in

Turqia mbetet vendi më i preferuar për shqiptarët

Ku i kalojnë pushimet shqiptarët? Në Shqipëri apo jashtë saj?

Tiranë, 27 qershor 2011 – Në këto ditë të nxehta vere të gjithë mendojnë vetëm për pushime, kryesisht për të qenë sa më pranë detit. Janë ditët e fundit të qershorit dhe ka nga ata që i kanë planifikuar pushimet e tyre, por të shumtë janë edhe ata që vendosin në çastin e fundit.

Me ardhjen e verës, pyetja e parë që bëjnë të gjithë është: “pushime në Shqipëri apo jashtë saj?”. Dhe sigurisht që përgjigjja varet nga mundësitë ekonomike, por nuk është çudi që pushimet jashtë vendit të shkojnë më lirë se në një vend në jug të Shqipërisë.

Sipas disa agjencive turistike në Tiranë, në të cilat prenotimet kanë nisur që në fillim të qershorit, edhe këtë vit vendin e parë e mban Turqia. Me gjithë liberalizimin  e vizave, ajo mbetet destinacioni ku preferojnë të shkojnë më shumë shqiptarët. Qytetet si Antalia, Kemer, Belek, Alania prej vitesh zgjidhen nga shqiptarët për pushimet verore, jo vetëm për resortet e mëdha me shumë shërbime, por edhe falë mungesës së vizave.

Resortet me gjithçka të përfshirë brenda çmimit, me mundësi të ndryshme argëtimi për të gjitha moshat, udhëtimi edhe me fluturime charter, afërsia e hoteleve me detin e bëjnë Turqinë një vend të përshtatshëm ku paketat 10 ditore nisin nga 600 euro personi. Por në zgjedhjen prej vitesh të Turqisë për pushime nuk përjashtohet edhe faktori i përshtatjes së turistëve shqiptarë me mentalitetin e banorëve në qytetet pritëse. Heqja e vizave duket se nuk ka mundur të ulë numrin e turistëve drejt Turqisë, e cila konkurron në treg me ofertat e saj më të leverdishme në krahasime me çmimet e larta të Europës.

Por heqja e vizave ka ndikuar në zgjedhjet që shqiptarët bëjnë për pushimet e tyre, duke renditur pas Turqisë, Greqinë dhe Spanjën. Rritja e kërkesës për këto dy vende ka bërë që disa agjenci udhëtimi të shtojnë edhe fluturime charter për disa nga ishujt e këtyre vendeve.

Por, ka edhe një pjesë qytetarësh, të cilët, për t’i mbetur besnik vendit të tyre, apo për pamundësi ekonomike zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e tyre. Pjesa më e madhe zgjedhin pushimet në jug të Shqipërisë,  ku vendin e parë e mbajnë Vlora dhe Saranda.

Ndërsa zonat bregdetare si: Jala, Dhërmiu, Llamani vazhdojnë të mbeten të populluara nga të rinjtë, pasi dhe lokalet e natës së kryeqytetit shpërngulen në këto vende.

Sipas agjencive turistike në Tiranë, shqiptarët zgjedhin edhe zonat bregdetare fqinje në Mal të Zi, apo Kroaci, por qëndrimet në këto zona janë të shkurtra, kryesisht në fundjavë. Prenotimet arrijnë maksimumin e tyre gjatë muajit gusht, kryesisht në pesëmbëdhjetëditëshin e parë, kur Tirana boshatiset dhe të gjithë i drejtohen bregdetit.

Edhe pse agjencitë turistike fillojnë ofertat e verës që në muajin mars, sipas tyre, shqiptarët kryesisht vendosin minutën e fundit dhe të rrallë janë ata që prenotojnë disa muaj më parë.

Tirana alternative – Kryeqyteti në foto

Futbollisti Blerim Xhemajli, nga viti i ardhshëm në radhët e klubit të Napolit