in

Terrusi: “Historia tragjike e familjes sime, hakmarrje e Enver Hoxhës”

Në vitin 1991 dhe 1993, katër dekada pasi ishte larguar nga Shqipëria ku lindi dhe kaloi disa vite të fëmijërisë, Aldo Renato Terrusi u kthye sërish. Këtë radhë, pothuajse 50 vjeçar, Terrusi vinte në vendin e tij të lindjes në kërkim të eshtrave të babait, drejtues i disa bankave në Shqipëri në vitet ’30-të-’40-të, që kishte vdekur në burgun famëkeq të Burrelit, ku ishte dënuar nga diktatura komuniste. Historinë e familjes së tij e ka përshkruar në librin “Ritorno al Paese delle Aquile”

Historitë e internimeve në Shqipërinë e diktaturës janë të njohura tashmë dhe pak a shumë të ngjashme me njëra tjetrën. Një të tillë ka edhe italiani Aldo Renato Terrusi, i lindur në Vlorë që e ka përmbledhur në librin e tij “Ritorno al Paese delle Aquile” (Kthim në vendin e shqiponjave).

Historia e familjes së Terrusit, është ajo e një prej atyre familjeve italiane, që në kërkim të një jete më të mirë, emigruan nga vendi i tyre në mesin e dytë të shekullit XIX, drejt vendeve të ndryshme. Pas një itinerari të pasur, paraardhësit e tij mbërrijnë në Shqipëri. Giuseppe, babai i Aldos do të bëhej një personazh i njohur në fushën bankare, kryesisht në jug të vendit si në Gjirokastër dhe në Vlorë, ku do të ushtronte detyrën e zv. drejtorit të Bankës Italo-Shqiptare dhe të drejtorit të saj për degën e Vlorës. Në këtë rrugëtim, fati dhe origjina, i bashkoi prindërit e Terrusit, Giuseppe dhe Aurelia.

Kjo lidhje, një histori e zakonshme për ato vite në Shqipëri, do të kishte edhe të pazakontën e saj. Një koincidencë, një detaj jetësor i rastësishëm, do të bëhej ndoshta preludi i fatit të mëtejshëm të familjes që sapo kishte hedhur themelet e saj. Ishte vetëm 17 vjeçare Aurelia, kur rastësia bën që ajo të njihej me Enver Hoxhën. Ishin komshinj në qytetin e Gjirokastrës, ndërsa udhëheqësi i ardhshëm i Shqipërisë komuniste, në atë kohë 22 vjeç, studionte në Paris, ndërkohë që ushqente simpati për bukuroshen italiane.

Nga kryeqyteti francez, ai i dërgonte përmes së motrës përkushtime fqinjës  17- vjeçare por merrte vetëm kundërshtimin nga ana e saj, që i griste të gjitha letrat. Dhe një libër me përkushtimin e Hoxhës, ka mbetur si një argument ndoshta shkakun e fatkeqësisë së mëpasshme të familjes Terrusi.

Vlora mbetet një nga stacionet e bankierit të njohur, që së bashku me bashkëshorten e tij do të kalonte këtu disa vjet, në krye të Bankës Italo-Shqiptare, që ishte vendosur në godinën e Bankës së sotme Tregtare në Sheshin e Flamurit, ku edhe banonin. Këtu do të lindte më pas edhe Aldo, si një qytetar vlonjat. Familja kishte edhe një banesë ngjitur me godinën e bankës. Por, ardhja e diktaturës komuniste ishte edhe paralajmërimi për fatin e saj. Giuseppe arrestohet kur Aldo ishte ende foshnjë dhe burgoset fillimisht në burgun e Vlorës, për t’u transferuar më pas në atë të Burrelit. Nuk do të “pinin ujë” as lutjet dhe përpjekjet e bashkëshortes as ato të vëllait të saj, portierit të njohur Giacomo Poselli i skuadrës së “Flamurtarit” dhe të përfaqësueses shqiptare, fituese e Ballkaniadës së vitit 1946. Madje nuk do të jepte asnjë rezultat as edhe përpjekja e një prej emrave të pushtetit të asaj kohe, Nako Spiros, me të cilin Giuseppe ishte njohur dhe kishte miqësi, me të cilin e bashkonte edhe profesioni. Ndoshta refuzimi dikurshëm i Aurelias ndaj diktatorit, ishte në themel të hakmarrjes së Hoxhës dhe të burgimit të babait të Aldo Renato Terrusit.

Në moshën 4  vjeçare, Aldo Renato Terrusi shikon për herë të fundit babanë e vet, ndërkohë që ai transferohej për në burgun e Burrelit, ndërsa familja në Tiranë. Pak vjet më pas, më 3 mars të vitit 1952, Giuseppe ndërron jetë në qeli, në rrethana të pasqaruara, dhe varroset në një kënd të burgut, ndërkohë që Aldo i vogël dhe familjarët e tij, pas shumë përpjekjesh riatdhesohen në Itali, duke lënë pas një ëndërr të keqe.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ai vendos të kthehet të kërkojë origjinën e familje së tij, të kërkojë eshtrat e babait të tij, të shikojë vendin ku kishte lindur dhe kishte kaluar disa vjet të fëmijërisë. Në vitin 1991 Terrusi vjen për herë të parë në Shqipëri dhe dy vjet më pas vjen sërisht në Shqipëri në kërkim të eshtrave të babait të tij, që nuk i ka gjetur ende. “Në vitin 1991 në Shqipëri pash vetëm dëshirën për liri, asgjë më tepër. Tani shikoj nevojen për t’u zhvilluar dhe për të shkuar përpara”, u shpreh Terrusi.

Në nëntor të vitit 1993 ai shkon në Shqipëri me dajën, Giacomo Poselli. Takojnë së bashku njerëz që i kishin njohur dhe ishin ende gjallë. Takojnë ish-lojtarë të shquar të Shqipërisë si, Xhavit Demnerin, Spahiun, Llambin, Boriçin, me të cilët Poselli kishte luajtur dhe fituar trofe. Takojnë bashkëvuajtës të babait nga Vlora, Engjëll Kokoshin e Petrit Velajn, i cili kishte varrosur edhe trupin pa jetë të bankierit të shquar italian, pranë një qershie, diku në skaj të burgut famëkeq. Shëtitën në të gjithë vendin, shkuan në Burrel, në Vlorë.

Aldo Renato Terrusi nis të hedhë të zezë mbi të bardhë kujtimet, mban ditër. “Kisha nevojë të shkruaja disa gjëra që po fshiheshin nga kujtesa e familjes sonë. Humbja e nënës dhe xhaxhait më bëri të mendoj se unë isha hallka e fundit që duhet të shkruaja historinë, që ajo të kujtohet më pas nga brezat që do të vinë”, thotë ai. E kështu lindi libri “Ritorno al Paese delle Aquile”

Në faqet e librit të tij tregon se drama e familjes Terrusi erdhi si një hakmarrje e Enver Hoxhës për refuzimin e prerë që mori nga Aurelia, mamaja e tij, në Gjirokastër.

Kështu, Terrusi rikthehet tek vetvetja, tek lidhjet e tij shpirtërore me vendin që e lindi dhe që e deshi, tek ata njerëz që e ndihmuan atë dhe familjen e tij, por edhe bashkatdhetarët e tij, që u rrezikuan të asgjësoheshin nga nazistët gjermanë pas kapitullimit të Italisë. Mbresat dhe personazhet janë të shumta.

Kështu, në përpjekje për të kryer një mision personal, Terrusi në fakt realizon një tjetër gjë, shumë më të gjerë se kaq. Ai realizon një himn për ata që u martirizuan, ndërton një urë tjetër komunikimi dhe respekti mes popujve, hedh dritë mbi një prej kapitujve më të errët të një prej  diktaturave më të egra në Evropë. Prandaj dhe ai vendos të shkruajë një libër “Ritorno al Paese delle Aquile”, ku përcillen mesazhe të shumta. Lufta mes djajve dhe engjëjve, mes të keqes dhe të mirës, ku fiton kjo e dyta, ndërkohë që liria si një e drejtë universale e popujve, mbetet një pikë reference në historinë e njerëzimit.

“Kush do ta lexojë, do të kuptojë një pjesë të historisë që regjimi i vjetër e kishte “harruar”. Por është edhe libër për italianët, sepse Shqipëria dhe marrëdhëniet me këtë vend, janë pjesë e historisë sonë”, është shprehur Aldo Renato Terrusi gjatë prezantimit të librit në Tiranë

Libri, një himn për të gjithë ata të martirizuar, është botuar në italisht dhe së shpejti pritet të përkthehet e botohet  edhe në shqip.

Aldo Renato Terrusi është fizikan në pension për një ent kërkimi italian, ENEA. Ai është i dhënë pas studimeve për teknologjinë dhe shkrimeve shkencore. Ka pasion arkeologjinë, astronominë dhe fotografinë.

Luli Bitri{br}“Itali apo Shqipëri, mbetem e huaj”

Terni. Arrestohet 20-vjeçari me gjysmë kg kokainë