in

TIA: “Shqipëria të përmbushë detyrimet kundër korrupsionit”

Në Ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, Transparency International Albania i bën thirrje klasës politike për rritjen e masave efikase anti-korrupsion, përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare dhe kushtetuese dhe për rritjen e transparencës

Tiranë, 9 dhjetor 2012 – Në kuadrin e Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit, Transparency International Albania, TIA, bëri sot thirrje për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe të konventës së Kombeve të Bashkuara, rritjen e masave efikase për implementimin e reformave anti-korrupsion, rritjen e transparencës dhe mirëqeverisjen në zbatim të ligjit në Shqipëri.

Sipas TIA-s, Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit është një mundësi e veçantë, jo vetëm për klasën politike, por për të gjithë qytetarët të reflektojnë mbi pasojat shkatërruese të korrupsionit në jetët tona dhe denoncimin e tij.

“Është detyrë e të gjithëve ne, politikanë, zyrtarë të lartë, drejtues biznesi, akademikë, aktivistë të shoqërisë civile e qytetarë t`i themi jo korrupsionit”, ka deklaruar Huguette Labelle, Drejtore e Bordit e Transparency International. Labelle cilësoi se në 2013 do të kërkohet një angazhim të ri, më solid për të përmbushur vizionin e përbashkët në një botë të lirë nga korrupsioni.

Me qëllim adresimin e efekteve toksike të korrupsionit mbi qytetarët e tyre, është detyrë e qeverive të veprojnë me hapa të shpejtë në përmbushjen e agjendës së organizmave ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, G20, Bordi i Stabilitetit Financiar, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), për të pasur lider më të përgjegjshëm në politikë, sektor publik më transparent dhe të mos lejohet cenimi i integritetit të sektorit privat nga ryshfetet, tregtia ilegale apo evazioni fiskal.

Transparency International u bën thirrje qeverive të zbatojnë konventat ndërkombëtare e rajonale, të cilat mundësojnë korniza të forta në punën e tyre në shërbim të popullsisë. Nevoja për të qeverisur me integritet dhe për të bërë publike marrëveshjet tregtare është alarmante më shumë se kurrë.

Në këto kushte, ku një sërë detyrimesh rrjedhin për shtetin shqiptar nga nënshkrimi më 18 Dhjetor 2003 dhe ratifikimi më 25 Maj 2006 i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, Transparency International Albania thekson se “lufta kundër pandëshkueshmërisë ndaj të korruptuarve nuk duhet të jetë thjesht një slogan, por duhet me çdo kusht të gjejë zbatim praktik dhe të monitorohet nga aktivistët e shoqërisë civile”.

Gjithashtu, parandalimi i korrupsionit duhet të jetë prioritet në përpjekjet drejt eliminimit të varfërisë, pabarazisë, dhunimit të të drejtave të njeriut dhe pasigurisë sociale. Këto çështje mund të arrihen vetëm përmes “kapjes”, hetimit dhe dënimit të korrupsionit.

Raporti i fundit i Transparency International mbi korrupsionin e perceptuar, i publikuar vetëm pak ditë më parë, thotë së Shqipëria renditet e fundit ndër vendet e rajonit në këtë aspekt, madje nga viti i shkuar situata është përkeqësuar edhe më.

Lexo edhe: Shqipëria akoma më e korruptuar se një vit më parë

Zbulohen 250 kg marijuhanë në portin e Durrësit

Bruksel. Nisin sot diskutimet mbi statusin e Shqipërisë