in

100 vjet pavarësi – Shqipëria në festë

Ora 10.00 – Ngrihet flamuri në Vlorë

Në atmosferë festive, në prani të shumë autoriteteve dhe politikanëve të të gjitha ngjyrave, mes mijera shqiptarëve të mbledhur në shesh, është ngritur flamuri në Vlorë.

Mesazhe bashkimi janë përcjellë nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, nga kreu i shtetit Bujar Nishani dhe nga kryebashkiaku i Vlorës, Shpetim Gjika.
Nishanit ka uruar gjithë shqiptarët për festën dhe ka kujtuar: “Një vend i vogël prehë e synimeve shoviniste nuk u rrëzua, nuk u shua u mbajt fort, u ngrit në këmbë, ushqeu me gjakun e vet ëndrrën për liri, se pati bij të mirë që deshën e mbrojtën trojet e tyre, ne kemi enderra e shpresa të mëdha, Shqipëria e sotme dhe e nesërmja janë vazhdë e ngritjes së flamurit në Vlorë”.
Sipas tij, shqiptarët dhe flamuri nuk ekzistojnë ndryshe vecse në simbiozë, “si të tillë ne dhe flamuri ynë jemi të pandashëm, si materia dhe mendimi, ideja dhe veprimi si toka dhe qielli, trupi e shpirti jemi një”. “Flamuri ynë është nga më të pastrit, ai nuk i priu asnjë pushtimi asnjë shkatërrimi, na është dashur ne dhe ne i jemi dashur atij, si simbol mbijetese.  Ne na ndrit dhe na e tregon rrugën ky flamur që kemi. Si president i një vendi të lirë më shumë se kurrë pranë BE ku uroj gëzuar festën të gjithë shqiptarëve që në 100 vjet e kaluan të privuar nga liria”- tha Nishani.

Ora 20.00 ‘Rrugëtimi i Kombit’, koncerti jubilar i 100-vjetorit     

Koncerti jubilar “Rrugëtimi i kombit” u mbajt në Pallatin e Kongreseve, ku interpretuan artistët më në zë shqiptarë, të famshëm edhe në skenat botërore.

Në skenografinë kuq e zi të Pallatit të Kongreseve, ideuar nga Gaettano Castelli, me në qendër flamurin kombëtar që valëvitet, u interpretua i pari Himni Kombëtar e më pas këngë të tjera patriotike, nën dirigjimin orkestral të 100 instrumentistëve nga Zhani Ciko.

E para në skenë u ngjit sopranoja me famë botërore, Inva Mula e më pas baritoni shqiptar, Gëzim Myshketa, që sot interpreton në skenat më në zë operistike, i cili interpretoi “Për ty atdhe” të Pjetër Gacit.

Orkestra me 100 instrumentistë dhe 100 koristët interpretuan më pas këngë të njohura patriotike, ndërkohë që artistë të tjerë u ngjitën në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Ora 18.00 – Paradë ushtarake në Tiranë

Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe një përfaqësi e Forcave të Sigurisë së Kosovës kanë parakaluar në paradën e organizuar me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. 

Parada ushtarake u mbajt në sheshin “Skendërbej”. Të pranishëm janë krerët e shtetit përfshirë Komandantin e Përgjithshëm të Forcave Ushtarake të Shqipërisë, Bujar Nishani. Gjatë parakalimit janë shënuar 100 të shtëna me top.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij përshëndetëse gjatë paradës tha se “shekulli që kemi filluar është shekulli i shqiptarëve kudo që janë”.  

“Është nder i madh për mua dhe Kosovën të jemi bashkë me Ju sot,  për të festuar 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Aq sa jam i nderuar, po aq ndihem krenar për gjithçka që kemi arritur deri sot”, tha Thaçi. 

Duke folur për përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi, Kryeministri Thaçi tha se  “Isa Boletini,  me 400 trimat e tij lanë Kosovën dhe erdhën për të mbrojtur Shqipërinë dhe flamurin Kuq e Zi. Sot, 100 vjet më pas  ushtarët e forcat  së sigurisë së Kosovës janë përsëri këtu në Vlorë, në Tiranë dhe Shqipëri. Sot e 20 vite me parë, kujtoj qëndrimin tim të përkohshëm me komandantin legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tjerë në Tiranë për t’u kthyer në Kosovë për të themeluar ushtrinë çlirimtare të Kosovës,  për të fituar luftën,  për të ndërtuar shtetin e sot për të forcuar ushtrinë e Kosovës”. 

“Sot,  Kosova është shteti i pavarur dhe sovran. Ka forcën  saj të sigurisë moderne, që është e gatshme për të ruajtur paqen kudo në botë. Prandaj sot,  sejcili nga ne duhet të ndihet krenar që Shqipëria është anëtare e NATO-s  dhe së shpejti e Bashkimit Evropian.  Po ashtu,  shteti i Kosovës do të jetë së shpejti  pjesë e NATO-s dhe familjes evropiane. Dhe së bashku do të jemi në NATO dhe Bashkimin Evropian, të bashkuar”, tha Thaçi.

14.00 – Pritet torta e pavarësisë

Atmosfera festive në kryeqytet, ku po vijojnë kremtimet për festën e madhe kombëtare kulmoi në mesditë kur Kryeministri Sali Berisha, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryebashkiaku Lulzim Basha prenë tortën gjigante të pavarësisë, të vendosur në ambientin përpara Teatrit të Operas dhe Baletit, e cila do t’u shpërndahet qytetarëve.

Duke uruar të gjithë qytetarët shqiptarë në mbarë trojet shqiptare në këtë ditë feste, kryeministri Berisha tha se “28 Nëntori është dita e pavarësisë së shqiptarëve, e besimit dhe bashkimit”. 

Torta gjigante me një sipërfaqe prej 550 metra katrorë ka ngjyrë të kuqe dhe është dekoruar me figurën e shqiponjës dykrenare dhe vitin e shpalljes së pavarësisë, 1912. Gjithashtu, 150 pastiçerët që kanë punuar për përgatitjen e saj kanë përdorur shegë dhe degë ulliri për dekorin e saj, ndërsa shqiponja është e përbërë nga çokollata e zezë. 

Për nga sipërfaqja, kjo tortë është më e madhja e realizuar ndonjëherë, ndërsa dëshira më e madhe është që ajo të hyjë në librin Guiness.

Drejtues të higjienës ushqimore në Drejtorinë e Shëndetit Publik të Tiranës konfirmojnë se, torta e pavarësisë është përgatitur sipas standardeve të sigurisë ushqimore ndaj qytetarët të mos ngurojnë për ta ngrënë.

E turpshme ajo çka ndodhi me pas, qe nuk u shpetoi telekamerave:

Ora 12.00 – Vlorë. Homazhe në monumentin e Pavarësisë dhe varrin e Ismail Qemalit

Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit kombëtar në Sheshin e Flamurit në Vlorë, autoritetet më të larta shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova, përfaqësues të politikës, trupit diplomatik dhe qytetarë të shumtë zhvilluan homazhe në Monumentin e Pavarësisë dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama etj, zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule sipas ceremonialit zyrtar të përcaktuar nga protokolli i shtetit.

Me mijëra shqiptarë nga mbarë trevat shqiptare kanë mbushur Sheshin e Flamurit në Vlorë ku po zhvillohet ceremonia zyrtare që shënon edhe nisjen e kremtimeve për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Fieri nderon figurat historike të qytetit

Në qytetin e Fierit janë nderuar disa nga figurat më të ndritura të historisë së qytetit në këto 100 vjet. Firmëtarët e aktit të Pavarësisë, Hajredin Cakrani, Sami Vrioni dhe Jani Minga, delegatë të krahinave të Mallakastrës e Myzeqesë në Kuvendin e 28 nëntorit të vitit 1912 , si dhe historiani Kristo Frashëri, janë memorizuar në kujtesën historike fierake si nderi qytetit.
“Më 28 nëntor 1912, burri i shquar, patrioti e diplomati, Ismail Qemali, bëri realitet ëndrrën shekullore të rilindasve tanë, të patriotëve të shquar të pushkës e të penës, ngritjen e Flamurit Kombëtar dhe shpalljen e Pavarësisë”, tha ndër të tjera në fjalën përshëndetëse kryebashkiaku, Baftjar Zeqaj. 
“Në këtë altar janë fiksuar edhe sakrificat e pafundme të komunitetit fierak, qe do të përjetesohen në memorjen historike nëpërmjet dekorimit të disa prej përfaqsuesve më të mëdhenj të patriotizmës së kësaj treve”, theksoi ai.     
Më pas u shfaq dokumentari historik “Fieri, pragu i pavaresise”, ku i behej homazh i plotë historisë së kësaj treve qysh në peridhën pavaresise. Aktiviteti u mbyll me një koncert artistik.

Ora 10.00 – Shkodra në festë

Edhe Shkodra është përfshirë me një dekor kuqezi që mbizotëron kudo, në rrugë, banesat e qytetarëve, institucione dhe aktivitete private. Të parët që kanë ndezur festen, kanë qenë orkestratët e bandës frymore të qytetit, të cilët duke bërë një paradë në rrugët kryesore të qytetit, kanë tërhequr qytetarë të shumtë shkodranë të mblidhen në sheshin përpara Bashkisë, ndërkohë që kori i ansamblit “Prenkë Jakova” të qytetit, nën drejtimin e Gjon Shllakut, ka interpretuar këngë të ndryshme patriotike, mes të cilëve hymni kombëtar.
Në orën 09.30, nën tingujt e Orkestres frymore, pjesëtarë të forcave të armatosura kanë ngritur flamurin kombëtar në sheshin përpara bashkisë Shkodër. Më pas, kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka, gjatë përshëndetjes së tij, pasi ka evidentuar kontributin e Shkodrës në aktin madhor të shpalljes së Pavarësisë, i ka uruar të gjithë shkodranëve dhe shqiptarëve, gëzuar festën e Pavarësisë Kombëtare. 
Me emocione është pritur parada e formacioneve shtetformuese, ku nën shoqërinë e orkestres  frymore te qytetit forca te Ushtrise, Policise se Shtetit, Policise Bashkiake, Repartit te Zjarrfiksave, Taks forces, Kuadrati i Gjykatës, Kuadrati i Universitetit, kanë parakaluar në sheshin qëndror të qytetit.
Sipas programit të hartuar nga bashkia, veprimtaritë kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë do të jenë të shumta gjatë të gjithë kësaj dite festive, të cilat do të kulmojnë ne orët e mbrëmjes me një koncert festiv në qëndër të qytetit duke u shoqëruar edhe me hedhjen e fishekzjarreve.

Ora 10.00 – Nga Kosova drejt Tiranës dhe Vlorës

Kosova zbardhi mëngjesin e sotëm e veshur kuqezi për festën e madhe të 100 Vjetorit të Pavarësisë, derisa shumë kosovarë e kaluan edhe gjithë natën duke festuar, e grupe të rinjsh në orët e hershme u nisën nëpër Udhën e Kombit drejt Tiranës e Vlorës për të festuar për Shqipërnë në Shqipëri.
Mijëra e mijëra kosovarë me flamuj kuqezi janë nisur këtyre ditëve për festimet në Shqipëri, edhe më këmbë, edhe hipur në kuaj si kalorësit e luftëtarët para100 vjetëve, edhe me biçikleta, dhe me shumë udhëtime speciale me autobusë, furgonë, vetura, plot e përplot…
Dhe, plot e përplot me njerëz në festë janë edhe sheshet dhe rrugët e Kosovës, të kryeqytetit Prishtinës dhe të qyteteve tjera, në të cilat sot është një ditë e gjatë festimesh, me shumë flamuj kuqezi, defilime, koncerte, panaire kombëtare e manifestime te tjera deri te fishekzjarret në mesnatë.
Shumë organizime festive janë shtetërore të Republikës së Kosovës e të komunave, por, do ketë edhe shumë organizime të tjera festive popullore, tradicionale, nëpër sheshe edhe daulle si në dasma, në Kosovën që shkon drejt 14 Vjetorit të Lirisë e 5 Vjetorit të Pavarësisë, në këtë vit të jubileut të madh të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të festës së gjithë kombit, e cila jetohet përjetohet edhe në çdo familje, ku atmosferë krijojnë edhe programet speciale të radiotelevizioneve dhe transmetimet e drejtpërdrejta nga festimet kudo që janë shqiptarët.
Në Kosovë, edhe në rrethana okupimi,  edhe kur ishte i ndaluar Flamuri Kombëtar Shqiptar është shpalosur dhe ka valuar në 28 Nëntor në shtëpitë shqiptare kosovare dhe në institucionet e tyre, gjithnjë në ecje të vendosur e plot sakrifica drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë. Flamuri Kombëtar kuqezi u ka prirë shqiptarëve në Kosovë edhe në të gjitha luftërat për liri, edhe në luftën e fituar në pranverën e vitit 1999, me mbështetjen e botës demokratike.

Ora 10.00 – Tirana Kuqezi

Tirana është përfshirë që në orët e para të mëngjesit nga atmosfera festive të 100-vjetorit të Pavarësisë. Mijëra qytetarë nga mbarë trojet etnike shqiptare, diaspora kanë vërshuar në Tiranës, për të festuar ditën e madhe.
Të mbledhur rreth sheshit “Skënderbeu”, shqiptarët kanë gëzuar dhe kënduar deri në orët e vona të së shtunës.
Enkela Ukshini, banuese në Prishtinë  tha se ka ardhur në Tiranë veçanërisht për të festuar Ditën e Flamurit në Tiranë. “Po kaloj shumë mirë. Tirana është mjaft emocionuese. Jam e lumtur që erdhi kjo ditë e të festojmë të gjithë bashkë”
Shqiptarëve të Kosovës i janë bashkuar edhe bashkëkombasit nga Maqedonia, Presheva, Bujanovci, Medvegja, por edhe nga Mali i Zi, të cilët kanë zgjedhur Tiranën për të festuar. 
Ata janë informuar për programin e festimeve të ditës së sotme, e cila rezervon shumë aktivitete që do t kulmojnë me ceremoninë e prerjes së torëtës së pavarësisë, ku më pas parashutistë do të hidhen me flamurin kombëtar. Festimet do të vijojnë deri në orët e vona.

Ora 10.00 – Sirenat e anijeve në portin e Durrësit përshëndesin festën

Sirenat e anijeve tregtare, trageteve dhe motopeshkatoreve në portin detar të Durrësit kanë buçitur njëkohësisht sot në orën 10.00, në shenjë nderimi në 100-vjetorin e ngritjes së Flamurit të Pavarsisë më 28 nëtor 1912. 
Për pesë minuta radhazi sirenat e anijeve kanë risjellë në vemendje të qytetarëve durrsakë festën e 100-vjetorit të shpalljes së shtetit modern shqiptar.

Ora 10.00 – Vodafon Albania, 100 vjet urime

Në këtë 100 vjetor, kompania e telefonisë së lëvizshme Vodafon Albania ka krijuar një faqe të quajtur ëëë.100vjeturime.com për të ndarë urimet me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes një njoftimi për shtyp, Vodafon bën të ditur se, të githë mund të bëhen pjesë e kësaj faqe duke dërguar urimet në formë video-je, mesazhi apo fotografie nëpërmjet opsionit posto ose nëpërmjet adresës së dedikuar: vodafone[at]100vjeturime.com.

 

1919, kur trupi i Ismail Qemalit kthehej nga Peruxha në Vlorën e pushtuar nga italianët

Google feston 100 vjetorin e pavarësisë