in

Tragjedia e Lampedusës. Shkon në dyqind numri i viktimave

Pasdite gjendet edhe relikti i anijes së përmbysur e nën të rreth 100 migrantë të tjerë, duke çuar kështu në rreth dyqind numrin e të vdekurve të tragjedisë së sotme të detit, kërkohen akoma rreth 100 persona të tjerë

Lampedusa, 3 tetor 2013 – Eshtë rënduar akoma më shumë bilanci i të mbyturve të tragjedisë së sotme në ujërat përballë ishullit të Lepujve pranë Lampedusës. Para pak minutash është gjetur relikti i anijes nën të cilën janë gjetur edhe trupat e rreth 100 migrantëve të tjerë. Numri i viktimave shkon në rreth 200. Mes tyre edhe  fëmijë dhe gra shtatzëna.

Një mjet lundrues me qindra persona ka marrë flakë dhe është përmbysur gjysmë milje larg ishullit të Lepujve, (Isola dei Conigli), përballë Lampedusës. Në të ishin rreth 500 migrantë, nga Eritrea e Somalia.

Mes 150 personave të shpëtuara deri tani ka të paktën 30 fëmijë, ndër të cilët edhe një foshnjë 2muajshe, dhe tre gra shtatzëna. Sipas dëshmive të forcave që po ofrojnë ndihmën e parë, në ujë ka me qindra migrantë dhe të mbytur gjithandej.

Në ujërat ku ka ndodhur tragjedia e sotme janë duket punuar motovedetat e Rojes Bregdetare dhe e financierëve, anije peshkimi dhe turistike që po marrin në bord personat që kanë përfunduar në det. Helikopterë e avionë të forcave të rendit po mbikëqyrin nga lart të gjithë zonën në kërkim të migrantëve apo trupave të viktimave.

Këshilli i ministrave i mbledhur sot pasdite ka vendosur të shpallë të premten, 4 tetor, ditë zie kombëtare. “Tragjedi të përbindshme” e quan kryeministri Enrico Letta që, në emër të qeverisë çoi në ishull ministrin e brendshëm Alfano.

Pak orë para tragjedisë në Lampedusa kish mbërritur një tjetër anije me 463 imigrantë. Edhe mes tyre gra dhe rreth 20 fëmijë. Në qendrën e pritjes së migrantëve të ishullit tashmë janë mbi 1350 persona.

“Mjaft më! Po çfarë presim akoma? Çfarë presim të ndodhë më shumë se kaq? Është një llahtari e vazhdueshme” thotë e zemëruar me institucionet qëndrore kryetarja e bashkisë së Lampedusës Giusi Nicolini. “Nuk dimë ku të vëmë si të gjallët ashtu edhe të vdekurit” shton ajo e trishtuar.

Keti Biçoku

Reagimet: Tragjedia e Lampedusës, masakër e të pafajshmëve

Në hangarin e vdekjes, aty ku po mblidhen kufomat e migrantëve

 

 

Lampedusa non è solo un’isola italiana

Tragjedia e Lampedusës në mediat shqiptare