in

Vrasja e Mariolës. I shoqi gjykatësit: “Më tradhtonte, por nuk doja të arrija deri në këtë pikë”

Arben Hoxha, që të dielën vrau të shoqen, 32-vjeçaren Mariola, dje është marrë në pyetje. Gjykatësit për hetimet paraprake i ka shprehur bindjen e tij që e shoqja e tradhtonte, por shpesh ka qarë kur kujtonte ato çaste çmendurie gjatë të cilave i ka marrë jetën gruas, nënës së katër fëmijëve, për të cilët sot është i shqetësuar

Arben e Mariola Hoxha
Romë, 7 shtator 2012 – Gjatë tre orëve, Arben Hoxha u është përgjigjur dje pyetjeve të gjykatësit për hetimet paraprake mbi vrasjen e të shoqes dhe ka shpjeguar arsyet e gjestit të tij të pakorrigjueshëm.

Sipas asaj çka tregon për shtypin avokati i tij mbrojtës, Marco Baietta, i pranishëm në marrjen në pyetje të Hoxhës, ky i fundit ka treguar se marrëdhëniet mes çiftit ishin ftohur dhe se kish frikë se e shoqja mund të kërkonte ndarjen. Kësaj frike i është shtuar së fundi edhe bindja se e shoqja kishte një të dashur, për shkak të të cilit kishte zgjatur edhe kohën e qëndrimit në Shqipëri. Por për të provuar bindjen e tij, Hoxha nuk kishte provë tjetërveçse mbylljes së gruas herë pas here në banjë – sipas tij – për të fshirë mesazhet e të dashurit.

Të dielën, deri pak çaste para vrasjes, Hoxha i kish kërkuar të shoqes shpjegime, pasi kishte lexuar disa sms kompromentuese por ajo kishte vazhduar të mohonte (hetuesit duan të kontrollojnë edhe përmbajtjen e këtyre sms-ve që i paskan dhënë fund durimit të burrit) . Në këtë pikë, Hoxhës i janë errur sytë: fillimisht ka marrë një rrip pantalonash dhe ia ka shtrënguar rreth qafës, pastaj ka shkuar në kuzhinë, ka marrë një thikë dhe e ka qëlluar në qafë dhe në bark, duke e lënë gruan të vdekur.

Për gjykatësin për hetimet paraprake, Arben Hoxha duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për vrasje me paramendim, edhe pse sipas avokatit 40-vjeçari paska thënë mes lotëve se nuk kish dashur të arrinte deri në atë pikë”.

Një tjetër aspekt i kësaj fatkeqësie familjare janë të miturit. Çifti ka katër fëmijë, dy binjakë gjashtëvjeçarë që tani jetojnë në Shqipëri dhe dy vajza më të rritura, 12 dhe 15 vjeçe, që jetonin me prindërit në Fano (por që fatmirësisht nuk ishin në shtëpi kur babai u vrau të ëmën). “Është i dëshpëruar për fëmijët. – thotë avokati i Hoxhës – Nuk di se si dhe me kë do të rriten, e nëse do të duan ta takojnë më. Edhe për këtë arsye ka pasur kriza vajesh”.

 

Sanatoria. Mbërrin në Gazetë Zyrtare dekreti ndërministror me detajet

Festivali i Venecias. “Anija e ëmbël” e Vicarit merr Çmimin Pasinetti