Është sasia më e madhe e sekuestruar brenda një dite nga policia e Vlorës
Tiranë, 13 shkurt 2014 – Rreth 2 tonë lëndë narkotike, e llojit kanabis sativa, është bllokuar sot paradite, në gadishullin e Karaburunit, në dy operacione të përbashkëta të strukturave të Policisë Kufitare dhe Migracionit, Repartit Special “Delta Forcë” dhe shërbimeve të Guardia di Finanza, në Vlorë.
Operacioni ka pasur si synim krehjen e të gjithë kësaj zone, për bllokimin e rasteve të dyshuara të trafikimit të lëndës narkotike, me destinacion Italinë. Burime nga Policia e Vlorës konfirmuan për ATSh-në se, në dy operacionet e sotme, u gjetën në brendësis të Pyllit, në zonat Shën Vasil dhe Shën Jan, përkatësisht nga 1 ton drogë.
Policia po heton për identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në këto raste të trafikimit të drogës, të mbetura në tentativëderi tani janë shoqëruar në polici 7 persona, si të dyshuar në këto ngjarje.
Ky është operacioni më i madh i zhvilluar gjatë një viti, në qarkun e Vlorës, me objektiv bllokimin e trafikut të lëndëve narkotike. Bashkë me drogën është bllokuar edhe një furgon, i cili shërbente për transportin e saj. Destinacioni final i saj mendohet të ketë qenë Italia. (Sipas ATSh-së)