in

Të rejat më të fundit nga Lega: “Të heqim fondin për imigracionin”

E propozon në Friuli Venezia Giulia kreu i grupit të Këshillit krahinor të Legës Danilo Narduzzi. Muaj më parë kishte propozuar që refugjatët libianë të viheshin në kampe pune të detyruar në Kalabri

Romë, 2 shkurt 2012 – Kurse italishteje dhe edukimi qytetar, projekte për integrimin e nxënësve të huaj, shërbime ndërmjetësimi të financuara nga “Fondi i imigracionit” i Krahinës Friuli Venezia Giulia sipas një programi të detajuar të përcaktuar çdo vit nga Këshilli.

Përfituesit janë rezidentët e huaj, përjashtuar klandestinët. Në fakt, siç specifikon një prezantim institucional, është fjala për “imigrantë me qëndrim të rregullt në territorin e krahinës, që jetojnë aty për motive mbrojtjeje shoqërore apo që nuk mund të dëbohen sepse janë objekt persekutimi”.

Në vitin 2011 fondi kishte thuajse 3,5 milionë euro. Për këtë vit Lega propozon një shifër padyshim më të rrumbullakosur, zero: kreu i grupit legist në Këshillin e Krahinës Danilo Narduzzi ka kërkuar në një seancë dëgjimore “zhdukjen e fondit për imigracionin dhe drejtimin e burimeve për rritjen e amortizattorëve socialë në favor të qytetarëve që kanë humbur punën”.

“Tashmë në Pordenone konstatojmë racizëm në të kundërt” ankohet Narduzzi, që me një lojë tipike legiste i fryn zjarrit të luftës mes të varfërve. Jep një realitet në të cilin, sipas tij, nga një anë janë “të rinjtë pa punë, ndërmarrjet në krizë të thellë, familjet e detyruara të shtrëngojnë rripat në maksimum”, nga ana tjetër “imigrantët që notojnë në para publike”. “Imigrantët – këmbëngul ai – gëzojnë një sërë privilegjesh që qytetarët e krahinës sonë, me të drejtë, nuk tolerojnë më”.

“Pakënaqësia rrit vuajtjen, përkëdhel cakun e intolerancës” shton legisti. “Qytetarët e krahinës sonë, nuk arrijnë të marrin shërbimet shoqërore-asistenciale sepse kapërcehen në renditje nga familjet e jokomunitarëve që përmbushin kërkesat e nevojshme më lehtësisht (falë numrit të lartë të fëmijëve). Por çdo ligj që arrin të zhdukë disfavore të turpshme për qytetarët e krahinës, shkatërrohet nga organet e drejtëssë. Atëherë e vetmja zgjidhje është të ndërhyhet në themel, duke e hequr fare kapitullin e imigracionit”.

E kushedi si do të përfundojë kjo betejë e fundit e Danilo Narduzzit. Propozimet e mëparshme të tij, nuk kanë pasur jetë të gjatë, edhe pse padyshim kanë qenë shumë origjinale: nga “skedimi” i imigrantëve myslimanë te paditja e klandestinëve që kurohen në spital, e deri tek zgjidhja e propozuar pranverën e shkuar për mikpritjen e refugjatëve libianë: “Të ndërtohen kampe pune të detyruar në Aspromonte”.

Elvio Pasca

Albana që diagnostikon me të parë

Lejeqëndrimi. Ministri i brendshëm: “Revolucion brenda shkurtit”