in , ,

“La macchina delle Immagini di Alfredo C.” i Roland Sejkos nga marsi në kinema

Me filmin e tij të fundit, regjisori shqiptar sjell në vëmendjen e publikut historinë e mijëra italianëve të mbetur në Shqipëri pas luftës së dytë botërore

Romë, 23 shkurt 2022 – Pas pritjes së ngrohtë në edicionin e fundit të Festivalit Ndërkombëtar të Kinematografisë së Venecias e përzgjedhjes si një ndër dhjetë filmat dokumentarë në konkurrim për çmimin David di Donatello, “La macchina delle Immagini di Alfredo C.” (Kutia e imazheve e Alfredo C.) nga 7 marsi do të dalë në kinema. Premiera në kinemanë Nuovo Sacher në Romë (7 mars, ora 21:00) do të pasohet nga një sërë shfaqjesh në Milano, Torino, Firenze, Bologna, Bergamo, Pisa e qytete të tjera me një kalendar në përditësim.

Kalendari e deritanishëm i shfaqjeve:

Filmi “La macchina delle Immagini di Alfredo C.”, ka në qendër historinë e një telekameramani italian që mbërrin në Shqipëri me pushtimin fashist e mbahet “peng” bashkë me 27 mijë italianë të tjerë, ushtarë e civilë, pas çlirimit të Shqipërisë kur regjimi i Enver Hoxhës mbylli kufijtë.

Kështu Alfredo C., që për thuajse 20 vjet kishte punuar në shërbim të propagandës së regjimit fashist, për pesë vjet i bie vendit tonë kryq e tërthor e detyrohet të ushtrojë profesionin e tij, këtë radhë në favor të propagandës së regjimit komunist të ardhur në fuqi në Shqipëri. Çka shihet në filmin e Sejkos, mes filmimesh të reja e materialesh arkivore, është jeta e Alfredo C., historia e tij. E ndoshta edhe historia e mijëra të tjerëve.

Pietro De Silva e Roland Sejko në Festivalin Ndërkombëtar të Kinematografisë së Venecias

Përmes ndërthurjes së filmimeve të jashtëzakonshme nga Archivio Luce – protagonist autentik i filmit – dhe xhirimeve origjinale që i janë besuar talentit të aktorit Pietro De Silva, filmi i Sejkos vë në skenë një poezi vizuale mbi kujtesën dhe përgjegjësinë jo vetëm të atyre që krijojnë imazhe, por edhe të atyre që i shohin. Ai ofron një reflektim bindës mbi fuqinë depërtuese të propagandës.

Shkruajnë mbi filmin

“Nëse sot dimë diçka për njeriun që arriti të filmonte shekullin e diktaturave, kjo është falë filmit dokumentar të Roland Sejkos, prodhuar nga Cinecittà-Luce. Nuk është hera e parë që Sejko matet me temën e kujtesës historike. Si drejtor editorial i redaksisë së Arkivit historik Luce, ai njeh çdo sekret të arkivit të cilin e përdor me mençuri edhe për “Kutia e imazheve nga Alfredo C., film i moduluar mes realitetit dhe imagjinatës”. – shkruhet mes të tjerash në La Repubblica në një artikull të gjatë prezantues për filmin.

“Një dokument i rrallë mbi historinë e kinemasë dhe reflektim mbi kuptimin dhe përdorimin e imazheve” – titullon MyMovies.it recensionin e filmit.

“I drejtuar me rigorozitet filologjik, i interpretuar me mjeshtëri nga Pietro De Silva, Kutia e imazheve nga Alfredo C. nuk është një rrëfim i thjeshtë i një periudhe historike të dhimbshme, por edhe një një analizë e pamëshirshme e pozicionit etik të atyre që regjistrojnë tmerret e historisë pa mundur të ndryshojnë rrjedhën e tyre.” – SentieriSelvaggi.it.

“Sentimental, i ëmbël, emocionues, filmi i ri i regjisorit shqiptar, magjistar i arkivave, na çon në zemër të ndërtimit të imazheve propagandistike. Sejko, rreth botës së arkivave di gjithçka: dhe gërmon nën e brenda propagandës dhe tipareve stilistike të saj, përtej pamjeve, përtej tabelave dhe banderolave plot slogane luftarake: arrin të përshkruajë fytyrat, shpirtrat, të italianëve, shqiptarëve, të të vuajturve, të ushtarëve, të fshatarëve të urbanizuar me nxitim, të zyrtarëve të improvizuar, të nënave shpresëdhënëse, të fëmijëve që luajnë, të klasave të reja shoqërore për kombet e reja.” –  BookCiakMagazine.it.

“Kutia e imazheve të Alfredo C. është energji, shkrim, sfond, hapësirë, arkiv, sy për të kuptuar më mirë të sotmen. E konsiderojmë atë ndër filmat më magjepsës të parë gjatë gjithë Festivalit të Venecias”” shkruan RadioCinema.it.

Për VeroCinema.com “Kutia e imazheve e Alfredo C. është shumë më tepër se një reflektim mbi luftën dhe armën e kinemasë: është një duel që disa subjekte ndërmarrin për të provuar të mposhtin, apo të paktën të zbutin, forcën shkatërruese të kohës”.

“Është një zhytje e jashtëzakonshme në filmimet e epokës, shumica nga Instituti Luce, pjesë të historisë që – kujton Sejko – marrin jetë me magjinë e veçantë të filmave, një mënyrë e jashtëzakonshme për të rihyrë në të kaluarën, mjafton t’i rivësh në lëvizje për të ndezur mrekullinë. Dhe ja se si, ndër imazhet e tjera, pabesueshmërisht të gjalla, fytyra ushtarësh që do të shkojnë drejt vdekjes, ekzekutime, parada, inskenime të pushtetit, rënia e tij, beteja, musketa, këpucë në baltë, është edhe ai i mijëra italianëve që dëshironin të ktheheshin në shtëpi, një radhë e stërgjatë që nga malet vrapon me rroba të grisura, këpucë të shqyera, drejt portit të Durrësit. Por nuk ka anije. Nuk ju kujton gjë? – La Repubblica, Bari.

“Kutia e imazheve nga Alfredo C., udhëtimi në kohë dhe në kujtesë i një njeriu me telekamerë është një film i vogël që duhet të shohin dashamirësit e mirëfilltë të kinemasë. Është një film mbi imazhet, mbi marrëdhënien mes kujtesës dhe imazheve dhe gjithashtu një film mbi transformimin e imazheve” – Il Fatto Quotidiano.

Me “Kutia e imazhve e Alfredo C.”, Sejko na ofron një manual të vogël/të madh, shumë të përpiktë por edhe shumë të pëlqyeshëm, me të cilin të mund të reflektojmë mbi një sërë temash që na prekin nga afër edhe në distancë historike. Siç thuhet me të drejtë në prezantim, filmi i tij shërben për të shtjelluar dhe rimenduar disa probleme aspak dytësore. Që janë “gjithëprania dhe teknikat e propagandës, barra e ngjarjeve historike mbi fatet personale, përgjegjësia e turmës dhe ajo e individëve. Dhe një reflektim mbi përgjegjësinë – e sotme, si edhe të djeshme – e atyre që prodhojnë imazhe dhe e atyre që i shohin ato” – CloseUp.info.

“Një film i rëndësishëm që nuk duhet humbur” – Cinematografo, Rai Uno.

Roland Sejko

Roland Sejko ka emigruar në Itali në vitin 1991. Në 1999-tën ka themeluar dhe drejtuar për 15 vjet Botën Shqiptare, gazetën e shqiptarëve në Itali. Prej vitit 1995 punon në Institutin Luce ku sot është drejtor editorial i Arkivit Historik Luce. Njohës i thellë e përdorues mjeshtëror i arkivave, ka shkruar e realizuar dokumentarë ndryshëm që shpesh kanë patur në qendër aspekte të ndryshme të marrëdhënieve Itali-Shqipëri. Ndër filmat e tij dokumentarë spikasin Anija, dokumentari i realizuar në 20vjetorin e eksodit të madh të shqiptarëve në Itali, që është vlerësuar me çmimin prestigjioz David di Donatello 2013, si dokumentari më i mirë i vitit; “Pritja” (2015), dokumentar i frymëzuar nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri që rrëfen mohimin e lirisë së besimit, persekutimin e autoriteteve fetare, shkatërrimin e simboleve të kulteve fetare në Shqipërinë e diktaturës komuniste; “Shqipëria, Vendi përballë” (2010), që përmes imazheve të arkivave të Institutit Luce dhe të arkivave të filmit shqiptar, sjell historinë e Shqipërisë së viteve ‘900, histori e lidhur ngushtë me Italinë.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në 
Facebook dhe Twitter)

Presidenti Mattarella përshëndet migrantët, “të çmuar për Italinë, vendin që ata kanë zgjedhur”

Flukset 2022. Vetëm pak ditë akoma për paraqitjen e kërkesave