Mediat italiane vazhdojnë t’i japin hapësirë ngjarjeve dhe situatës së nderë në Shqipëri.
Osservatorioitaliano.org sjell lajmin e arrestimit të tre personave për kërcënimin me vdekje të Edi Ramës.
Agjencia e lajmeve Ansa, mes të tjerash sjell një intervistë të ministrit të jashtëm shqiptar, Haxhinasto, që thekson se “Shqipëria është një vend demokratik që ka institucione të qëndrueshme, është një sistem ku metodat e opozitës nuk mund të përdoren për qëllime politike”. Ndërsa për protestën e 21 janarit ministri i jashtëm shqiptar thotë për Ansa-n që “institucionet shqiptare janë të gatshme, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të realizojnë një hetim të thelluar dhe të gjithanshëm mbi organizatorët, autorët e dhunës dhe vdekjen e tre manifestuesve”.
Loccidentale.it boton një intervistë të Fatos Lubonjës me titull “Shqipëri, Berisha dhe Rama janë dy faqet e të njëjtit shtet të falimentuar”. Në këtë intervistë, për 21 janarin, mes të tjerash gazetari e shkrimtari Lubonja thotë “që të dyja palët i donin vdekjet. Berisha dëshironte të tregonte që është ende burri i fortë, i vetmi në gjendje për të siguruar stabilitetin. Socialistët kërkuan të tërhiqnin vëmendjen e ndërkombëtarëve…”
Ndërsa për recetën që mund të shpëtojë Shqipërinë nga falimentimi Lubonja thotë: “Italia dhe BE duhet të favorizojnë një proces që të ketë për qëllim forcimin e institucioneve të tjera përtej partitokracisë dhe kastës së pushtetit: presidencën e Republikës, për shembull, apo prokuroritë. Fatkeqësisht Rama dhe Brukseli ndalen tek realpolitika. Shqipëria ka nevojë për diçka të re, që ende nuk ka lindur, ka nevojë për një demokratizim të brendshëm të dy partive kryesore për krijimin e një klase drejtuese të ndryshme dhe për një lidership të përtërirë. Duhet të kapërcejmë mendësinë e vjetër të “partisë-shtet” dhe të një sistemi të bazuar në klientelizëm dhe favore. Duhet të kundërshtohen oligarkitë dhe kriminaliteti i organizuar, të përforcohen televizioni publik, tregu i lirë…”.
Për grr.rai.it situata në Shqipëri është ende e nderë. Sipas saj edhe komisioni parlamentar i hetimit po rrit tensionin mes palëve politike që vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën.