in

Vlora nderon Petro Markon në 20 vjetorin e vdekjes

Dhjetëra intelektualë, shkrimtarë e qytetarë vlonjatë, anëtarë të Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” dhe të Forumit të Shoqatës Atdhetare “Labëria”, nderuan të martën kujtimin e shkrimtarit të madh Petro Marko, në 20 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Ata bënë homazhe dhe vendosën kurora e buqeta me lule në varrin e shkrimtarit dhe patriotit të madh, në vendlindjen e tij në fshatin Dhërmi, 60 km në jug të Vlorës; u përkulën me nderim ndaj kujtimit të këtij njeriu të shquar që me veprën e tij ngriti në piedestal jo vetëm vendin e tij të lindjes, por gjithë Shqipërinë. Në emër të Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko”, kurorën e vendosi kryetari i tij, shkrimtari Myrteza Mara, ndërkohë që në emrin e Shoqatës “Labëria”, nënkryetari Sejmen Gjokoli.

Në një prononcim për ATSH-në, Gjokoli theksoi “Kujtimi i Petro Markos, këtij njeriu të shquar të Himarës dhe të gjithë Shqipërisë, është i pashlyer nga kujtesa e shqiptarëve, sepse vepra e tij i përket të gjithë kombit”. Ai tha se, në këtë 20 vjetor, emri i shkrimtarit dhe patriotit të madh, i këtij luftëtari të shquar të Luftës së Spanjës, i këtij gazetari dhe shqiptari të jashtëzakonshëm, janë më të spikatur. “Sa më shumë vite kalojnë, aq më e vyer shfaqet vepra e Petro Markos, i cili ia kushtoi jetën e vet atdheut të tij dhe popujve të robëruar, duke mos u përkulur ndaj sfidave të kohës”, shtoi më tej ai.

Shkrimtari Petro Marko ndërroi jetë në 27 dhjetor të vitit 1991, ndërkohë që demokracia shqiptare ishte në hapat e para.

Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko mbetet personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndier se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndien lexuesi Petron në romanet “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit”, ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përshkruajë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”.

Me romanet e tij Petro Marko hyri ndër personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara.

Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Arrestohet pas katër vjetëve, i kërkuari për falsifikim dokumentesh

Në karrige me rrota drejt Lojërave Paralimpike Londër 2012