Shoqata e shqiptarëve të Legnanos, Ura e Bashkimit, u bën apel shqiptarëve e italianëve të ndihmojnë Anduel Ndreshajn, një vogëlush 7 vjeç të sëmurë me leucemi që nga lindja, që në këto çaste gjendet i shtruar në spitalin Nënë Tereza në Tiranë. Vogëlushi është nga Malësia e Shkodrës ku jeton edhe familja e tij. Shoqata po përpiqet ta sjellë në një spital italian
Romë, 8 tetor 2013 – E lindur para dy vjetëve, Ura e Bashkimit të Legnano-s është shoqatë emigrantësh shqiptarë, kryesisht nga veriu i vendit, me aktivitet të vazhdueshëm, jo vetëm në fushën kulturore, por edhe në rrafshin social. Një nga betejat e fundit është ajo që kanë nisur të dielën: mbledhja e parave për t’i mundësuar kurimin në një spital në Itali, 7-vjeçarit Anduel Ndreshaj. Djali i vogël nga malësia e Shkodrës, vuan nga një formë e lindur leucemie dhe sot është i shtruar në spitalin Nënë Tereza të Tiranës, ku kurimi i sëmundjes së tij është shumë i shtrenjtë dhe i papërballueshëm nga familja.
“Në Shqipëri kushton një mijë euro një gjilpërë që djali duhet të bëjë çdo muaj – tregon për shqiptariiitalise.com kryetari i shoqatës, Petrit Gjinaj – Madje edhe gjaku për të cilin vogëlushi ka nevojë periodikisht jo gjithnjë është në dispozicion. Ndaj duam ta sjellim në Itali. Po diskutojmë Rajonin e Emilia Romagna-s dhe atë të Lombardisë për të mundësuar kurimin këtu të djalit. E ndërkaq kemi nisur edhe mbledhjen e fondeve të nevojshme, duke sensibilizuar fillimisht shqiptarët në zonën tonë”.
Aleks Vulaj, anëtar i shoqatës Ura e Bashkimit, tregon se vetëm të dielën kanë arritur të mbledhin mbi 500 euro. “Jam i sigurt se do të mbledhim shumën e nevojshme. Kemi folur me shoqata bamirësie në Legnano e janë vënë në lëvizje edhe ato. Nga ana tjetër, kam besim në zemërgjerësinë e shqiptarëve që në raste të tilla nuk tërhiqen mbrapsht por japin me sa munden ndihmën e tyre”. “Për më tepër – vazhdon Vulaj, – të gjithë ne jemi ndihmuar nga dikush tjetër në çaste të ndryshme të jetës sonë, tani është momenti të ndihmojmë dikë tjetër që ka nevojë për ndihmën tonë”.
E nuk është herë e parë që Ura e Bashkimit tregohet e gatshme të ndihmojë kë është në nevojë. “Fitimet e koncertit që organizuam vjet për 100-vjetorin e Pavarësisë – thotë Gjinaj – ia dhuruam një familjeje emigrantësh shqiptarë në nevojë”.
Kush dëshiron të japë ndihmesën e tij për Anduel Ndreshajn mund të lidhet me shoqatën Ura e Bashkimit (Tel. 333-730.1692, e-mail uraebashkimit[at]hotmail.com, koordinatat bankare IT14 N033 5901 6001 0000 0073 891).