vazhdon. Fundjavën e shkuar ishin hapur rreth 30 komitete lokale, dhe po ngrihen të tjera në të gjitha krahinat e qytetet, nga Trentino deri në Sicili, nga Friuli deri në Sardenjë. “Shumë shpejt do t’i dyfishojmë komitetet. Nuk dua ta teproj, por nëse vazhdojmë me ritmet e tanishme do të kapërcejmë bollshëm 50 mijë firmat nën dy propozimet tona”.

Elvio Pasca

Lexo edhe: Reforma e shtetësisë dhe e të drejtës së votës. Nis mbledhja e firmave

Ndërron jetë Ramiz Alia, i fundit president komunist i Shqipërisë

Asambleja e KiE-së: “Shmangni bipolarizimin politik”