Nga Adela Kolea
Mbërritja e 1 Majit thithej drejtpërdrejt nga ajri, nëpërmjet frymëmarrjes. Jo vetëm për faktin se, të paktën në mënyrë sipërfaqësore, klasës punëtore i jepej mundësia që të parakalonte në shesh, përpara elitës, të ndihej atë ditë më tepër se kurrë, si klasa protagoniste e shoqërisë, e fuqisë dhe zhvillimit të vendit. Por edhe sepse përgatitjet për parakalimin gjithëpërfshirës masiv, si në të gjitha vendet që përqafonin të njëjtën ideologji apo sistem politik, në qendrat e punës, shkolla apo institucione të ndryshme, rreptësisht shtetërore, që fillonin shumë kohë më parë, e shumëfishonin pritshmërinë ndaj festës. Përgatitjet kërkonin pjesëmarrjen e mobilizimin e moshave e kategorive të ndryshme të shoqërise sonë që nga fshati, deri tek qyteti. Të gjithë të projektuar drejt fokusimit të rëndësisë ndaj një argumenti të vetëm – jo pak jetësor na duhet të pohojmë – punës!
Argument ky, që në ditët e sotme, në krizën e sotme, në sistemin e ri që do të përjetonim në vijim edhe ne shqiptarët si bota apo si fqinjët e afërm – asokohe për ne ky sistem ishte argument abstrakt, disi i panjohur – merr një rëndësi ndoshta shumë më të madhe se në të kaluarën e vendit tonë, kur ndër dhimbjet pafund për atë popull të vuajtur për arsye që të gjithë ne njohim mirë, të paktën siguria apo garancia e vendit të punës viheshin në diskutim vetëm në raste ekstreme.
Lulet e 1 Majit
Kujt nuk i kujtohen! Letra me ngjyra, punuar në formë trëndafili, me një tel të mbështjellë me letër jeshile për simulim të “kërcellit” të lules, tel që shpeshherë të shponte duart.
Me tufa lulesh në duar, masat parakalonin me gëzimin e brohoritjet për Partinë e udhëheqësin e saj, për faktin se plani i atij viti – pjesë përbërëse e planit 5-vjeçar – deri atëherë kishte arritur normat madje, edhe «tejkaluar».
Festa me të reja
Zakonisht për 1 Maj, njerëzit me shumë vështirësi arrinin të siguronin që të vishnin ndonjë rrobë të re, të bukur – edhe sepse pranvera për ne, në të vërtetë vinte në mars , por merrte një formë të veçantë më 1 Maj – dhe nëse qëllonte kohë e thatë e me diell, shkonte gjithçka në rregull.
Problemi? Vetëm prania e rastësishme e ndonjë reje inatçie, që të sillte ndonjë vesë të hollë shiu. Atëherë, lulet prej letre që shkundeshin mbi kokat e të gjithëve, të ngjyrave të ndryshme, bënin që t’u spërkasje gjithandej pika – pika me njolla, që vështirë se të hiqeshin më nga rrobat (Kjo sepse edhe detergjentë të posaçëm mungonin). Por në fund të fundit, ky ishte – pa lojë fjalësh – problemi i fundit për njerëzit! Ata kishin se për çfarë tjetër të mendoheshin thellë apo shqetësoheshin.