in

21 janari. Më 27 janar procedurat për heqjen e mandateve të deputetëve

Të premten nisin procedurat për heqjen e imunitetit të deputetëve të PS-së  për çështjen e 21 janarit. Ndërkaq reagon partia socialiste: “Për të zbardhur plotësisht 21 janarin duhet hetuar edhe Berisha dhe Basha”

Tiranë, 24 janar 2012 – Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve vendosi sot që më 27 janar të nisë shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetëve socialistë Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare, për t’i vënë ata në dispozicion të drejtësisë për sqarimin e rolit të tyre në protestën e 21 janarit, siç u kërkua dje nga Prokuroria.

Këshilli, pas debateve mes kryetares Jozefina Topalli dhe kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, vendosi që seanca e parë dëgjimore të zhvillohet me deputetin Doshi, i cili do të japë shpjegime rreth kërkesës së organit të akuzës.

Rregullorja e Kuvendit (neni 118) parashikon që kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin. Ky i fundit lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

Edi Rama: “Për të zbardhur plotësisht 21 janarin duhet hetuar edhe Berisha dhe Basha”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi sot pozitivisht arrestimet e djeshme nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me hetimet e 21 janarit, duke shprehur njëherësh  mbështetjen ndaj këtij institucioni në hetimin e plotë të ngjarjeve.

Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se “identifikimi i plotë i vrasësit të të ndjerit Faik Myrtaj, komandantit famëkeq të Gardës së Republikës, dhe arrestimi i tij, është një lajm lehtësues, edhe pse mbeten tre vrasje të tjera për t’u zbardhur”. Rama shprehu falenderime edhe për FBI që ka luajtuar një rol kyç me ekspertizën e saj, si dhe shprehu mirënjohje për qeverinë amerikane dhe Ambasadorin Aleksandër Arvizu për mbështetjen totale që po i japin hetimit.

Por Rama bëri thirrje për hetimin e kryeministrit dhe ish-ministrit të Brendshëm, pasi siç tha ai “nuk ka batalion që nuk hap zjarr pa marrë urdhër”.

“Kreu i gardës mund të bëhet kokë turku duke mos thënë se kush ia dha urdhrin por drejtësia nuk duhet të ndalet. Pa hetuar Sali Berishën dhe Lulzim Bashën hetimi i çdo figurë tjetër politike ngjan i sforcuar për të mos thënë i padrejtë”, tha Rama. “Në kërkojmë çuarjen e hetimit deri tek përgjegjësit e mëdhenj të hapjes së zjarrit, që nuk janë ekzekutorët por urdhëruesit”, shtoi ai.

Sequi: “Hetime pa influenca politike për 21 janarin”

“Është e nevojshme të zbardhen plotësisht ngjarjet e 21 janarit dhe ashtu, si e kemi thënë, është tepër e rëndësishme që ky hetim të jetë gjithpërfshirës, i pavarur dhe pa ndërhyrje politike”. E ka deklaruar sot ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, pas tryezën për drejtësinë, një aktivitet i organizuar me nismën e BE-së, në kuadër të takimit të tretë të EURALIUS.

“Ne nuk komentojmë hetimet. – ka thënë Sequi – Por siç e dini, ne i kemi ndjekur deklaratat e prokurores së përgjithshme, ambasadorit amerikan, zëdhënëses së kryeministrit dhe opozitës”.

Më tej, ambasadori i BE-së shprehu besim të plotë te institucioni  akuzës, duke theksuar se sundimi i ligjit do ta afrojë vendin më shumë me BE-në.

“Ne presim që hetimet të vijojnë ndërmjet zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, institucion në të cilin ne kemi besim të plotë. Ne besojmë se gjyqësori në Shqipëri do të bëjë punën e vet në mënyrë që të jepet drejtësia. Dua të theksoj se sundimi i ligjit është element për ecjen përpara drejt BE”, tha Sequi.

Tryeza e sotme u zhvillua në kuadër të një projekti të Bashkimit Europian për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në të morën pjesë ministri i drejtësisë, Edurad Halimi, kryeprokurorja Ina Rama, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu etj.

Lexo edhe: Prokuroria kërkon arrestimin e komandantit të Gardës: «Ka vrarë një nga protestuesit e 21 janarit 2011»

Taksa mbi lejet e qëndrimit. Ditët e fundit për të mos e paguar

Cittadinanza a chi nasce in Italia? Per il comico Grillo è “senza senso”