in

Të miturit “e braktisur” në Itali. Ngrihet tryezë e përbashkët pune italo-shqiptare

Ndërsa numri i të miturve shqiptarë të pashoqëruar në Itali vazhdon të rritet, përfaqësues të ministrive të ndryshme të të dyja vendeve janë mbledhur në Romë për të trajtuar çështjen

Romë, 17 maj 2017 – Tre muaj më parë, vinim në dukje që në fund të vitit 2016, me 1.611 prani, të miturit e pashoqëruar shqiptarë përbënin komunitetin e tretë në Itali. E sot? Të dhënat e ministrisë së Punës, të përditësuara në fund të trimestrit të parë të këtij viti tregojnë se situata nuk është përmirësuar aspak: ndërsa numri i përgjithshëm i të miturve të huaj të pashoqëruar ka rënë (15.458 në 31 mars 2017 ndërsa ishte 17.373 më 31 dhjetor 2016), ai i shqiptarëve është rritur e ka shkuar në 1.672 vetë, duke mbetur komuniteti i tretë.

Fëmijët e huaj të braktisur në Itali
(sipas të dhënave të ministrisë së Punës)

Data

Shqiptarë

Renditja

Gjithsej

31/03/2017

1.672

Të tretët

15.458

28/02/2017

1.621

Të tretët

15.085

31/01/2017

1.598

Të tretët

15.205

31/12/16

1.611

Të tretët

17.373

31/12/15

1.432

Të dytët

11.921

31/12/14

1.087

Të pestët

14.243

31/12/13

804

Të tretët

8.461

31/12/12

708

Të tretët

7.575

Ndërkaq, ndryshe nga tre muaj më parë kur nuk kishim asnjë të dhënë rreth një shqetësimi të mundshëm rreth problemit nga pala shqiptare, këtë radhë mund të shkruajmë se ka nisur një bashkëpunim mes dy vendeve, frytet e të cilit do të duan ca kohë të dalin në dritë.

Më 10 prill është mbajtur një tryezë pune italo-shqiptare, apo komision i përbashkët, me pjesëmarrjen e disa ministrive. Shqipëria përfaqësohej aty me ambasadoren Anila Bitri, me drejtorin e Drejtorisë së Çështjeve Konsullore në Ministrinë e Jashtme, Arqile Sota, dhe përfaqësues të ministrisë Punës dhe të Brendshme. Po ashtu edhe pala italiane, e cila veç funksionarëve të ministrive të Jashtme, të Brendshme e të Punës, kishte edhe përfaqësues nga ajo e Drejtësisë.

Ky ishte takimi i parë i përbashkët, i paraprirë nga punë përgatitore si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. – thonë për Shqiptariiitalise.com nga Ambasada e Shqipërisë në Romë – Në këtë takim të parë u parashtrua gjendja, si shifrat ashtu edhe përqendrimi sipas rajoneve apo të dhëna të tjera të karakterit statistikor”.

Për çfarë u ra dakord në këtë takim? Jo për ndonjë gjë shumë konkrete për zgjidhjen e problemit, me thënë të vërtetën, por gjithsesi një hap i parë ishte sa i nevojshëm aq edhe i rëndësishëm.

“Palët, të ndërgjegjshme se problemi nuk është vetëm i lidhur me kontrollin kufitar, ranë dakord që përmes një reflektimi të pavarur mbi të dhënat, informacionet dhe ballafaqimet e asaj dite, do të analizojnë, përpunojnë dhe propozojnë zgjidhje të mundshme njëri-tjetrit. – thonë nga Ambasada që mes gjërave për t’u propozuar përmend – Mendojmë se do të merret në konsideratë edhe çështja e bashkëtutorimit të titujve, diplomave të barazvlefshme në qendrat e formimit profesional të të dy vendeve”.

Vendimi më konkret i tryezës, është ai i thirrjes së një takimi tjetër në Tiranë, sa më shpejt, ndoshta brenda këtij muaji, me synimin e arritjes së “një marrëveshjeje dypalëshe për adoptimin e masave konkrete në përballje dhe mbikqyrje të problemit në fjalë”. Madje “në Tiranë do të ketë një përfshirje më të gjerë të insitucioneve që duhet të mbikëqyrin situatën në mënyrë konstante, siç do të jenë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit dhe Avokati i Popullit” sqarojnë nga Ambasada.

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe:
15-vjeçari “i braktisur” në Itali akuzohet për mashtrim ndaj shtetit
Të miturit shqiptarë “të braktisur” në Itali. A shqetëson Shqipërinë kjo çështje?
Si të pajisesh shpejt me një lejeqëndrim në Itali. Mënyra e shqiptarëve
“Braktisja” e të miturve në Itali, paditen 66 shqiptarë
Të miturit e braktisur
“Eksodi” i të miturve

 

15-vjeçari “i braktisur” në Itali akuzohet për mashtrim ndaj shtetit

Arrihet marrëveshja mes Ramës dhe Bashës. PD hyn në zgjedhje